Pjerrtësia e shtegut

Skijim

Pjerrtësia e shtegut

Xhavit Kajtazi Nga Xhavit Kajtazi Më 15 shkurt 2022 Në ora: 11:42
Pamje nga një garë

Fjalori i skitarisë (2)

Nisja (starti). - Porta e nisjes është e gjerë 75 cm. Ka dy shkopinj, të cilët nguliten në lartësi prej 50 cm mbi sipërfaqen e borës.

Hapësira e nisjes (startit). - E rrethuar. Në të janë vetëm garuesit që startojnë, si dhe funksionarët përgjegjës. Për trajnerë, drejtues të ekipeve, për personelin shërbyes dhe për të tjerët sigurohet hapësirë e veçantë e rrethuar, që nuk mund të pengohet nga shikuesit. Ekziston strehimi dhe për garuesit, të cilët presin të startojnë më vonë.

Vendi i nisjes (startit). - Është i përgatitur në atë mënyrë që garisti të qëndrojë në te pa ngarkesa, në mënyrë që menjëherë pas nisjes të mund të arrij shpejtësinë e duhur.

Kryerja e nisjes (startit). - Garisti ngulit shkopinjtë në borë para vijës së nisjes ose vendi i shënjuar për atë qëllim. Mund të niset (startojë) vetëm me ndihmën e shkopinjve. Nuk lejohet shtytja nga porta e nisjes e as guxon të pranojë ndihmën e kujtdo qoftë.

Shenja e nisjes (startit). - Startuesi (shenjëdhënësi) 10 sekonda para nisjes jep shenjën: “kujdes”. Pesë sekonda para nisjes, numëron: 5, 4, 3, 2, 1 dhe më pas jep shenjën “NISU” (go, los...), ose shfrytëzohet shenja automatike kompjuterike. Garistët nisen në largesa të njëjta prej nga 60 sekonda.

Mirë-gabim. - Garisti niset pas shenjës “NISU”- kjo është nisje e rregullt. Mirëpo, koha e kalimit të vijës së nisjes është e rregullt edhe në tolerancën prej 3 sekondash para ose pas kohës së nisjes.

Tejkalimi. - Garisti i cili tejkalohet nga garisti tjetër menjëherë liron shtegun.

Mbërritja (caku).- Vija e mbërritjes është e shënuar me mullarë që janë të lidhur me bez, në të cilin shkruan: mbërritje (caku). Gjerësia e cakut nuk guxon të jetë më e vogël se 15 metra.

Hapësira përreth mbërritjes (cakut). - E hapur, e shikueshme, e gjerë, me rrjedhë të gjatë përfundimi. Përfundimi (përmbyllja) është i përgatitur posaçërisht dhe i rrafshuar në mënyrë që të mundësojë ndalimin e lehtësuar. Hapësira përreth mbërritjes është e rrethuar. Brenda rrethojës u ndalohet qëndrimi personave të paautorizuar.

Me të dyja këmbët.- Garisti përshkon të gjitha portat duke kaluar vijën ndërmjet pjesëve të brendshme të flamujve me të dyja këmbët. Garisti ka përfunduar garën kur të dyja këmbët kalojnë vijën e mbërritjes (cakut).

Një ski. - Garisti mund ta përfundojë garën vetëm me një ski

Rrëshqitja e sërishme (e përsëritur). - Garisti mund të kërkojë rrëshqitjen e sërishme nëse në shteg e kanë penguar udhëheqësit, shikuesit ose shtazët. Ose, nëse garisti paraprak është rrëzuar dhe nuk e ka liruar shtegun menjëherë, ose nëse e ka lënë shkopin në shteg. Rrëshqet sërish, po ashtu, nëse garisti pararendës ka rrëzuar portën e ajo nuk është rivendosur. E bën atë edhe nëse aksioni i ndihmës së parë e ka penguar garistin. Ose për shkak të ndërprerjes së punës së aparatit të matjes së kohës etj. Nëse koha në rrëshqitjen e dytë është më e dobët se në të parën, konsiderohet e vlefshme koha e arritur në rrëshqitjen e dytë (të sërishme).

Matja e kohës. - Gjatë matjes elektronike, matet ajo kohë në mbërritje kur garisti ta kalojë vijën e mbërritjes ndërmjet mullarëve me cilëndo pjesë të trupit ose të pajisjes (me ç’rast ndërpret kontaktin elektronik). Gjatë matjes mekanike, kur shputa e parë e garistit kalon vijën e mbërritjes.

Këshilli i garave. - Udhëheqësi i garave. Shefi i shtegut. Shefi i gjyqtarëve të portave. Shefi i matjes së kohës dhe i përllogaritjes së rezultateve. Sekretari i garave. Anëtarët e tjerë janë ata që i përcakton organizuesi.

Gjyqtarët e portave. - Mbikëqyrin portat e kontrollit. Ata vetë i kthejnë në gjendje të rregullt portat para arritjes së garistit vijues. Largojnë shikuesit nga shtegu. Rrafshojnë vendet e parrafshuara dhe ato të dëmtuara pas ndonjë rrëzimi. Në pyetjet e garistëve mund të përgjigjen me vetëm këto dy fjalë: “vazhdo” ose “tutje” - nëse garisti e ka kaluar (përshkuar portën pa gabime) - ose “kthehu”, nëse garisti duhet shkualifikuar. Gjyqtari nuk guxon të jep shpjegime mbi shkualifikimin, pos nëse atë e kërkon mënyra zyrtare.

SLLALLOMI

Garistët e disiplinës së sllallomit, përshkojnë shtegun e shenjëzuar me porta qift të rreshtuara (vendosura) në shpat, me ndryshim lartësie (prej 120 deri në 220 metra) një e katërta e së cilës ka mbi 30 shkallë. Garat mbahen në dy rrëshqitje, prej të cilave rrëshqitjet kryhen në shtigje të posaçme, ndërsa rezultati përfundimtar në të dy rrëshqitjet përcakton renditjen e përgjithshme.

Ndryshimi i lartësisë i saktë. - Në Lojërat olimpike dhe në kampionatet botërore, për meshkuj, 120-220 metra, ndërsa për femra, 120-180 metra. Në garat e tjera ndërkombëtare: për meshkuj, 140-200, ndërsa për femra prej 120-180 metra.

Pjerrtësia e shtegut. - Mesatarisht midis 20 dhe 27 shkallë, përkatësisht midis 33 dhe 45 shkallë. Në drejtimet më të shkurtra mund të arrijë edhe 30 shkallë, përkatësisht 52 shkallë.

Shtegu ideal. - Ka shumë ndërrime të drejtimit në mënyrë që garisti të mund të arrijë shpejtësinë më të madhe krahas hovjeve të kryera saktësisht (duke pasur parasysh se sllallomi ka për qëllim të mundësojë hovje të shpejtë e të pësosur në çdo çast). Gjatësia e shtegut (jozyrtarisht) është afro 600 metra.

Përgatitja e shtegut. - Shtegun, së pari, duhet shkelur me këmbë në tërësi. Gjatë natës, kur të ngrihet, duhet rrasur me ski. Sipas rregullave të reja duhet të përgatitet me përdorimin e ujit (dhe përgjatë shtegut vendoset ujësjellësi), në mënyrë që të gjithë garistët të kenë të njëjtat kushte të rrëshqitjes, ngase vetëm kështu mundësohet shtegu i fortë. Thelbësore është që bora të jetë sa më e fortë.

Portat. - Dy purteka (shkopinj) të forta cilindrike dhe të njëjta (diametri 3-4 centimetra). Kur të nguliten në borë, mbi sipërfaqe janë në lartësi prej 180 centimetrash. Gjerësia e portave është të paktën 4 metra, ndërsa më së shumti 5 metra.

Largësia. - Largësia ndërmjet dy portave është të paktën 75 centimetra, ndërsa më së shumti 15 centimetra.

Purtekat (shkopinjtë). - Prej druri ose plastike. Të kaltra e të kuqe.

Porta pingule. - Kur purtekat në shpat janë të vendosura njëra mbi tjetrën.

Porta horizontale. - Kur purtekat janë të vendosura njëra pranë tjetrës (por, që në të dy rastet largësia ndërmjet purtekave është 4 deri në 5 metra).

Numri i portave. - Për meshkuj, të paktën 55, më së shumti 75. Për femra, të paktën 45, më së shumti 60.

Numrat e portave. - Pos portave të nisjes dhe të mbërritjes, të tjerat janë të shënuara me numra, të ngjitur në anën e jashtme të purtekës.

Parapëlqimi (porosia). – Porta e fundit nuk vendoset shumë afër mbërritjes në mënyrë që të shmanget rreziku për garistë, për matës të kohës dhe që të mbrojë stabilimentet e matjes. Zakonisht është e vendosur ashtu që garisti nëpër të dhe në mbërritje të kalojë me shpejtësi të plotë.

Kombinimet e rënda (ndërlikuara). - Vendosen në mes të shtegut, asnjëherë në fillim dhe në mbarim.

Skitë. - Gjatësia: 200-210 centimetra. Gjerësia: 7-8 centimetra. Sipas FIS-it

Lidhëzat. - Skitë e forcuara për këmbë (këpuce) me lidhëza sigurive, të cilat me rastin e rrëzimit hapen automatikisht.

Këpucët. - Këpucët e sllallomit (si dhe të disiplinave të tjera alpine), janë bërë blinduese të njëmendta për shputat e këmbëve, por njëherësh këtë lloj të skijimit e kanë bërë dukshëm më pak të rrezikshëm se më parë. Rregulla mbi pamjen e këpucëve, sipas FIS-it.

Te veshurat. - Sipas rregullave te FIS-it.

Shkopinjtë. - Gjatë gjarpërimit të shpejtë nëpër kthesa, skiatori shërbehet me shkopinj në mënyrë që, duke i ngulitur në borë, të fitojë impulsin përkatës për kthesë. Impulsi i tillë fitohet edhe me bartjen e peshës së trupit nga njëra ski në skinë tjetër.

Pararrëshqitësit. – Numri i tyre caktohet në mbledhjen e drejtuesve të ekipeve. Pararrëshqitësit duhet të jenë garistë të rinj të shkëlqyeshëm ose garistë zëvendësues. Ata e përshkojnë shtegun në frymën garuese në mënyrë që garistëve t’ua ‘vizatojnë’ trasenë e mirëfilltë. Nuk u lejohet t’i njoftojnë garistët mbi kushtet e borës në shteg.

Para garave. - Rrëshqitja në afërsi të portave ose nëpër to para garave ndëshkohet me shkualifikim. Garisti mund ta shikojë shtegun vetëm duke ecur përgjatë shpatit.

Porta e nisjes. - E gjerë 75 centimetra. Përbëhet prej dy shkopinjve me lartësi prej 50 centimetra mbi borë.

Hapësira e nisjes (startit). – E rrethuar. Në të janë vetëm garistët që startojnë si dhe udhëheqësit përgjegjës për trajnerë, drejtues të ekipeve, për personelin shërbyes dhe për të tjerët sigurohet hapësirë e rrethuar posaçërisht, që nuk pengohet nga shikuesit. Ekziston edhe vendstrehimi për garistët që presin të nisen.

Vendi i nisjes (startit). - I përgatitur ashtu që garisti qëndron në të pa ngarkesë, lirshëm dhe që pas nisjes të mund të arrijë shpejtësinë e nevojshme.

Kryerja e nisjes. - Garisti ngulit shkopinjtë në borë para vijës së nisjes ose në vendin e shënuar për këtë qëllim. Mund të niset vetëm me ndihmën e shkopinjve. Nuk mund të shtyhet nga porta e as që lejohet të pranojë ndihmën e kujtdo qoftë.

Nisja. - Garisti niset në largësi të pacakatuara. Startuesi nuk pret që garisti paraprak të kalojë cakun.

Shenja e nisjes (startit). - Shenjëdhënësi (sapo merr urdhrin për nisjen vijuese) garistit i jep shenjë duk shqiptuar fjalën “kujdes”, e pas disa sekondash shenjën e nisjes: “rrëshqit”, “nisu”, “go”. “los”).

Nisje e gabuar. – Garisti i cili nuk është nisur pas shenjës së nisjes shkualifikohet.

Mirë-gabim. - Nisja e garistit në shenjën e nisjes është e rregullt. Mirëpo, koha e kalimit të vijës së nisjes vlen po qe se bëhet në tolerancë prej 3

sekondash para ose pas kohës së nisjes.

Rregulli kryesor për garistin. - Që të mbajë shpejtësinë e nëjtë të cilën e ka pasur në fillim të hyrjes në kthesë, përkatësisht në portë pas kthesës së përfunduar dhe kalimit të portës.

Huqja e portës. - Shkualifikohet garisti që e huq portën dhe njëherit nuk guxon të vazhdojë rrëshqitjen drejt përballimit të portave të tjera vijuese. Ai, gjithashtu, humb të drejtën e paraqitjes në rrëshqitjen e dytë.

Rirrëshqitja (rrëshqitja e sërishme). – Lejohet po qe se garistin e kanë penguar të shteg përgjegjësit, shikuesit ose shtazët. Para se të merret vendimi për këtë, mund të lejohet rrëshqitja me kusht.

Mbërritja (caku). - Vija e mbërritjes është e shënuar me mullarë që janë të lidhur me bez në të cilin shkruan: mbërritja (caku). Gjërësia e vijës së mbërritjes është 10 metra.

Hapësira përreth mbërritjes (cakut). - E hapur, e shikueshme, e gjerë, me rrjedhë të gjatë përfundimi. Përfundimi (përmbyllja) është i përgatitur dhe i rrafshuar posaçërisht në mënyrë që të lehtësojë ndalimin e lehtësuar. Hapësira përreth mbërritjes është e rrethuar. U ndalohet qëndrimi personave të paautorizuar.

Me të dyja këmbët, një ski. - Garisti mund ta përfondojë garën vetëm me një ski. Të gjitha portat dhe vijën e mbërritjes duhet t’i përballojë e ta përshkojë me të dyja këmbët.

Matja e kohës. - Gjatë matjes elektronike, matet ajo kohë në mbërritje kur garisti ta kalojë vijën e mbërritjes ndërmjet mullarëve me cilëndo pjesë të trupit ose të pajisjes (me ç’rast ndërpritet kontakti elektronik (... gjatë matjes mekanike - atëherë kur shputa e parë e garistit kalon vijën e mbërritjes.

(Vijon)

Autori ka qenë redaktor i sportit dhe është botues i disa librave sportivë 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat