Fjalët tronditëse të 10-vjeçarit: Flemë mes gjarpërinjve dhe minjve - Bota Sot
Fjalët tronditëse të 10-vjeçarit: Flemë mes gjarpërinjve dhe minjve

Sociale

Fjalët tronditëse të 10-vjeçarit: Flemë mes gjarpërinjve dhe minjve

Më: 18 janar 2019 Në ora: 18:02
Ervis Laçi

Ervis Laçi është vetëm 10 vjeç, por çdo ditë atij i duhet të kujdeset për orë të tëra për vëllanë 5 vjeç dhe motrën 3 vjeçe. Kjo pasi Skënderi, babai ikën që herët në mëngjes, ku punon si pastrues në rrugët e kryeqytetit.

Dhe Silvana mamaja, e cila përpiqet të gjejë mundësi për të mbijetuar, herë duke lypur për borxhe dhe herë të tjera duke mbledhur kanaçe. Tre fëmijët qëndrojnë vetëm mes frikës, ftohtit dhe urisë.

“Mami ka ikur për të mbledhur kanaçe. Kemi frikë sepse na zë korrenti, digjet shtëpia.”

Ervisi është në klasë të tretë, por fëmijëria e tij nuk ngjason aspak me atë të fëmijëve të tjerë.

“Në pushimin e gjatë unë vetëm rri, se nuk kam lekë për të ngrënë bukë. Në jetë unë më shumë do të doja të kisha ushqime dhe një shtëpi për të fjetur. Kjo është barakë.”

Familja Laçi jeton në një barakë të ndërtuar mbi një kodër në Shkozë. Ku çdo gjë që bie jashtë, hyn dhe brenda. Përballë mjerimit dhe dimrit të ftohtë, e ardhmja e këtyre fëmijëve duket e pashpresë. Silvana është vetëm 40 vjeçe, por jeta është duke e mundur. E frikëson e ardhmja e tre fëmijëve dhe i dhemb shpirti kur ata i kërkojnë vetëm të mos kenë ftohtë.

“Çfarë bie jashtë, hyn brenda. Furtunë e madhe, erë e madhe, ke frikë të rrish brenda. Kemi frikë sepse është në majë të kodrës. Më vështirë se jam unë, nuk ka. I ftohti është nga të katërta anët. Edhe këta fëmijë me lot në sy i kam ruajtur. Dikush më ka dhënë një batanije, dikush një gjë tjetër. Kam çunin e madh që thotë, ‘o ma ça është kjo punë, që na lë neve kështu. Na lë në barakë, është shumë ftohtë’.

Ftohti është me të shkul që këtu, por rri unë nga halli sepse nuk kam ku të shkoj dhe nuk kam çfarë të bëj. Rrobat i laj me dorë, uji i ftohtë është. Herë kemi ujë e herë nuk kemi. Tani që ka edhe erëra, nuk kemi drita fare.

Kalamajtë ngordhin së ftohti, qajnë gjithë natën. Çuni i vogël dhe goca kolliten gjithë natën. Më thonë ‘mirë o ma që nuk kemi për të ngrënë e për të pirë, por të kemi një shtëpi. Na hyjnë gjarpërinjtë, minjtë. Ne flemë, minjtë janë poshtë. Ke frikë të jetosh apo të rrish këtu. Ja kam futur rroba, sepse hyn ftohti nga të katërta anët. Nuk ka ku të shkojë më keq, si t’ia bëj hallit unë?”

Egzoni, djali i vogël vuan nga sëmundja e epilepsisë. Por, nga pamundësia ekonomike ai nuk mjekohet. Duke iu përkeqësuar përherë e më tepër gjendja shëndetësore.

“Çunin e kam çuar dy herë në spital dhe ka sëmundjen e tokës. Në fillim ka pasur më pak, e tani i është shtuar. Nga mjekimi që nuk merr, sepse nuk ka ilaçe. Një vit ia kam marr pa lekë, tani doktoresha më tha t’i marr me lekë. Me lekë unë nuk kam mundësi t’i marr dhe ka ngelur çuni pa gjë tani. Mbasi ndërpreu ilaçet është bërë më keq.”

Apeli drithërues i familjes Laçi është publikuar nga fondacioni “Fundjavë Ndryshe” në profilin e saj në Facebook, ndërsa apelon që të gjithë bashkë të ndihmojmë sado pak për të ndihmuar këta fëmijë

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...