Performancë pozitive e skiatorit shqiptar, Deni Xhepa, në garën e sllallomit special në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, pasi që u ndal në vendin e 28-të mes 88 pjesëmarrësve.
Xhepa i realizoi me sukses të dyja provat, teksa në të parën shënoi kohën e 34-t më të mirë, 58.32 duke u renditur mes 44 më të mirëve që do të vijonin më tej garën.
Në zbritjen e dytë, Xhepa dha kohën 54”96, duke u renditur në vendin e 28-të, një rezultat mjaft i mirë për Shqipërinë në këtë Olimpiadë dimërore. Koha e tij ishte +9”19 nga vendi i pare, që i përket francezit Klement Noel (medalje ari).
Në garën e sllallomit gjigant të zhvilluar pak ditë më parë, Xhepa nuk arriti ta përfundonte garën, pasi u rrëzua dhe u eliminua. Denni Xhepa është përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Olimpiadën dimërore “Pekin 2022".