Invalidi i luftës që po lufton me skamjen

Sociale

Invalidi i luftës që po lufton me skamjen

Më: 31 dhjetor 2019 Në ora: 14:34
Fehmi Hyseni

Dikur luftonte për lirinë e vendit, e sot më të vështirë po e ka ‘’luftën’ për mbijetesë.

Në një dhomë të vogël, e cila as ajo nuk është e tij po i zbardh dhe  ngrys ditët e vështira të jetës familja gjashtë anëtarëshe e Fehmi Hysenit, nga Stanovci i Vushtrrisë.

Hyseni është invalid i luftës dhe tërë pasurinë që e kishte pasur e kishte shitur për shërim të gruas së tij.

Fehmi Hyseni para 20 vitesh ishte plagosur në luftë, por ai asnjëherë nuk e kishte menduar se jeta në liri do të jetë  shumë  e vështirë.

Ai ka frikë se fëmijët e tij një ditë do të mbesin rrugëve.

Hyseni: Qe 20 vjet nuk e di se çfarë është shtëpia ime

"Kushtet i kemi mjaft të rënda, jemi në shtëpi të huaj që 20 vjet pas luftës, nuk e di çfarë është shtëpia ime. Nëntë vjet kam jetuar në një vend ku nuk jetojnë as kafshët. Me të vërtetë ka qenë tmerr. Por, kam jetuar qe sa këtu, qe gjashtë vjet e gjysmë. Tash ky pronari i shtëpisë ka kërkesë me liru shtëpinë, më ka thënë që deri për Vit të Ri, por m’i ka dhënë edhe dy javë”, rrëfen Hyseni për KosovaPress.

Sot derisa me vështirësi po ua siguron kafshatën e gojës fëmijëve, të cilëve ua solli lirinë, thotë se nuk e kishte menduar që këtë liri që ata e gëzojnë, do të jetë në varfëri të skajshme.

Për jetën e vështirë që po bën Fehmiu rrëfen vet, pasi që gruaja e fëmijët nuk duan të dalin para kamerës, e 20 vjet pas luftës, i zoti i kësaj familje, thotë se përveç shoqatave, nuk i kishte ndihmuar askush.

Hyseni: Ne jemi shtresë e harruar

“Ne jemi shtresë e harruar, ka edhe tjerë që nuk i viziton askush. Shteti është shtet, por njerëzit që e udhëheqin shtetin po e shohim çfarë janë, vetëm për interesa të veta, për shtresën e popullit nuk i intereson askujt...Është një ndjenjë shumë e keqe, ani unë nuk kam shtëpi, por të paktën i harruar mos me qenë, ashtu siç nuk kam qenë i harruar, kur më kanë thirr për vijë të frontit”, thotë Fehmiu.

E kjo gjendje bëhet edhe më e rëndë në prag festave. Ani pse, për Fehmi Hysenin ato nuk kanë rëndësi.

Hyseni: Për mua nuk kanë rëndësi

“Për mua nuk kanë rëndësi festat, nuk kanë rëndësi këto gjëra. Koha e bën të veten jemi bërë si njëjtë, kushtet ekonomike po e bëjnë të vetën. Prej dorës të shtetit jemi të harruar...Atëherë kam luftuar me shkaun, e sot me skamje. Kështu që kjo është me e rëndë, se me shkaun e kemi pas një qëllim, kemi dit kemi gjetur rrugë, e sot është goxha e rëndë”, shton ai.

42 vjeçari, i mërzitur nga jeta e vështirë, tregon se që nga paslufta ka kryer tri operacione, për çka nuk është as i aftë për punë.

E, me sy të përlotur rrëfen se sa të vështirë e ka si prind, që t’ua plotësojë kërkesat fëmijëve të tij, kërkesa që nuk përfshijnë më shumë se një kafshatë goje e një kulm, ku do të qëndrojnë pa frikën se një ditë do të mbesin në rrugë.

Hyseni: Më kanë pyetur se kur do të kemi një shtëpi

“Zor është, edhe haku i fëmijëve, tash edhe është bërë problem ata po shohin, po lakmojnë e sene. Kur i shohin të tjerët në shtëpi, ‘i them mos djali im se këtu nuk bon me prek se është e huaja’.  Ka ndodhë kanë thënë se kur bëhet e jona, kur kemi me pas tonën mos me na bo presion mos me prek asgjë. Vështirë është për mu me dal me fol”, rrëfen ai derisa nuk mund t’i ndal lotët.

Enver Abdyli nga shoqata “Diaspora”, tash e një javë ka identifikuar këtë rast, ku edhe bën thirrje për mobilizim që sa më shpejt të strehojnë këtë familje, që në këto ditë të ftohta dimri, familja gjashtë anëtarëshe mos të mbetet në rrugë.

Abdyli: Iu bëj thirrje të gjithëve të na bashkohen dhe të gëzojmë këtë familje sa më parë    

“I ka ardh fundi që është zatet për kafshoren e gojës, edhe për ngrohje, ku ky është nxeh me çizme, me patike, çfarë ka gjetur në mbeturina. Ditëve të fundit ky vëlla i joni nuk ka pasur as bukë me hongër, dhe është munduar bukën në furra që nuk është shitur më, dhe i ka mbajtur të gjithë anëtarët e familjes... Unë i kisha bërë thirrje të gjithë njerëzit vullnet-mirë ngado që janë, kudo që gjinden le të na bashkohen te shoqata “Diaspora” edhe të afrohemi edhe ta gëzojmë sa më parë”, deklaron ai.

Në këtë dhomë, familja gjashtë anëtarëshe do të ketë mundësi të qëndrojnë edhe dy javë, pas kësaj kohe ata rrezikohet të mbesin në rrugë. Edhe vet Fehmi Hyseni po bën thirrje për të gjithë ata që kanë mundësi, të kontribuojnë që sa më shpejt të jetë shtëpia e gatshme gati për strehim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat