Rrëfimi i humanistes që strehoi fëmijë të mbetur rrugëve - Bota Sot
Rrëfimi i humanistes që strehoi fëmijë të mbetur rrugëve

Sociale

Rrëfimi i humanistes që strehoi fëmijë të mbetur rrugëve

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 14:30
Resmije Krasniqi

Shoqata humanitare “Hadër” në Prizren ka nevojë për një dyqan në të cilin do t’i vendosnin për shitje gjërat që i bëjnë, të gjitha punë dore. Aty ka edhe punime të krijuara nga fëmijët me shëndet mendor të dobët dhe rroba të punuara nga familjarët e tyre.

Resmije Krasniqi i njeh më së miri problemet me të cilat përballën personat me nevoja të veçanta.

Përveç që gjatë gjithë jetës u kujdes për vajzën e saj e cila shëndetin mendor e ka të dobët, ajo është e rrethuar edhe me qindra fëmijë të tjerë.

Për dy dekada rresht ajo iu qëndroi afër fëmijëve të cilit kishin humbur shpresën për një jetë normale dhe bridhnin rrugëve duke kërkuar lëmoshë, kontrollonin kontejnerët për të siguruar kafshatën e gojës.

Që nga përfundimi i luftës, një grua humaniste u dha strehim shumë fëmijëve me shëndet mendor të dobët.

Ajo krijoi shoqatën humanitare “Hadër”, ku fillimisht është marrë me pesë fëmijë me shëndet mendor të dobët të cilët i largoi nga rruga.

Madje, disa prej tyre, përmes shoqatës, i ka dërguar në shkollë.

Deri në vitin 2005, veprimtarinë e shoqatës e zhvilloi në shtëpinë e saj,  derisa Komuna e Prizrenit i kishte dhënë hapësirën për të ndërtuar një objekt, të cilin m♪7 pas e ngritën me forca vetanake.

Krasniqi: Kemi gjetur persona me të në rrugë dhe i kemi strehuar

"Shoqata jonë ka vepruar qysh në '99 menjëherë pas luftës kur u çlirua Kosova. Kemi filluar me 42 nana, tash ka nga çdo shtëpia që ka person me të meta mentale. Përndryshe jam edhe nanë e fëmijës me të meta mentale e kam vajzën 42 vjeçare. Kemi gjete persona me te meta nëpër kontejnerë duke marrë kafshatën e gojës. Më ka ardh shumë keq kur i kam parë, jam detyruar t'i marrë ata persona rrugës", rrëfen Krasniqi për kp.

Tutje, ajo tregon se nga viti 2005 deri në vitin 2011 kanë pasur shumë vështirësi të mbajnë gjallë këtë shoqatë.

Megjithatë, e vazhdojnë punën dhe tani kanë arritur të sigurojnë edhe qëndrim 24 orë.

Resmije Krasniqi, instruktore e rrobaqepësisë, thotë se shoqata tani ka 250 anëtarë.

Krasniqi: Kam dhënë kurs pa para

"Kam dhënë kurs pa para, sepse vet e di çka do te thotë kur nuk ka. Lufta e bëri të vetën, duke falënderuar vëllezërit tonë në Shqipëri, kryet e shpëtuam atje. Pas luftës mbetën njerëzit pa burra pa fëmijë, më fëmijë me të meta, ishte kënaqësi që është hap shoqata dhe i kemi strehuar këta fëmijë. Filluam me 42 nëna, tash janë 250 anëtarë në shoqatë me të meta mentale", thotë ajo.

Në këtë shoqatë, nënat dhe familjarët e personave me shëndet mendor të dobët, punojnë rroba të ndryshme dhe gjësende të tjera.

Ndërkohë edhe fëmijët kryejnë një punë të madhe këtu. Punimet e dorës, si qafore e të tjera që ata i sjellin, janë shumë të veçanta.

Krejt këto punimet sot i kanë ekspozuar në Panairin e Veshjeve Tradicionale në Prizren.

Krasniqi thotë se kjo nuk mjafton. Sipas saj, shoqata ka nevojë të ndihmohet me një buxhet të përhershëm.

Gjithashtu, hall i madh i tyre është mungesa e një dyqani ku do të mund t’i vendosnin për shitje ato që i punojnë.

E në këtë mënyrë, me ato të holla do të mbahej shoqata dhe do të ndihmoheshin njerëzit me probleme të tilla.

Krasniqi i ka shpresat në kryetarin e Komunës së Prizrenit.

Krasniqi: Kam kërkuar dyqan për shitje, shpresoj kryetari i Komunës na ndihmon

"E kam dërguar në komunë edhe një kërkesë për dyqan, që këto teshat kombëtare të shiten në dyqan edhe besoj që do të mbahet shoqata. Nuk do të dalim sikurse lypës, për ne nuk ka hije kjo është ekspozim, knaqësi meni ekspozu punimet e fëmijët. Por t'u ndihmohet gjithmonë këtyre personave e jo si lypësi qe del me lyp. Inshalla do Zoti kryetari dhe drejtorët na ndihmojnë dhe të na japin një dyqan", thotë ajo.

Shoqata humanitare “Hadër” tregon edhe multietnicitetin që bartë.

Anëtarët aty janë të kombësive të ndryshëm, dhe qëllimi i vetëm është të sigurohet një jetesë normale për personat me shëndet mendor të dobët.

Kryetarja e shoqatës, Resmije Kransiqi thotë se të gjithë jetës e saj ua ka kushtuar fëmijëve me probleme të tilla, nisur nga vet vajza e saj, ekzistenca e së cilës ishte një arsye më shumë që t’u dalë në ndihmë nevojtarëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...