Kush është Elba? - Bota Sot
Kush është Elba?

Skijim

Kush është Elba?

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 14:04
Kush është Elba?

Elba Kokaj është njëra nga dy skitaret e vetme që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore Evropiane për të Rinj (EYOF), që mbahen prej 10-16 shkurt në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore të Bosnjë e Hercegovinës. Bashkë me Elbën, pjesëmarrëse në Sarajevë është edhe Klea Vrella.
Elba vjen nga Prishtina. Është lindur më 5 tetor të vitit 2001, ndërsa që nga mosha 7-vjeçare ka filluar të merret me sportin e skitarisë.
“Babai është arsyeja pse merrem me skitari. Më herët kam provuar të merrem edhe me basketboll, hendboll dhe volejboll, por më shumë më ka pëlqyer skitaria”, thekson shtatëlartja Kokaj për ueb-faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Elba në Sarajevë do të garojë në disiplinat sllallom dhe sllallom të madh. Në të dyja këto disiplina, ajo është nënkampione e Kosovës. 
Në muajt e fundit, falë mbështetjes financiare nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Elba dhe Klea janë përgatitur në Erzurum të Turqisë dhe në Brod të Dragashit, për të mbushur “bateritë” për paraqitje sa më të mirë në EYOF Sarajeva 2019.
“Kemi kaluar shumë mirë në përgatitje, kushtet ishin shumë të mira. Po ashtu edhe në Brod ka pasur kushte të mira. Shpresoj të na ndihmojnë për rezultate sa më të mira”, thotë ajo.
Edhe Elba si Klea ka garuar në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, por EYOF Sarajeva 2019 është e veçantë për të. “Sigurisht se ka qenë ëndërr të përfaqësojë Kosovën në një garë të tillë. Uroj të kem edhe rezultat të mirë”, thekson skitarja e klubit të Prishtinës.
Për Ekipin Olimpik të Kosovës, EYOF-i dimëror Sarajeva 2019, do të jetë pjesëmarrja e dytë, pas debutimit në Erzurum 2017.

Letërnjoftimi:
Emri: Elba
Mbiemri: Kokaj
Datëlindja: 05.10.2001
Vendlindja: Prishtinë
Sporti: Skitari
Disiplinat: Sllallom dhe sllallom i madh
Klubi: Prishtina
Trajner: Kushtrim Deva
Sukseset: Nënkampione e Kosovës për të reja në sllallom dhe sllallom të madh

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...