COVID-19 ‘i vrau’ babain në Indonezi/ Letra e shqiptares: Isha e vetme në funeral

Sociale

COVID-19 ‘i vrau’ babain në Indonezi/ Letra e shqiptares: Isha e vetme në funeral

Nga: Denada Ishmi Më: 24 mars 2020 Në ora: 06:31

Isha e vetmja që përcolla në banesën e fundit, trupin e pajetë të babit. Askush tjetër nuk lejohej dhe nuk mund të ishte në funeral. Ai dha frymë më 20 Mars, 12 ditë pasi ishte konfirmuar si i prekur nga koronavirusi.

Autoritetet më pyetën nëse doja që ai të prehej në një varrezë, apo të çohej në krematorium, ku mund të merrja hirin e tij. Bashkë me motrat, Ema në Durrës e Alba në Itali, vendosëm ta çonim në varreza, këtu në Indonezi, me shpresën që një ditë të mundem ta kthej në Shqipëri dhe të ketë një funeral ashtu siç ai e meritonte.

Fakti që nuk mund të kishte një përcjellje dinjitoze për babain tim, Ruzhdi Ishmi dikur inxhiner në fabrikën e NISH cigareve Durrës, më rëndon mua dhe motrave, po aq sa dhe humbja e tij.

Flas për të dhe lotët nuk i mbaj dot. Babi ishte mirë, ishte i fuqishëm, pa asnjë sëmundje, nuk tregonte si 85 vjeç.

Ende nuk di se si u infektuan me koronavirus, babai, nëna dhe bashkëshorti. E kam të paqartë se ku mund ta kenë marr virusin.

Prindërit e mi jetonin në Durrës. Pas tërmetit të 26 Nëntorit banesa e tyre u dëmtua. Dolën nga shtëpia sepse nuk ishte e banueshme, kaluan një situatë të vështirë. Në dhjetor vendosa t’i marr këtu. Unë jetoj prej vitesh në Xhakarta, e punësuar në një institucion financiar ndërkombëtar, ashtu sikurse im shoq Martini, zviceran.

Image

Të dy punojmë në fushën e zhvillimeve ekonomike prej vitesh. Prindërit kishin ardhur dhe herë të tjera ne Indonezi, Malajzi, Kanada e në Zvicër, kudo ku ne kemi jetuar. Kaluam Vitin e Ri së bashku, shkuam në Bali, e shijuan shumë. Shkuam vetëm një ditë në Singapor, për çështjen e vizës dhe pastaj koha tjetër në shtëpi. Ndërsa Indonezia nuk kishte konfirmuar ende të prekur nga koronavirus, mamit i filluan disa shqetësime.

Pak dhimbje fyti, një kollë. Shkuam tek mjeku dhe mori antibiotik. Kërkuam për testin, por nuk e bënë. Babai dukej më mirë, vetëm se kalonte shumë kohë në gjumë. Kur edhe babait i filloi kolla shkuam tek mjeku dhe insistuam për të bërë testin. Rezultuan të dy pozitivë. Menjëherë më pas bëmë testet unë dhe Martini. Edhe bashkëshorti im, doli gjithashtu pozitiv, por nuk kiste shenja, ndërsa unë nuk isha prekur.

Image

 

Në fillim dukej më e vështirë gjendja e mamit, por fatmirësisht ajo e mori veten. Edhe Martini qëndroi për 9 dite në izolim, në spital. Ndërsa babi që dukej më mirë, më pas u rëndua, derisa shkoi në intubim me respirator. Nuk e kaloi dot, zemra e tij nuk e përballoi. Dha frymën, sapo mbaroi falja e së premtes. Iku ne qetësi, në paqe dhe shpresoj që është në paqe edhe atje ku shkoi.

Si asnjëherë tjetër, përpara se të sëmurej numëronte ditet e kthimit në Durrës. E kishte marr malli për qytetin ku për herë të parë krijoi semaforin dhe reklamat me ndriçim.

Ndaj në Durrës e thërrisnin Guglielmo Marconi ose shpikësi i NISH Cigares. Do të ngelesh i perjetshëm në zemrat tona babi dhe një ditë të prehesh në Durrësin tënd që aq shumë e kishe në zemër.

Per Opinion Denada Ishmi, Xhakarta 23 mars 2020

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat