E dhimbshme: Shtëpia ku jeton familja me pesë anëtarë, rrezikon shembjen

Sociale

E dhimbshme: Shtëpia ku jeton familja me pesë anëtarë, rrezikon shembjen

Më: 26 janar 2020 Në ora: 18:07
Vërdovë

Këto pamje drithëruese që vijnë nga fshati Vërdovë, jo shumë larg Pogradecit, dëshmojë një realitet të dhimbshëm që shpesh herë harrohet se ekziston.

Në të tilla kushte, pesë anëtarë të familjes Xhukellari bashkëjetojnë me varfërinë e tejskajshme.

Çdo ditë e tyre është luftë për të mbijetuar, është sfidë për të siguruar ushqim.

Por jo gjithmonë ja dalin.

Kryefamiljarja, Kajaçe Xhukellari, rrëfen se janë të shumta ditët kur nuk mund të konsumojnë as bukë thatë.

“Na kanë ndihmuar të tjerët, me ushqime dhe gjëra. Asnjë të ardhur nuk kemi”, ka deklaruar ajo.

Mes pamundësisë dhe mjerimit po rriten edhe dy më të vegjlit e familjes.

Nëna e tyre është me probleme shëndetësore, ndaj barra për kujdesin i ka rënë gjyshes.

Banesa që ka shërbyer si strehë për afro 40 vite është në prag rrënimi.

Kajaçe Xhukellari thotë se ndihet me fat sa herë zgjohet në mëngjes dhe sheh që shtëpia nuk shembur mbi të afërmit e saj.

Në betejën e saj të përditshme familja Xhukellari ka qenë e vetme.

Bukën dhe orenditë e pakta i kanë falë mëshirës së të njohurve. Për shtetin kanë vetëm një kërkesë, t`ju sigurojë banesë për të jetuar normalisht.

“Të na bëhet shtëpia, të na rregullohet. Na vjen keq për fëmijët, pa për ne”, ka pohuar ajo.

Ndihma që shteti u ka ofruar deri më tani është vetëm ajo ekonomike, prej 40 mijë lekësh të vjetra, shumë e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat.

Familjarët thonë se nuk mund të marrin as hua në dyqane pasi lista me detyrimet e pashlyera është shumë e gjatë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat