Gjerësia e shtegut të rrëshqitjes 

Skijim

Gjerësia e shtegut të rrëshqitjes 

Nga: Xhavit Kajtazi   Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 13:17
Xhavit Kajtazi  

Fjalori I Skitarisë (3)
Këshilli i garave. - Udhëheqësi i garave, shefi i shtegut, shefi i gjyqtarëve të portave, shefi i matjes së kohës dhe i përllogaritjes së rezultateve, sekretari i garave, anëtarët e tjerë, të cilët i cakton organizuesi.
Gjyqtarët e portave. - Funksion tejet i rëndësishëm, me përplot përgjegjësi dhe vetëmohim, prej të cilit varet rrjedha pa pengesa dhe e mirëfilltë e garave të sllallomit.

Udhëzimet e posaçme. - Gjyqtari në mënyrë të patjetërsueshme duhet t’i njohë të gjithë paragrafët e garave të sllallomit. Kujdesin më të madh ua kushton këmbëve të garistit gjatë kalimit nëpër porta. Me rastin e rrëzimit i kushton kujdes në mos garisti pranon ndihmën e huaj (pasi që edhe ndihmesa më e vogël i shkakton shkualifikimin). Shikon rrëshqitjen edhe përmes portave që gjenden mbi ose nën portën e tij, në mënyrë që në rast të konstestit të jetë dëshmitar i rëndësishëm.
Detyrat e tjera. - Zëvendëson purtekat e thyera. Meremeton pjesët e shtegut të rrëshqitjes që janë nën mbikëqyrjen e tij. Drejton purtekat e rrëzuara.

Ndërprerja. - Gjyqtari i portave - nëse garisti shkel rregullat - shqipton shkualifikimin. Madje, mund të kërkojë edhe ndërprerje të shkurtër të garës në mënyrë që të analizojë shenjat (gjurmët) në shtegun e rrëshqitjes ose gërrvishjet në purteka..., por prore sipas parimit: më mirë që gabimi të mbetet pa ndëshkim sesa të shqiptohet ndëshkimi gabimisht.

Veglat e punës. - Të gjithë gjyqtarët e portave janë të pajisur me vegla të thjeshta të punës, me të cilat mund të riparohen e rregullohen gropëzat dhe vendet jo të rrafshta pas rrëzimeve. Të paktën nga një lopatë për tre gjyqtarë për riparimm të dëmtimeve të theksuara në shtegun e rrëshqitjes.

Personat e tretë. - Gjyqtarët rreptësisht kontrollojnë në porta  që personat e tretë mos t’i pengojnë garistët (ndryshe shikuesit janë të larguar nga shtegu, me rrethojë të posaçme, të paktën tri metra).
Tutje - prapësohu. - Nëse garisi ka bërë gabim, gjyqtari e qorton me “prapësohu”, në çdo rast tjetër thotë “tutje”. Janë këto dy fjalë të vetme që gjyqtari guxon t’i thotë nëse garisti e pyet diçka. Rregullat kërkojnë jetësimin e përpiktë.

SLLALLOMI I MADH

Garisti e përshkon shtegun e rrëshqitjes përmes kombinimit të lëshimit dhe të sllallomit, krahas shpjetësisë më të madhe. Terreni është me valëvitje të theksuar me shumë pjesë jo të rrafshta. 
Ndyshimi i lartësisë. - Shumë më i madh se në sllallom, e më i vogël se në lëshim. Për meshkuj - të paktën 250 metra, më së shumti 500 metra; për femra - të paktën 250 metra, më së shumti 350 metra. Për kupën botërore - minimumi është 300 metra, ndërsa maksimumi 400 metra, për meshkuj.

Shtegu i rrëshqiptes. - I përgatitur si për lëshim, ndrësa pranë portave është i rrrahur si në sllallom. Parapëlqehet që me rastin e përpunimit së më shumë të shfrytëzohet gjërësia e shpatit, e që portat të vendosen ashtu që të mundësojnë gjarpërim, përkatësisht ndërrimin e kthesave të shkurtëra, të mesme dhe të gjata.

Përgatitja e shtegut të rrëshqitjes. - Si për lëshim. Pjesa e shtegut ku vendoset porta e kontrollit dhe ku ndërrohet drejtimi, si për sllallom.

Gjerësia e shtegut të rrëshqitjes. - Të paktën 30 metra.

Portat e sllallomit të madh. – Nga dy purteka në të cilat janë të ngjitur flamujt me madhësi 75x50 centimetra, të ngjyrosur ose kuq ose kaltër, por me trase tërthore me ngjyrë të bardhë. Skaji i poshtën i flamurit qëndron mbi borë një metër.

Numri i portave. - Me rastin e vendosjes duhet përfillur cilësitë kryesore të terrenit. Numri i portave kap shumën prej 15 për qind të ndryshimit të lartësisë me tolerancë plus, minus pesë. Parimisht: të paktën 30 porta (për femra ndërmjet 30 dhe 35), duke mos llogaritur ato në nisje dhe në mbërritje. Gjerësia më e vogël 4 metra, e më e madhe 8 metra. Largësia midis purtekave më të afërta të dy portave fqinje nuk është më e vogël se 5 metra.

Shikueshmëria. - Kur shikueshmëria është e dobët, flamujt në anën e majtë janë të kuq, ndërsa në të djathtën të gjelbër (kaltër).

Porosi. - Porta e fundit nuk vendoset shumë afër mbërritjes për t’u shmangur rreziku për garistët, matësit e kohës dhe për t’u mbrojtur aparatura e matjes. Zakonisht vendoset ashtu që garisti nëpër to dhe në mbërritje rrëshqet me shpejtësi të plotë.
Kombinimet e rënda. - Vendosen në mes të shtegut, asnjëherë në fillim dhe në fund.
Veçoria e posaçme. - Në mënyrë të ndërsjellë - kthesat e mëdha, të mesme dhe të voga në sllallom të madh. Nuk lejohet vendosja e portave në drejtim të shpatit. Ndyshimi mesatar i lartësisë ndërmjet portave është të paktën 8 metra, ndërsa largësia minimale 10 metra.

Një ditë stërvitje. – Terreni i zgjedhur për sllallom të  madh duhet të jetë i përgatitur ashtu që garisti të mund të ushtrojë në të të paktën një ditë – me qëllim të njohjes së shtegut. Mirëpo, shtegu mbetet i mbyllur ditën e garave deri te koha e nisjes.
Ndalohet. – Pas vendosjes përfundimtare të portave (të paktën dy orë para garave), garistët mund të studiojnë shtegun vetëm duke u ngjitur me ski ose duke zbritur afër shtegut me shpejtësi deri mesatare (të matur). Skualifikohet ai i cili me atë rast kalon nëpër portë ose kryen kthesa paralele krahas me portat e vendosura.
Skitë. – Gjatësia 212-215 centimetra, ndërsa gjerësia 7-8 centimetra.

Pararrëshqitësit. – Të paktën tre pararrëshqitës duhet të jenë të gatshëm të kalojnë shtegun në frymë gare, ndërsa të paktën dy të hapin garat. Nuk kanë të drejtë dhe u ndalohet t’i njohin garistët mbi kushtet e shtegut, pos anëtarëve të jurisë, të cilëve janë në obliguar t’u japin shpjegime të duhura.

Nisja (starti). – Porta e nisjes (startit) është e gjerë 75 centimttera. Përbëhet nga dy shtylla të gjata 75 centimetra.
Hapësira e nisjes (startit). – E rrethuar. Nën të janë vetëm garistët që nisen dhe drejtuesit përgjegjës. Për trajnerë, udhëheqës të ekipeve, për personelin shërbyes dhe për personat e tjerë sigurohet hapësirë e posaçme e rrethuar, që nuk pengohet nga shikuesit. Ekziston edhe strehimorja për garistët që presin të nisen.

Vendi i nisjes (startit). – I përgatitur ashtu që garisti qëndron në te lirshëm, pa ngarkesë dhe që pas nisjes shpejt mund të arrijë shpejtësinë e duhur.

Kryerja e nisjes (startit). – Garisti ngulit shkopinjtë në borë para vijës së nisjes ose në vendin e shënuar për këtë veprim. Ka të drejtë të niset vetëm duke u ndihmuar me shkopinj. Nuk ka të drejtë të shtyhet nga porta e nisjes as që ka të drejtë të kërkojë apo të lejojë ndihmën e kujtdoqoftë.

Shenja i nisjes (startit). - Secilit garist shenjëdhënësi, në 10 sekondat para nisjes i jep shenjën “kujdes!”. Pesë sekonda para nisjes numëron: 5, 4, 3, 2, 1 dhe pastaj jep shenjën “nisu”, ose “rrëshqit” (go, los), ose shfrytëzohet shenja automatike fonike.
Largesat nisëse. – Garistët nisen në largesa të paktën prej një minute.

Mirë – gabim. – Garisti niset në shenjën e nisjes – kjo është nisje e rregullt. Mirëpo, koha e kalimit të vijës së nisjes vlen edhe në tolerancën prej 3 sekondash, ose pas kohës së nisjes. Më shumë se 3 sekonda para nisjes zyrtare – shkaktojnë shkualifikimin. Ndërsa më shumë se 3 sekonda pas nisjes zyrtare matet sikur të jetë nisur 3 sekonda pas kohës së nisjes.
Mbërritja (caku). – Vija e mbërritjes është e shënuar me mullarë të lidhur me bez në të cilin shkruan: mbërritja (caku). Gjerësia e mbërritjes është 10 metra.

Hapësira përreth mbërritjes. – E pashme, e gjerë, me rrjedhë të gjatë e të volitshme në mënyrë që t’u mundësojë garistëve ndalje të lehtësuar. Hapësira përreth mbërritjes është e rrethuar. Nuk u lejohet qëndrimi personave të paautorizuar.
Rirrëshqitja (rrëshqitja e sërishme).- Garisti mund ta kërkojë (si edhe në disiplinën e sllallomit) po qe se atë në shteg e kanë penguar përgjegjësit, shikuesit ose shtazët. Ose, nëse garisti para tij është rrëzuar dhe nuk e ka lëshuar shtegun menjëherë, ose nëse e ka lënë shkopin në shteg. E bën atë edhe nëse garisti para tij  rrëzon portën dhe ajo nuk është rivendosur, ose nëse aksioni i ndihmës së parë e ka penguar garistin. E njëjta gjë mund të bëhet edhe nëse kohëmatësi ndërpret punën e tij... Nëse koha në rrëshqitjen e dytë është më e dobët se në të parën, konsiderohet e vlefshme koha e arritur në rrëshqitjen e përsëritur.

Këshilli i garave. – Udhëheqësi i garave, shefi i shtegut, shefi i gjyqtarëve të portave, shefi i matjes së kohës dhe i përllogagritjes së kohës (rezultateve të garistëve). Anëtarët e tjerë i cakton organizuesi.
Gjyqtarët e portave. – Mbikëqyrin portën e kotrollit. Ata, vetë, i vënë në rregull portat para ardhjes së garistit tjetër. Largojnë shikuesit nga shtegu. Rrafshojnë vendet e parrafshuara dhe lugjet e rrezikshe të krijuara pas ndonjë rrëzimi etj...

Tutje – prapësohu . – Në pyetjet e garistëve mund të përgjigjen vetëm një herë me dy fjalë, si vijon: “tutje” (nëse garisti e përshkon portën pa gabim) dhe “prapësohu” (nëse garisti duhet të shkualifikohet). Mirëpo, gjyqtari nuk guxon të japë shpjegime mbi shkualifikimin, pos me kërkesën zyrtare të jurisë së garave.

Parimi për gjyqtarët e portave. – Më mirë është që gabimi të mbetet i pandëshkuar, sesa që të shqiptohet dënimi i gabuar.
(Vijon)

Autori ka qenë redaktor i sportit dhe është botues i disa librave sportivë

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat