Përshtypje dhe sugjerime!

Skijim

Përshtypje dhe sugjerime!

Nga: Jakup Kasapolli Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 17:40
Jakup Kasapolli

Debate
Shembulli i Kollashinit dhe shansi i Pejës. 1. Diku në këtë kohë të vitit të kaluar isha në Mavrove (Maqedoni) për qëndrim (një javorë) për ski dhe ftesa e djalit (Vetonit) këtë herë ishte destinacioni i kundërt - Bjellasica (te Kollashini) në Malit te Zi. Kisha dëgjuar edhe më parë për këtë qender turistike (dimërore) dhe isha kureshtar për ta pa si duket. Deri atje të duhen (pa nguti) tri orë vozitje nga Peja në Kollashin, që ka diku 3 mijë banor, por që kapacitetet private të akomodimit me turistë, mund të katërfishojnë numrin e banorëve.

Vet qendra turistike është 10 kilometra larg këtij vendbanimi. E shtuna dhe e diela ishte një invasion i vërtet i vizitorëve e stërmbushur nga mijëra automjete (vetura, furgon e autobus) të ardhur nga vendbanimet e qytetet malazeze por më shumë nga Shqipëria dhe Kosova, (së paku kështu kisha përshtypjen!) E hëna (ditë feste në Kosovë) mbi 70 %. Ishin mysafirë nga Kosova e ku dominonin ata nga Peja e Gjakova. Veç terreneve të përgatitura e mirëmbajtura mirë, adhuruesit e shumtë të skive kanë në dispozicion tre teliferike (dy nga to me nga 6 ulëse) e një skilift, që brenda pak minutash, papritur shumë, bartin me qindra skitar (por edhe të tjerë, pa ski, shëtitore, dashamirë të natyrës). Ngjitja me teliferik zgjatë nga 7 minuta e shkurta, e deri në 18 minuta, me e gjata. Çmimi i biletës ditore (SKI PAS) për person është 15 euro, ndërsa 10 euro qiraja ditore për këpucë me ski. Restorani afër qendrës shërben edhe ushqim dhe pije, ku një kafe kushton 1,5 euro po aq edhe një shishe e vogël uji. Një birrë 3 euro. Parkimi treditore e veturës 5 euro. Me çdo artikull vjen edhe kuponi fiskal.

Policia në çdo kohë mirëmban rendin në rrugën që të çon në qytezë për të mundësuar qarkullimin normal. Poshtë në qytezë një natë në apartamente me kuzhinë kushton nga 30 – 50 euro, kurse në hotele me luksoze nga 100 deri ne 150 euro nata. Mali I Zi gjeneron shumë të ardhura nga turizmi (sidomos ai veror –deti) por turizmi malor (si ky dhe ai në Zhablak, janë qendra të njohura edhe për gara ndërkombëtar, që krijon perspektive dhe konkurrencë edhe turizmit veror.

2. E tash, pse i numërova këto detale nga ky qëndrim i imi në këtë qendër turistike, afër një qytezë të vogël në Mal të Zi? E para, sepse ne, Kosovë nuk mësojmë sa duhet nga të tjerët, nuk duam e as nuk dijmë! Edhe atë, që na ka dhuruar Zoti e natyra, në e degradojmë, nuk e shfrytëzojmë si duhet, apo edhe me keq vonohemi tepër, për të ndjek ritmin e zhvillimit dhe trendin e atyre që na rrethojnë, në rajon (Bullgari, Serbi, Maqedoni etj.) e mos të flasim për gjigantët evropiane si Zvicra, Austria, Franca, Gjermania, Norvegjia, Suedia e tjerë. E dyta, gjithmonë është thënë se Peja me rrethinë ka potencial të madh për zhvillim e turizmit. (Sepse fabrikat dhe industria u shiten për skrap dhe u shndërruan në salla dasmash, restorante e qendra tregtare!)

E vërtet, këtë askush se mohon, por në vrapin tonë (të pasluftës) për përfitime të grupeve dhe individëve, lejuam degradimin e mjedisit, së pari në qytet, e pastaj edhe përreth saj. U degradua skajshmërisht një pjesë e madhe e Rugovës, Boga është shembulli më keq i degradimit të natyrës së bukur. E tash të kthehemi të turizmi dhe kapacitetet natyrore që presin, presin me vite me dekada. Peja ëndërron mbi 50 vjet, që bjeshkën mbi qytet ta shndërroj në realitet në qendër turistike, në rekreacion, në biznes ne mundësi zhvillimi, në parajsë të natyrës. “BOREA” në bjeshkët e Kopranikut dhe bjeshkëve tjera që gravitojnë afër, është shansi.

Është mundësia për Pejën për Kosovën, që pak kush e ka, në Kosovë jo se jo, por shumë pak edhe në rajon. Ndoshta një ditë do të realizohet ëndrra. Ndoshta, por kaluan 20 vjet pas luftës, dhe u ndërruan shumë qeveri lokale e qendrore. Projektin e saj në fillim e penguan kisha serbe, e pastaj ushtria YU. E pas lufte vet ne, shqiptarët pse? Sepse Komuna “nuk” kishte mjete, qeveria kishte “prioritete” , por më së shumti inatet tona, të partive, të individëve!
Vitin e kaluar u pa një dritë në tunel. Pas sqarimit dhe bartjes së domosdoshme të pronësisë u inauguruar fillimi i punimeve për këtë investim shumë premtues, por ajo ceremoni mbeti disi e zbehtë pa “figura” që përkrahin së paku moralisht, nëse jo "me lekë.

"Mbeti përshtypja se me këtë projekt aq madhor po eksperimentohet me investitor të panjohur! (Ndoshta jam gabim). Por me habit fakti, pse Qeveria e Kosovës mbeti anash, pa pjesëmarrje, në një investim aq kapital, sikurse nga ajo e kaluara (drejtuar nga LDK-ja) ashtu edhe kjo megalomanja e autostradave miliardësh. Ne lidhje me këtë ndoshta relacioni Komunë – Qeveri nuk ka qenë edhe aq miqësore, ama potez me të qëlluar e me patriotike te qeverise se tashme se t’i ndante psh 35 (nga 58 milion euro) që iu falen fabrikave të ujit, nuk kishte me pas.

Ky investim, Pejën e Kosovën do ta bënin të njohur në rajon dhe më gjerë, (jo vetëm me autostradë!). Sepse investimet këtu do të ktheheshin shumë shpejt, nga fakti se kjo qendër turistike, kishte më qenë edhe bjeshkë për dimër, por më shumë bjeshkë për verë. 12 muaj të vitit ajo kishte me qenë aktive. Dhe fakti se nga qyteti që është në 510 metra lartësi mbidetare ngjitesh për 15-18 minuta në 1650 metra, pastaj me skilifte edhe deri 2400 metra tregon se çfarë mundësie të ofron ky projekt.  

Dhe pos regjionit të Pejës, mbarë Kosova do të orientohej këtu. Qytetarët e Shqipërisë nuk do të merrnin rrugën e Zhablakut apo Kollashinit 3- 5 orë me plot rreziqe (nëpër Moraçë), por do të vinin këndej nëpër rrafshinë për siguri me të madhe, por edhe udhëtim me të shkurt e më të rehatshëm. Ndoshta një ditë ëndrra do të bëhet realitet!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat