​​​​​​​Disiplinat Nordike

Skijim

​​​​​​​Disiplinat Nordike

Nga: Xhavit Kajtazi Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 11:34
Xhavit Kajtazi

Fjalori i skitarisë (4)
Vrapimet me ski - Ndryshimi i lartësisë. – Ndërmjet pikës më të lartë dhe më të ulët në shteg ndryshimi i lartësisë më së shumti është 150 metra (në garat e femrave në 10 kilometra), përkatësisht 250 metra (në garat e meshkujve në 15 e më shumë kilometra).

Shtegu i vrapimeve me ski. – Është i përgatitur në atë mënyrë që të jetë i përshtatshëm për vlerësimin e aftësive teknike, taktike dhe lëvizore të garistëve. Shkalla e vështirësisë së shtegut i përshtatet rëndësisë së garave.
Mali. – Shtegu të vendoset sa më shumë nëpër mal.

Porosi. – Gjatë caktimit të shtegut duhet shmangur përpjetat e rënda në kilometrat e parë dhe tatëpjetat e gjata në ato të fundit. Duhet shmangur ndërprerjet e ritmit, ndërrimet e papritura dhe të ashpra të drejtimit, ose (shpesh), përpjetat që vështirë përballohen.

Parim. – Shtegu përmban një të tretën rrafshtë, një të tretën përpjetë dhe një të tretën tatëpjetë. Pjesa e parë e shtegut më e lehtë, ndërsa pjesa më e vështirë në mes – në pjesën e tretë të shtegut.

Lartësia e shtegut. – Duhet shmangur vendosja e shtegut në lartësinë mbidetare mbi 1.500 metra.
Gjatësia e shtegut. – Për seniorë: 10, 15, 30 dhe 50 kilometra. Për seniore: 5 dhe 10 kilometra.
Shenjëzimi i shtegut. – Shenjëzimi bëhet prore në drejtim të vrapimit me ski. Kjo bëhet me tabela, shigjeta të drejtimit të vrapimit, flamuj dhe shirita.

Ngjyrat. – Shtigjet shenjëzohen me ngjyra të ndryshme. Fermat: vrapimi në 5 kilometra – kaltër, 10 kilometra dhe 20 kilometra- vjollcë, stafeta 3 ose 4x5 kilometra – kuq-kaltër. Meshkujt: vrapimi në 15 kilometra – kuq, 15 kilometra për kombinim nordik – gjelbër, 50 kilometra – portokalli, 30 kilometra – verdh, stafeta 3 ose 4x10 kilometra – gjelbër-verdh.
Vendrreziqet. – Janë të shenjëzuara me flamuj të verdhë.

Numrat. – Tregojnë shtegun e kaluar në kilometra. Ata vendosen në çdo një kilometër.
Ndërrimi i drejtimit. – Ekzistojnë shigjeta të cilat shihen qartë, që tregojnë drejtimin e vrapimit me ski.
Gjerësia e shtegut të vrapimit. – Kërkohet gjerësia për të ashtuquajturën rrëshqitje dygjurmëshe.

Largësia. – Ndërmjet gjurmëve të rrëshqitjes (nëse shtegun e rregullon makina), largesa është prej 12 deri në 18 centimetra në rrafsh, dhe 8 deri në 12 centimetra në përpjeta.

Vendkëndelljet. – Një vend për këndellje – në nisje dhe në mbërritje për garuesit në vrapimin deri në 15 kilometra, dy vendkëndellje – deri në 30 kilometra, katër vendkëndellje - deri në 50 kilometra. Janë në vendosura ashtu që garuesi mund t’i shfrytëzojë pa humbur kohë.

Përgatitja. – Disa skiatorë me ski të gjëra para garave shkelin dhe rrasin borën përgjatë tërë shtegut në gjerësi prej pesë metrash; po kjo punë bëhet edhe me ski të ngushta, Mirëpo, kjo tashmë bëhet edhe me makina speciale për këtë sport.
Skitë. – Të gjata prej 200 deri në 220 centimetra – varësisht nga gjatësia e garuesit. Gjerësia rreth 4.5 centimetra. Të lehta, elastike, të forta. Më së shpeshti bëhen me shtresa të holla të drurit të ngjitur, e pastaj mvishen me masë sintetike.
Lidhëzat. – Lidhin majat e këpucëve me ski, që e mundësojnë ngritjen e lirshme të thembrës, që në vrapim me ski është veti e rëndësishme.

Shkopinjtë. – Me rëndësi është që të jenë të lehtë. Gjatësia e shkopit varet nga gjatësia e garuesit – arrijnë deri në nënsqetulla të garuesit (pra deri në 150 centimetra).

Lubrifikatet (mjetet për lyerje). – Me qëllim të vrapimit më të lehtësuar (sidomos në përpjetëz), skitë e vrapimit në anën e poshtme lyhen me mjete për lyerje – që ndryshe quhen edhe lubrifikate. Këto, shpesh, janë rekuiziti vendimtar, ngase garuesit i mundësojnë rrëshqitje më të shpejtë, por edhe shprehje të vetëbesimit.

Llojet e mjeteve për lyerjen e skive. – Sipas dedikimit, lubrifikatet ndahen në të ngurta (për borën e terur) dhe në të buta (për borën e lagësht dhe të saporeshur, si dhe për borën me përbërje të ndryshueshme). Janë të mundshme edhe kombinimet, që janë me qindra.

Shenjëzimi i skive të vrapimit. – Pak para nisjes, me qëllim të parandalimit të ndërrimit të skive gjatë kohës së garave, bëhet shenjëzimi i skive. Garisti, me numrin  e nisjes shkon deri te vendi për shenjëzimin e skive. Në kampionatet botërore në ski lyhet ngjyra e caktuar, por edhe numri i nisjes së garistit.

Stërvitja. – Dy ditë para garave zyrtare, shtegu hapet për stërvitje.
Renditja e disiplinave në LO. – Meshkujt: 1. 30 kilometra, 2. 15 kilometra. 3. stafeta 4x10 kilometra, 4. 50 kilometra. Femrat: 1. 5 kilometra, 2. 10 kilometra, 3. 4x5 kilometra.

Nisja dhe mbërritja (starti dhe caku).- Dy mullarë të vendosur pingul. Gjatë matjes elektronike, porta e nisjes është në vijën e nisjes, ndërsa fotofinishi në vijën e mbërritjes.
Njëri pranë tjetrit. – Nisja dhe mbërritja – në lartësi të njëjtë (zakonisht), njëri pranë tjetrit.
Numrat e nisjes (startit). – Numra që vendosen në gjoksin dhe në shpinën e garistëve. Të pashëm. Nuk lejohet ndërrimi i madhësisë, i formës e as i mënyrës së ngjitjes.

Ardhja në nisje (start). – Dhjetë sekonda para nisjes, shenjëdhënësi tërheq vëmendjen me fjalën “veni re”. Fillon të numërojë pesë sekonda para nisjes: 5, 4, 3, 2, 1 dhe jep shenjën “nisu” (go, los...). Me rastin e matjes elektronike shfrytëzohet shenja tonike (në vend të fjalës “nisu”).

Qëndrimi nisës. – Këmbët e garistit ndodhen pas vijës së nisjes, ndërsa shkopinjtë para vijës.
Nisja e parakohshme dhe e vonuar. – Nëse garisti niset tre sekonda para ose pas kohës së caktuar (e përdoret matja elektronike), atëherë nisja është e rregullt... Nëse është nisur më shumë se tre sekonda para kohës së nisjes, nisja është e gabuar. Po qe se është vonuar më shumë se tre sekonda, nisja është e rregullt.

Garat. – Garisti përcjell shtegun e shënuaer duke kaluar dy kontrolla, të paktën me njërën ski të shënuar. Nuk lejohet kurrfarë ndihme (shfrytëzon ekskluzivisht aftësitë e veta fizike).

Ndërrimi i rekuizitave. – Lejohet gjatë garës së vrapimit ndërrimi i të dy shkopinjve, por vetëm i një skie. Skitë mund të lyhen, por pa ndihmën e të tjerëve. Lejohet ndihma gjatë përdorimit të lubrifikatit, nxehses, por edhe për riaftësim.
Tejkalimi. – Kur njëri garist arrin tjetrin, ai që rrëshqet më ngadalë liron shtegun në ftesën e parë.
Vendkontrollet. – Duhen të paktën dy kotrollues në secilin vendkontroll. Ata evidencojnë secilin garist i cili kalon pranë tyre.
Hyrja në mbërritje (cak). – Ekzistojnë dy palë gjurmë paralele të rrëshqitjes në gjatësi prej 200 metrash.
Kalimi nëpër mbërritje (cak). – Matet këmba e parë që kalon vijën e mbërritjes. Gjatë matjes elektronike me këtë rast ndërpritet kontakti.

Rezultati. – Ndryshimi ndërmjet kohës në nisje dhe në mbërritje. Kur dy garistë arrijnë kohë të njëjtë, zënë të njëjtin vend në renditje, mirëpo garisti me numër më të vogël do të shënohet para atij me numër më të madh.
Nuk ka redord të shtegut. – Pasi që shtegu për çdo vit ndryshon (por edhe për shkak të asaj se as cilësia e botës nuk është prore e njëjtë dhe e cilësisë, por edhe e llojit të njëjtë), në vrapimet me ski nuk ka rekorde.

Ekipi teknik. – Këshilli i garave përfshin udhëheqësin e garave (si kryetar i këshillit mbikëqyr përgatitjen dhe rrjedhën e garave), sekretarin e garave, shefin e shtigjeve (i përgjigjen shefi i kotrolluesve dhe shefi i nisjes), shefin e kohëmatësve, shefin e përllogaritjes së rezultateve, shefin e shërbimit për mbajtjen e rendit... por mund të emërohen edhe udhëheqës të tjerë. Aty është edhe juria e garave, pastaj delegati teknik.

KËRCIMET ME SKI

Kërcimet me ski kryhen në kërcimoret 70 dhe 90 metërshe. Kërcyesi (garuesi) gjatë fluturimit nuk i bashkon (puthitë) skitë, por i mban të hapura në formë të germës “V” me maja paksa të ngritura.
Kërcimorja. – Për ndërtimin e kërcimores ekzistojnë parakushte tejet të përpikta, të cilave duhet t’u përmbahemi në mënyrë që ato të jenë të përshtatshme për gara.

Norma –pika. – Nuk duhet assesi ta kalojnë gjatësinë e përcaktuar nga drejtuesit e garave. Në rast se ndodh, atëherë merren masa në shkurtimin e gjatësisë së pirgut të vrullit.

Dy kërcimore. – Janë dy kërcimore që duhet pasur në dispozicion për Lojërat Olimpike dhe Kampionatet Botërore: njëra është me normë-pikën prej rreth 70 metrash, ndërsa e dyta ndërmjet 85 dhe 90 metrash. Ndryshimi ndërmjet dy kërcimoreve është të paktën 15 metra.

Kombinimi nordik. – Për garat e kombinimit nordik shfrytëzohet edhe kërcimorja 70-metërshe.
Instrumentet. - Në kërcimoret mbi 80 metra janë të obligueshme instrumentet për matjen e shpejtësisë së vrullit, por edhe për drejtimin e erës.
Autori ka qenë redaktor i sportit dhe është botues i disa librave sportivë

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat