Të jesh prindër strehues i fëmijëve të braktisur, historia prekëse e Shahës dhe Fariut - Bota Sot
Të jesh prindër strehues i fëmijëve të braktisur, historia prekëse e Shahës dhe Fariut

Sociale

Të jesh prindër strehues i fëmijëve të braktisur, historia prekëse e Shahës dhe Fariut

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 10:18
Të jesh prindër strehues i fëmijëve të braktisur, historia prekëse e Shahës dhe Fariut

Ishte një mëngjes i ftohtë dimri në Prishtinën e vitit 2005. Shaha po endej korridoreve të një spitali të vjetër në qendër të qytetit duke kërkuar daljen, pasi kishte vizituar nipin e saj, i cili ishte i shtruar në spital me simptoma të gripit.

Muret e plasaritura me ngjyrë të gjelbër e çuan atë drejt një dhome të vogël aspak mikëpritëse, me një dritare të vogël. Aty vërejti një shtrat spitali me një fëmijë i cili qëndronte i vetëm në të.

“U drejtova me nxitim për te punonjësit e spitalit për t'i pyetur se pse foshnja ishte lënë vetëm", na tregon Shaha, duke kujtuar me plot gjallëri ditën kur vendosi të bëhej prind strehues 13 vjet më parë.

 "Më thanë se vajza nuk kishte prindër, se ajo ishte braktisur dhe se kishte gati një vit që qëndronte në spital".

Foshnja kishte lindur me anomali kongjenitale të shtyllës kurrizore të quajtur “Spina Bifida”, një gjendje ku korda kurrizore e fëmijës nuk zhvillohet siç duhet në mitër dhe

“Hydrocephalus”, gjendje në të cilën vije deri te akumulimi i lëngut cerebrospinal (LCS) brenda trurit. Shaha e ndjeu menjëherë se donte të kujdesej për atë fëmijë. Duke qenë një shtëpiake e martuar me një punonjës të një fabrike të përpunimit të nikelit, Shaha ishte e pasigurtë nëse familja kishte mjete të nevojshme financiare për ta strehuar një fëmijë. Por, shton ajo, nuk mund të duroja ta shihja fëmijën (të cilën do ta quajmë Rina për t’ia mbrojtur identitetin e saj) të qëndronte në dhomën e spitalit gjersa e dinte se një familje e dashur dhe një shtëpi do të ishte më mirë për zhvillimin e saj se sa një spital.

Kur Shaha shkoi në Qendrën për Punë Sociale (QPS) për të mësuar se si mund të bëhej prindi strehues i Rinës, drejtori i qendrës kishte filluar t'ia tregonte asaj të gjitha problemet shëndetësore të foshnjës, por ajo i kishte thënë se ajo tash dinte gjithçka dhe se nuk kishte nevojë për të dëgjuar asgjë më shumë, shpjegon Shaha. "Isha gati t'i jepja një shtëpi dhe të kujdesesha për të", rrëfen ajo.

Tashmë kanë kaluar më shumë se 13 vjet që nga ajo ditë e shënuar në spital. Shaha dhe Fariu na ftojnë në shtëpinë e tyre të bukur në Fushë Kosovë. Rina është tash 13 vjeçare dhe na mirëpret me një buzëqeshje të madhe. Pas gjithë këtyre viteve të kaluara së bashku, Rina tash me plot lumturi i quan Shahën dhe Fariun, nënë dhe baba. "Kam ndjekur një kurs muzike dhe kam mësuar të luaj piano", na tregon Rina me entuziazëm, duke shtuar se, kur të rritet, dëshiron të bëhet pianiste.

Në të kaluarën, Shaha është kujdesur për punët e shtëpisë derisa burri i saj punon në një fabrikë të përpunimit të nikelit në Drenas të Kosovës. Ata kanë 4 fëmijë biologjikë, dhe që kur u përzgjodhën për t'u bërë një familje strehuese, ata janë përkujdesur për 3 fëmijë, njëri prej të cilëve është Rina.

Si të gjithë prindërit strehues në Kosovë, Shaha dhe Fariu kanë marrë ndihmë financiare dhe shërbime mbështetëse psikologjike. Ata gjithashtu i janë nënshtruar trajnimeve të rregullta të organizuara nga UNICEF-i dhe partneri ynë, bartës i aktiviteteve, Organizata e Fëmijëve pa Përkujdesje Prindërore (OFAP) për të mësuar se si t’i ofrojnë mbështetjen e nevojshme psiko-sociale Rinës për çka ajo ka nevojë për t’u zhvilluar siç duhet. Ata marrin pjesë në takime të rregullta me prindërit tjerë strehues dhe fëmijët e tyre për t’i shkëmbyer përvojat dhe për të marrë këshilla dhe njohuri nga punonjësit social në një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, mënyrën e të ushqyerit dhe zhvillimin psikosocial të fëmijëve.

Shaha shpjegon se ajo është përballur me mjaft sfida ndërsa është përkujdesur për Rinën. Pasi familja u transferua në shtëpinë e tyre të re, shkolla e afërt nuk kishte pranuar ta regjistronte Rinën për shkak të mungesës së  punonjësve përkatës në shkollë. Shaha na tregon se ajo dhe burri i saj kanë bërë çmos për t’i ofruar Rinës një mjedis familjar të dashur dhe plot kujdes, duke përfshirë edhe kushte shëndetësore dhe mirëqenie të plotë. Në fakt, ajo thotë se pas disa muajsh në shtëpinë e tyre, Rina kishte treguar aq shumë përmirësime pozitive psiko-sociale sa që punonjësit social mezi besonin. "Ne e duam atë si vajzën tonë", thotë Shaha.

Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe organizatës bashkëpunëtore në kryerjen e aktiviteteve OFAP, në vitin 2017, 34 fëmijë të Kosovës u braktisën menjëherë pas lindjes nga nënat vetushqyese, kryesisht për shkak të shtatëzanive të paplanifikuara në mesin e vajzave të reja, mungesës së edukimit shëndetësor riprodhues, kushteve të vështira ekonomike, normave shoqërore diskriminuese dhe besimeve kulturore, si dhe mosekzistimit të mekanizmave mbështetës kombëtarë ose komunal.

Megjithatë, sipas OFAP, numri i prindërve strehues në Kosovë është shumë i ulët; në të vërtetë, Shaha dhe Fariu janë e vetmja familje strehuese në Komunën e Fushë Kosovës. Ka vetëm dy familje të tilla në Prishtinë dhe gjithsej 44 në tërë Kosovën. Kur është fjala për strehim të fëmijëve me aftësi të kufizuara, ky numër është edhe më i ulët - ka vetëm 10 familje strehuese të këtyre fëmijëve në Kosovë.

Ndikimi i institucionalizimit të fëmijës është i rëndë dhe mund të zgjasë për tërë jetën. Fëmijët e vendosur në institucione janë të privuar nga stimulimi social, emocional dhe intelektual, gjë që mund ta pengojë zhvillimin e shëndetshëm të trurit të tyre. Të përjashtuar nga rrjedhat e përgjithshme shoqërore, këta fëmijë janë gjithashtu lehtësisht të ekspozuar ndaj dhunës, neglizhimit dhe abuzimit.

UNICEF-i është duke punuar me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe partnerin tonë bartës të aktiviteteve, OFAP, për ta forcuar sistemin e ofrimit të strehimit me qëllim të zvogëlimit të numrit të fëmijëve që jetojnë në kujdesin institucional/rezidencial dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët të mbrohen nga dhuna, abuzimi, shfrytëzimi dhe neglizhimi, dhe në vend të kësaj të gëzojnë një mjedis familjar të sigurtë, të dashur dhe edukues, ashtu siç i ndodhi Rinës.

Do të qëndrojmë të përkushtuar për ta ndihmuar qeverinë në forcimin e ligjeve dhe politikave për t’i integruar plotësisht udhëzimet e OKB-së për kujdesin alternativ të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe për ta forcuar sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.

Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të rriten në një mjedis familjar mbështetës dhe të kujdesshëm. UNICEF-i në Kosovë do të vazhdojë të punojë për të parandaluar ndarjen e familjes, për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve nën kujdes dhe për të mbështetur shërbimet sociale me bazë në komunitet.

Dashuri, mundësi të drejtë, fëmijëri dhe të ardhme për çdo fëmijë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...