Lamtumirë Emin Dushullovci!

Skijim

Lamtumirë Emin Dushullovci!

Më: 1 nëntor 2020 Në ora: 11:42
Lamtumirë Emin Dushullovci!

Emin, vdekja nuk ka rend! Ajo është me pranë se këmisha! Të mori papandehur Ty, na la me dhimbje Ne! E more djal: çelik ishim kanë, me nëntëdhjetenentë lëkurë! Tërë jetën ia kushtove sportit. Kapitullin e jetës e mbylle në postin e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Skitare të Kosovës…

Me moshë të re hyre në një fushe të palëruar, siç ishte sporti universitar, për ta shndërruar atë në një institucion të fuqishëm përmasash ndërkombëtare…

Kujtojmë njezët klube me emrin e Universitetit… Vashat e Universitetit ishin ndër më të mirat në basketbollin evropian…  Aty ishin edhe klubet e tjera: hendbolli, volejbolli, atletika, skitaria, pingpongu, që u prinin me përkushtim punëtorët e dëshmuar të sportit – trajnerët më të mirë, që me klubet e tyre e bënë piskamë Evropën!

Këtë revolucion e  bënë të gjithë ata që ishin pjesë e Lidhjes së Organizatave të Kulturës fizike të Universitetit të Prishtinës… Aty ishe edhe ti, Hajrushi, Mija, Bujari, Ganiu… Isha edhe unë… Prijësit e dëshmuar, si Esad Stavileci, Isuf Dedushaj, Agim Zajmi, Jusuf Gacaferri e shumë të tjerë, na kanë frymëzuar, duke na dhënë çëlesin e suksesit, që në asokohe e quanim, me të drejtë, punë dhe vetëm punë…

Në këtë ekip të suksesit, ishe edhe Ti… Edhe në vitet e tetëdhjeta, edhe para luftës, edhe gjatë luftës, edhe pas saj…  Bashkë iu gëzuam lirisë së munguar me shekuj, iu gëzuam pavarësisë së Kosovës, që aq shumë e deshe!
Puna të ka mbajtur në jetë! Vuajtjet të kanë dhënë forcë! I mbete besnik sportit shqiptar të Kosovës… Deri në vdekje!.

Eu, bre, po ç’po na pakësohet e kositet brezi i flijimit! Kurrë nuk na u nda gazepi: as dje, as sot! Asnjëherë! Ata që janë sot në krye të sportit të Kosovës, e kanë përbuzur këtë brez, jo nga veprimi i qëllimshëm, por ngase (me gjasë) nuk i kanë njohur figurat e kësaj periudhe… 

Për fat të keq, sikur u lanë në udhëkryq, pa e pasur të qartë se nga t’ia mbajnë!?...

Sa ishim bashkë në misionin për zhvillimin e sportit universitar për vite të tëra, ndjekësve të fejsbukut sot, meqë s’u tha asnjëherë për të gjallë tëndin,  po ua shpalos disa mbresa, qe nuk i harroj kurrë. 
Kur me ftoje në zyrën tënde, e dija se do të na dhurosh pajisjet e reja sportive, të cilat na mbushnin plot gëzim…

Na ftoje edhe për të marrë paratë e udhëtimit që në shumë të caktuar i kishim edhe për ushqimin e sportistëve dhe jo vetëm…

Këtë rrëfim po e përmbyll me një kujtim që kurrë nuk do ta harroj… Ndodhi  kjo në udhëtimin e parë të skuadrës së volejbollit për të zhvilluar ndeshjen kundër Dobërçanit… Ishte gushti i vitit 1980… Bëmë një lojë shumë të mirë… Humbëm 3:2…  

Pas ndeshjes shkuam në një restorant për të ngrënë drekë…Porosita për të gjithë nga një gjysmë pitalke e pesë qofte! Kaq kishim mundësi… Kaq kishim mjete…

Kapiteni i skuadrës, Burim Karahoda, në emër të lojtarëve kishte kërkesë që të marrin edhe nga një gotë dhallë… 
Mund ta paramendoni se sa ngushtë e kisha ndier veten…

”Burim, me vjen shumë keq, por nuk kemi para më shumë se për pesë qofte e gjysmë pitalke!” 
Të gjithëve na pllakosi heshtja…
Emin Dushullovci… U prehesh në paqe! Kurrë nuk do të harrojmë!
Autori është Xhavit Kajtazi, gazetar i mirënjohur

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat