Tahiri: Ishte gara ime e veçantë e lëshimit dhe ditëlindja

Skijim

Tahiri: Ishte gara ime e veçantë e lëshimit dhe ditëlindja

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 13:45
Albin Tahiri

Albin Tahiri ka përfunduar edhe garën e lëshimit në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang2018. 

Skitari ynë zuri vendin e 50-të nga 57 garues, pikërisht në ditëlindjen e 29-të të tij. Ai pati kohën 1:48.81 sekonda.

“Po ndihem shumë mirë, ishte gara ime e veçantë e lëshimit dhe ditëlindja, po ashtu sot edhe koha ishte shumë e mirë dhe nuk mund të ishte keq”, tha Tahiri pas garës.

Ai komentoi edhe paraqitjen. “Bëra një lëshim të mirë ashtu siç e paramendoja, nuk bëra ndonjë gabim, për çka mendova se isha më i shpejtë sot, mirëpo jam i kënaqur edhe kështu. Nesër është një garë e re, një shtegë i ri, një rast i ri, është super sllallomi i madh (super g) dhe do të shohim çfarë do të ndodh, unë do të mundohem të bëjë më të mirën”, shtoi përfaqësuesi ynë i vetëm në LOD PyeongChang 2018.

I kënaqur me paraqitjen e Albinit ishte edhe trajneri i tij, Agim Pupovci.

“Kjo është ajo që e kemi pritur, ndoshta ka mundur edhe 2-3 vende më mirë, por në përgjithësi jam i kënaqur me paraqitjen në këtë shteg, që vlerësohet mjaft i vështirë”, u shpreh trajneri i tij, Agim Pupovci.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani tha se kjo ishte një ditë e veçantë për Albinin.

“Sot ishte ditë e veçantë, ku Albini ka ditëlindjen dhe zhvilloi disiplinën ku ndihet më së miri. Besoj se rezultati është mjaftë i mirë, duke marrë parasysh që sportistët tjerë kanë mundësi të shkojnë gjatë sezonit dhe të stërvitin aty ku ka kushte më të përshtatshme. Për ne paraqitja ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse para gjithë këtyre pjesëmarrësve po përfaqësohet Kosova, pikërisht në muajin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, tha Hasani, duke uruar 10-vjetorin e pavarësisë.

Kjo garë ishte paraparë të mbahej më 11 shkurt, por shkaku i erërave të forta ishte shtyrë për sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat