Pupovci: Pista në Are shumë provokuese dhe e rrezikshme 

Skijim

Pupovci: Pista në Are shumë provokuese dhe e rrezikshme 

Nga: Kemajl Goca Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 17:01
Agim Pupovci dhe Albin Tahiri

Skiatori Albin Tahiri zuri vendin e 45-të në disiplinën e supersllallomit të madh në Kampionatin Botëror, që po mbahet në Are të Suedisë. Tahiri u përpoq maksimalisht por nuk arriti kohë më të mirë se 1:31.72 minuta ose me kohë ka qenë më i ngadalshëm për 7 sekonda e 52 qindtat se fituesi i garës Dominik Paris nga Italia. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Agim Pupovci, është i kënaqur me paraqitjen e Tahirit dhe sipas tij, sikurse mos të bënte një gabim të vogël në tatëpjetë, sigurisht se do të kishte kohën edhe më të mirë në supersllallom të madh.  

“Pista ishte e gjatë 2178 metra. Pista në Are është pak më e ndryshe së në St. Morritz të Zvicrës apo në Pyeongchang të Koresë së Jugut, është pistë shumë provokuese dhe më e rrezikshme, ka shpejtësi më të madhe (637 metra start -  cak), një tatëpjetë e madhe. Megjithatë jam i kënaqur me rezultat sepse shtegu ka qenë shumë i vështirë. Gjatë gjithë kohës ka pasur pengesa të rrezikshme, e sidomos në kërcime”, thotë Popuvci për gazetën kombëtare “Bota sot”. “Ka pasur një tatëpjetë të madhe, ku Albini aty ka humb pak kohë, sidomos nga një gabim në kërcim, se ndryshe ka mundur me arritur kohë më të mirë”, theksoi përzgjedhësi.

Është hera e dytë që marrin pjesë në garën më të madhe, në Kampionatin Botëror.  Pupovci tha se është një përvojë e mirë, por e brengosin pajisjet. “Është një përvojë e mirë prej kampionatit të parë. Shihet se çdo vjet na duhet më shumë punë dhe edhe pajisje shumë më shumë, pajisje moderne, pra mi përcjell ndryshimet”, nënvizoi ai. Në Kampionatin Botëror janë edhe skiatorë të tjerë, si Arbi Pupovci, Adea Kollçaku e Fiona Blaku. “Kemi pasur përgatitje në Austri! Albini për disiplinat e shpejta është përgatitur në Slloveni. Në Are janë edhe skiatorët Arbi Pupovci, Adea Kollçaku dhe Fiona Blaku, të cilët sot kanë pasur përgatitje në një pistë afër nesh, derisa ne e kemi përfunduar garën në supersllallom të madh.  

Arbri, Adea e Fiona kanë punuar në sllallom me suedezët. Adea, Arbri dhe Fiona do të debutojnë me 11-12 shkurt, në sllallom dhe sllallom të madh.  Albinin e kemi nesër në stërvitje në lëshim, ndërsa të shtunën e ka garën zyrtare në këtë disiplinë”, tregon Pupovci. Pupovci pret rezultat më të mirë në superkombinim. “Te Albini pres rezultat më të mirë në kombinim, por edhe me rezultatin e supersllallomit të madh jam i kënaqur.  Te garues tjerë besoj në paraqitje të mirë në sllallom”, tha Pupovci. Më rëndësi skiatorët janë adaptuar edhe me klimën në Are, por është edhe ftoftë. “Jemi adaptuar, por është edhe ftoftë shumë, ndërsa pritja në nivel, jemi të barabartë me të gjitha shtetet”, thotë përzgjedhësi. “E rëndësishme është se nga Kampionati Botëror do të përfitojnë shumë garuesit tanë dhe sigurisht se do të jetë përvojë e madhe për ta”, përfundoi Pupovci.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat