“Fëmijët i mbaj gjallë me ushqime nga koshi plehrave” Thirrja dëshpëruese e një nëne për shqiptarët - Bota Sot
“Fëmijët i mbaj gjallë me ushqime nga koshi plehrave” Thirrja dëshpëruese e një nëne për shqiptarët

Sociale

“Fëmijët i mbaj gjallë me ushqime nga koshi plehrave” Thirrja dëshpëruese e një nëne për shqiptarët

Më: 26 mars 2019 Në ora: 20:10
Pamje nga video

Një histori që të mbyll gojën dhe të mbush sytë me lotë, e tillë është ajo e kësaj familje shqiptare.

Familja Çuko jeton në një banesë me qira në një fshat të Fierit dhe përbëhet nga 7 persona. Dy prej katër fëmijëve të Erjonës dhe Gentianit janë ende vogëlushë, por dalin në rrugë dhe mbledhin kanaçe e bidona.

Plastika dhe copat e aluminit që gjejnë janë jetësore, ashtu si dhe edhe djersa e babait të tyre që del në mëngjes dhe sos në shtëpi natën pas kërkimit nëpër plehra, rrugë, rrugica e kanale. Kjo familje nuk ka mjet tjetër, jeton në skamje të plotë.

Juliani dhe Luisi mundohen ta ndihmojnë me sa munden babain e tyre Gentianin. Pas shkollës dalin dhe enden rrugëve me një thes në dorë. Copa e plastikës është një dritë sado e vogël, sepse ata e kanë provuar thellësisht se çfarë do të thotë të mos kesh çfarë të hash.

Juliani: Kur vij në shtëpi dal prapë për të mbledhur kanaçe se nuk kemi bukë që të hamë. Edhe mësimet i bëj dhe mbledh dhe kanaçe. Dal sepse dua të ndihmoj babin. I mbledh bidonat në kosha, rrugës, kur i hedhin njerëzit i marr… në shkollë marr 5 dhe 4. Nuk kam kohë që të mësoj shumë sepse dal dhe mbledh bidona.

Luisi: Babin e shikoj të lodhur edhe prandaj dua ta ndihmoj. Nuk më lë të mbledh bidona e kanaçe. Më vjen shumë keq, sepse edhe shokët më shajnë… u them se s’kemi çfarë të hamë… po pastaj edhe ata më ndihmojnë, mbledhin ndonjëerë me mua. Babi më thotë mos mblidh kanaçe po mëso sepse po nuk mësove nuk ke ku të shkosh. Kur kisha një ditë mbledhje në shkollë dhe kisha nxjerrë nota të mira, mami më përqafoi fort dhe më tha të mos bie nga mësimet.

Emina: Mamin e dua shumë shumë shumë, sepse ajo ka vuajtur dhe më ka rritur mua. Kur të rritem kam qejf që të bëhem parukiere, dua të jem si të gjithë fëmijët e tjerë

Por ajo që është therëse, është historia e paimagjinueshme e Erjonës, nëna e këtyre fëmijëve. Ajo thotë për emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” se fëmijët e vegjël, dy vajzat binjake Orgesa e Mikaila nuk kanë rritur me qumësht… por me ujë dhe sheqer.

Erjona: Kemi ndenjur edhe tri ditë pa bukë. U jepja vetëm ujë të pinin dhe një copë bukë ujë të thatë. Komshinjtë më kanë ndihmuar. Mamaja e motra më sillnin një thes miell që të ushqeja fëmijët. Një bidon me qumësht nuk kam patur t’u japë këtyre fëmijëve të vegjël. I kam rritur me ujë dhe sheqer, nuk kisha t’u jepja. Para një viti e ca burrin e kisha në punë. Nuk kishim lekë për librat e fëmijëve. Kemi marrë borxh në bankë, overdraft. Me ato i kemi blerë rroba e libra fëmijëve. Edhe sot e kësaj dite nuk kemi arritur dot që t’i lajmë ato para.

Erjona tregon se vëllai i saj i ka vdekur. Ishte 22 vjeç dhe vuante nga leucemia akute. E teksa vëllai i saj u tret brenda një muaji në spital, Erjonës për një javë rresht i ka dalë në ëndërr. Çdo natë i fërkonte kokën dhe barkun. Erjona rrëfen se e ka pyetur se çfarë kishte, por ai vetëm i buzëqeshte. Më tutje rrëfimi është me të vërtetë i pabesueshëm.

Erjona: Kam qenë punëtore, pastruese. Punoja me mamin. Vëllai… kishte 22 vjeç (qan) më ka vdekur brenda muajit. Në 8 korrik na thanë se ishte i sëmure me leucemi akute. Mami më tha që djali duhej të nisej drejt Tiranës dhe më 9 gusht ai ka ndërruar jetë, brenda një muaji. Natë për natë e shikoja në ëndërr. Kam qenë me qira në Patos dhe atje punoja në call center. Më dilte një javë rresht në ëndërr. Më fërkonte kokën dhe barkun dhe i thoja çfarë ke… nuk më kthente përgjigje por vetëm më qeshte.

Një mëngjes jam ngritur dhe kam filluar të vjell. Kam bërë testin dhe kam qenë shtatzanë. Bëj muhabet me burrin dhe folën që ta hiqnim fëmijën sepse s’mund të mbaja dhe një fëmijë të katërt.

Më del vëllai në ëndërr natën. Për çfarë po të dal tha në ëndërr, dua që të më vësh emrin më tha. I thash në ëndërr që s’mund ta mbaja por ai mu përgjigj se çdo fëmijë ka riskun e vet (qan)

E mora pastaj, e mbajta si shtatzani nga dëshira dhe fjalët që më tha im vëlla. Kur bëra ekon, mora vesh që kisha dy binjake. Kam qarë me të madhe sa mamaja më ka bërtitur që të mos të më shihte të qaja… kisha tre fëmijë dhe tani jam me 5. Kur erdhën në jetë vajzat, vëllai nuk më ka dalë në ëndërr… e shikoj këtë fëmijë dhe më duket sikur e shoh tim vëlla në dritë të syrit. Më duket sikur ky fëmijë është vëllai im (Orgesa, vëllai i Erjonës quhej Orges) … nuk kam kthyer kurrë zë kur më kanë thënë pse kaq shumë fëmijë…

Një kërkesë dhe një shpresë ka kjo nënë. Qan me dënese sepse e vetme nuk ka mundur ta arrijë dëshirën e saj më të madhe, të gëzojë “pasurinë” e vetme që ka, që për të janë fëmijët.

Erjona: Nëqoftë se të tjerët më ndihmojnë, vetëm për këta fëmijë. Një çati mbi kokë që unë të di, tja nis nga e para dhe të sakrifikoj çdo gjë për këta fëmijë, që të mos vuajnë nëpër shtëpitë e botës. Njeriu sot nuk vuan për pasuri, sot fëmija është pasuria e jo gjë tjetër. Pasuria që njeriu ka në këtë jetë është fëmija…. nuk dua që fëmijët të dalin rrugëve dhe të mbledhin kanaçe… të shkojnë e të hyjnë nëpër kanale e mbeturina. Dua një çati mbi kokën e këtyre fëmijëve dhe u them shqiptarëve që të vënë dorën në zemër.

Historia e familjes Çuko nuk ka mbaruar. Babai i 5 fëmijëve rrëfen mes lotësh dhe një dhimbje të egër se ka patur raste që nuk ka gjetur plastikë e kanaçe aq sa duhet… për të mos lënë fëmijët të vdesin për ushqim, ka bërë atë që asnjë prind nuk do t’ja uronte kurrë fëmijës së tij.

Gentiani: Kur nuk gjej bidonë, trishtohem them kalamajtë më ndelën pa bukë, të gjitha i mbledh, ndonjëhere nuk gjej gjë. Ndihem i fyer që arrita në këtë gjendje, e bëj për fëmijët që kam arritur në këtë pikë, fëmijët më shikojnë nga duart ca u coj për të ngrënë. Kur nuk kam gjë, u them babi do u sjelli nesër!Zgjodha këtë rrugë, është rrugë e ndershme. Edhe nga koshi i mbeturinave kam ngrënë, të arrija të mblidhja nga koshi, edhe këtu kam arritur, shkoj në një kosh afër supermarketit, ato gjerat ua kam cuar u kam thënë, i bleu babi. Nuk qaj kurrë në sy të tyre, qaj nëpër kosha! Po nuk punova unë ata nuk hanë! Vajzat e vogla duan të hanë, nuk di si ti ushqej fmëijët, me këtë punë nuk mundem!

Në emisionin “shqiptarët për shqiptarët”, Elvis Naçi ka premtuar se ai personalisht do të dhurojë me sa të mundet për këtë familje. I prekur dhe i përlotur nga kjo histori dramatike, Elvis Naçi ka kërkuar ndihmën e shqiptarëve, që tëmund t’i bëjnë realitet kësaj familje blerjen e një shtëpie të tyren dhe ndihmën financiare për të rimëkëmbur burrë e grua, të cilët janë zhytur thellësisht në agoninë e të parit të fëmijëve të tyre në gjendje si mos më të keqe.

Elvis Naçi: Ajo që tha ai baba… Jam përpara dy mundësive, të bëjë këtë punë apo të vjedh… Jo tha, po vazhdoj këtë… sepse ka zgjedhur rrugën më të vështirë por të mos i bëjë dëm shqiptarit, kjo më preku thellësisht…

Janë dy jetë që kanë ardhur në këtë botë prej një njeriu që ka ikur nga kjo botë. Vëllai i Erjonës siç e tha dhe ajo, i kishte dalë në ëndërr, e prekte në kokë dhe në bark. Kjo nuk është rastësi. Kjo të ngacmon, i vëllai i ka thënë se çdo fëmijë ka riskun e vet… e ndoshta dhe ai mbase ka folur për ne, që edhe ne si shqiptarë do të bëjnë riskun tonë duke e ndihmuar këtë familje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...