Humb shtëpinë në veri, çifti jeton nën urën e Ibrit

Sociale

Humb shtëpinë në veri, çifti jeton nën urën e Ibrit

Më: 17 maj 2020 Në ora: 13:34
Çifti Cerroviku

Pranë kontejnerëve të plehrave dhe qenëve, kanë ndërtuar ‘strehën’ e tyre me mjete rrethanore, ku ‘prizmi shtëpi’, është vendosur nën urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë.

Çifti Cerroviku që ishin martuar para tetë vitesh dhe nuk kanë ende fëmijë, qëndrojnë në dhomën e improvizuar mbi beton, derisa rrëfejnë vuajtjet e jetës dhe fatin e tyre të trishtë.

Ata çdo fjalë që përcjellin nga goja e shoqërojnë me lotë, teksa varfëria sikur nuk ju pengon që kafenë e mëngjesit ta pinë së bashku gjithmonë.

Bashkim Cerroviku 52 vjeçar, me origjinë nga fshati Cerrovik i komunës së Klinës, por që para luftës kishte jetuar në veri të Mitrovicës, tregon vuajtjet e jetës nën urë së bashku me bashkëshorten e sëmurë, si dhe frikën nga qentë, për të cilët tha se po ua hanë ushqimin dhe rrobat.

Ai rrëfen për shtëpinë e tij në veri të rrënuar gjatë luftës, ku tashmë serbët kanë ndërtuar ndërtesë shumëkatëshe, ndërsa thotë se mbetet gjallë nga puna e mbledhjes së kanaqeve nga kontejnerët e bërllokut.

Lotët nuk i përmban kur përmend nevojën e madhe për një shtëpi të vogël.

Sipas tij, nëna e sëmurë dhe e shtyrë në moshë, e cila jeton në një banesë të vogël në Trepçë me kunatën dhe dy djemtë e vëllait, ka kushte poashtu shumë të rënda dhe nuk ka vend.

Cerroviku: Shtëpinë e kemi pasur në pjesën veriore

“Jam vetëm me grua, shtëpinë e kemi pasur në pjesën veriore, bash te rruga e Kolashinit. Ma kanë rrëzuar barakën…Ia patën dhënë nënës komuna, nëna mezi e ka nxjerr banesën. Tash e kanë rrënuar, s’po kemi ku…Vallahi që dy muaj e gjysmë jemi këtu, mbaruam, s’po kemi nga me ia mbajt. Gruan e kam të sëmurë prej epilepsisë dhe s’ka shërim askund. Kjo lyp tek Emona Center, unë nëpër kanta kanaqe hekra sa me mbet gjallë…Qentë po na hanë bukën, kështu që njëri po duhet me ndejt zgjuar gjithnjë.… E kam nënën dhe motrat e martuara larg, në Likoc e Klinë të Begut… Tash ia kanë dhënë nënës një banesë në Trepçë…Vallahi nuk ka vend, s’i ka kushtet, sepse kush e kishte lënë evladin e vet në rrugë, vec nuk ka kushte…Ajo jeton në banesë me kunatën dhe me dy djemë të vëllait…100 sëmundje i ka nëna, është 88 vjeçare”, ka thënë Cerroviku.

Ai shtoi se ka kërkuar shumë herë ndihmë nga komuna, por pa sukses, ndërsa sqaroi se kur duhet pastruar shkojnë herë te miqtë e herë tek nëna e tij.

Cerroviku ka apeluar tek të gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë dhe që kanë mundësi, që t’iu ndihmojnë në ndërtimin e një shtëpie sado të vogël.

Cerroviku: Këmbë jemi shku një orë e gjysmë në Trepçë, me u pastru shoqja

“Kam qenë 100 herë dhe jam lajmëruar në komunë…S’po kemi një teshë ku me la, as veten, veç në Ibër tash sepse s’kemi ku. Herë po duhet me shku tek miqtë, herë te nëna në Trepçë. Këmbë jemi shku një orë e gjysmë në Trepçë me u pastru shoqja. Ku me u la, ku me i la teshat. Veç Zoti na ka ruajt sepse ky virusi na kishte rënë ose neve ose askujt… I lus krejt vëllezërit shqiptarë, kush ka mundësi një shtëpi sa troha me na bë, sa një kolibë të qenit, veç me hy diku, e mos me mbet me grua të sëmurë rrugëve, nën urë të Ibrit. Ju lutem për hatër të Zotit”, theksoi Cerroviku.

Ndërkaq, edhe bashkëshortja Vahidja 35 vjeçare, nga fshati Batahir i Shalës së Bajgorës, e cila vuan nga epilepsia, rrëfen për frikën nga qentë dhe gjithçka tjetër.

Sipas saj, 75 euro të pensionit që merr nuk i dalin as për ilaçe, andaj detyrohet të kërkojë lëmoshë.

Vahidja: Lusë vëllezërit e motrat tona, me na ndihmu

“Jetoj me burrë këtu që dy muaj e gjysmë. Jam e sëmurë nga epilepsia…Po kemi frikë nga qentë, e besa edhe prej gjithçkaje tjetër…Jetoj me pension 75 euro, por duhet me ble ilaçe, kështu që pensioni nuk po më del as për ilaçe…Unë lypi para Emonës, burri del nëpër kanta të bërllokut…I kam dy vëllezër, janë me gratë e tyre, por edhe ata i kanë punët holl, jetojnë me social…Po kemi qenë në komunë me kërku për shtëpi. Ata po thonë nuk po kemi buxhet me ju ndihmu, çka me bë, po duhet me ndejt këtu…Ju kisha lutë vëllezërve e motrave tona me na ndihmu”, tha ajo.

Kp ka provuar për dy ditë me radhë të kontaktojë me përgjegjësit komunalë rreth këtij rasti, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat