Xhelozia personale e mashkullit ndaj femrës

Sociale

Xhelozia personale e mashkullit ndaj femrës

Nga: Lekë Imeraj Më: 1 tetor 2020 Në ora: 14:25
Lekë Imeraj

Psikologu Wilfried Wieck thotë se: „…ka tri lloje xhelozishë, të meshkujve ndaj grave. Xhelozia seksuale është e njohur, me të mirat dhe të këqiat e saj. Xhelozia ekspansive, historikisht më e re se ajo seksuale. Xhelozia personale është utopi dhe akoma nuk merret si e vërtetë“.

Psikologët i janë përkushtuar shumë më tepër xhelozisë seksuale të mashkullit se sa gjithë të tjerave së bashku. Ndoshta jo pa qëllim, pasi ajo ka sjellur dëme të mëdha, jo vetëm në marrëdhëniet bashkëshortore por edhe për jetën e femrave. Reagimet e meshkujve ndaj tradhëtisë seksuale të femrës, në shumë kultura kanë qënë dhe janë vdekjeprurëse për femrën.

Xhelozia ekspansive lindi atëherë kur femra u bë ambicioze dhe ekspansioniste dhe filloi konkurencën me mashkullin. Sukseset dhe arritjet e femrave, zhvilluan tek mashkulli ndjenjën e frikës së konkurentit të fortë. Sa më e suksesshme gruaja, aq më xheloz mashkulli.

Njëri ndër qëllimet e emancipimit të femrës është, çlirimi i saj psikik nga psikika e burrit, dhe gruazimi sa më i madh i shoqërisë. Meshkujt kanë frikë nga kjo, ndihen të pasigurt dhe kjo iu shkakton atyre ndjenjën e xhelozisë personale. Sa më i madh që është pranimi i grave në shoqëri, aq më të pasigurt ndihen meshkujt.

Në një bashkëbisedim mbi xhelozinë personale, një burrë tipik i parimit të izolimit të femrës në shoqëri, thotë: „Kur dëgjoj për këso lloje xhelozie, më ngrihet leshi i kokës, bëhem depresiv dhe agresiv.

Jam shumë xheloz ndaj shokëve të gruas sime. Pastaj ndaj grupeve femërore feministe, akoma edhe më shumë. Po më çmendin studimet dhe kualifikimet e saj. Nuk është xhelozi seksuale kjo që më mundon mua. Është diçka krejt tjetër. Kam frikë se gruaja do të shkojë shumë larg dhe unë nuk do të jem më njeriu kryesor me të cilin ajo do të mund të diskutojë problemet e saj. Kam frikë se po më del gruaja nga duart. Unë e vë re se pushteti im në familje po vjen duke u zvogëluar. Ajo mundohet të më qetësojë duke më thënë se, unë me të tjerët diskutoj probleme që nuk kanë të bëjnë fare me ty dhe as që të përkasin ty fare. Përgjigjia e saj ështe për mua thikë në zemër dhe më kallë tmerrin. Jam aq i tronditur sa nuk e marr dot veten, as kur shkoj me shokët për të pirë ndonjë gotë. Pushteti i takon atij që di më shumë. Po unë! ? Kjo është çështja“.

Meshkujt mburren gjithmonë me aftësitë e tyre, pa iu shkuar mendja se femra mund t‘i parakalojë ata. Nëse rrezikohen nga parakalimi i saj, ata bëhen xhelozë dhe ndihen keq.

Intuita e femrës (shqisa e saj e gjashtë) i bën meshkujt xhelozë. Ata nuk e durojnë dot femrën e kudondodhur, të cilës nuk i shpëton asgjë. Ndihen të skllavëruar.

Femrat nga natyra janë kooperuese më shumë se sa konkuruese, kur është fjala për zhvillim. Kjo bie ndesh me natyrën e meshkujve, dhe i bën ata xhelozë.

Femrat karakterizohen nga dëshira dhe forca për të ndihmuar dhe mbështetur të tjerët. Zhvillimin e tyre ato e mendojnë, bashkë me të tjerët. Kjo bie ndesh me egoizmin mashkullor, dhe i bën ata xhelozë.

Femrat karakterizohen nga aftësia e vetëpërmbajtjes dhe vetëkontrollit, d.m.th. nga pushteti mbi vetveten. Kjo bën që ato të jenë shumë më racionale në zgjidhjen e konflikteve se sa meshkujt. Meshkujt janë tipa të “duelit” dhe bëhen xhelozë.

Femrat mendojnë dhe pastaj guxojnë ndërsa meshkujt, guxojnë dhe pastaj mendojnë dhe bëhen pishman. Kjo i xhelozon meshkujt.

Femrat i njohin dhe pranojnë dobësitë e tyre. Nuk e kanë për turp të kërkojnë ndihmë. Meshkujt nuk e bëjnë këtë. Kjo i xhelozon dhe i xhindosë meshkujt.

Femrat e kanë aftësinë e përshatatjes dhe integrimit, për çdo rast dhe në çdo vend e situatë, shumë më të lartë se meshkujt. Kjo ua prish rehatinë meshkujve dhe i bën ata xhelozë.

Femrat karakterizohen nga empatia. Ato janë jetëdhënëse ndërsa burrat janë jetëmarrës. Kjo i sikletosë meshkujt dhe i bën ata xhelozë.

Femrat nuk i ndajnë njerëzit në dy grupe të mëdha, në miq dhe armiq, si meshkujt. Kjo është e padurueshme për meshkujt dhe i bën ata xhelozë.

Janë të shumta rastet, ku në shoqëritë patriarkale, meshkujt, për ta injoruar, poshtëruar dhe skllavëruar femrën, sajojnë shkaqe të panatyrshme dhe i kthejnë në norma të moralit të familjes, dhe shoqërisë. Xhelozia personale e meshkujve ndaj femrave, nuk duhet injoruar dhe as nuk duhet menduar si një fenomen i parrezikshëm dhe i përkohshëm i cili me kalimin e kohës shuhet vetvetiu. Meshkujt nuk do të mund ta luftojnë atë kurrë me forma “guerilë”. Ata nuk mund të mendohen aq produktivë në këtë drejtim pasi iu mungojnë vetitë e nevojshme si, ndjenjat, vlerat dhe qëndrimet.

Meshkujt nuk pranojnë që të mësojnë nga femrat. Përkundrazi, ata mundohen që ti asfiksojnë ato me gjithë aftësitë dhe cilësitë e tyre biologjike. Meshkujt vetëm në rastet e vetmisë mund të kujtohen për cilësitë e femrës dhe ti pranojnë disa nga ato.

Shkaqet e xhelozisë personale tek meshkujt duhen kërkuar tek cilësitë e tyre, konkuruese dhe rivalizuese, në jetën private, në sport, teknikë, art, literaturë, politikë, ushtri. Njëri duhet që gjithmonë të jetë më i shpejti, më i forti, më i pushtetshmi, më i zgjuari, më i pasuri, dhe vetëm kështu ndihet mirë, dhe ky duhet të jetë mashkulli. Për tu bërë i tillë, luftojnë të gjithë kundër të gjithëve, edhe kundër femrave, edhe kundër grave të tyre.

Xhelozia personale bllokon energjitë pozitive të brendshme dhe në vend të tyre zhvillohen ato negative. Kjo sjell jo vetëm urrejtjen ndaj femrës por kërcënon me një shembje të përgjithshme të sistemit njeri. Xhelozia personale e bllokon zhvillimin dhe çdo përparim të femrës. Ajo e kthen atë në një zog kafazi. Arritjet e gruas, gëzimet e saj, sukseset e saj, shoqëritë e saj, janë pasiguri dhe frikë për burrin. Në kulturat patriarkale, çdo arritje e femrës mendohet si kundërvënie ndaj burrit, gjë të cilën burrat mundohen ta vrasin që në embrion. Aty mendohet se, gruaja, asgjë nuk mund të arrijë pa burrin, as edhe të mendojë. Dhe gratë që guxojnë, mendohen të parespekt, të përdala dhe si të tilla ndëshkohen rëndë.

Faktorët emocionalë dhe socialë luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, i cili nuk mund të injorohet. Kokëfortësia e meshkujve për të mos u dorëzuar në rolet e tyre, është vendimtare. Kundërshtitë kundër presioneve të jashtme për ndryshimin e identitetit të tyre, janë më traumatike se çdo gjë tjetër. Nuk ka gjë më traumatike për meshkujt se sa të detyrohen të luajnë me vajzat dhe sillen si ato, në vend që të luajnë dhe kacafyten me djemtë. Krahasimi, për nga karakteri, i djemve me vajzat, është traumatik për ata.

Problemi i konflikteve gjinore nuk është vetëm xhelozia seksuale. Është shumë më tepër. Dhe kjo më tepër, në formë të përmbledhur, duket se është tendenca nga të dyja palët, për të mos e lënë tjetrin në status quonë e vet. Meshkujt mbi të gjitha i qëndrojnë besnik identitetit të tyre. I druhen shumë tendencës së femrave për t‘i “zbutur” ata dhe kthyer në mace shtëpie. Këtë rrezik meshkujt e mendojnë jo vetëm nga gratë e forta dhe ekspansive por, nga të gjitha ato që përpiqen të ndryshojnë diçka tek ata. Çdo ndërmarrje e kësaj natyre nga ana e femrave, i tmerron dhe zemëron meshkujt po aq sa edhe xhelozia seksuale. Burri latant xheloz dhe gruaja e tij besnike, jetojnë në një atmosferë frike dhe mosbesimi ndaj njëri-tjerit. Në shoqërinë e burrëzuar, tradita e shton pasigurinë dhe frikën. Gruaja kujdeset për burrin, shendetin dhe jetën e tij dhe mundohet ta mbajë në qendër të vëmendjes. Krahas kësaj ajo shpalosë edhe “menynë”e saj femërore, siguri, mbështetje, mirënjohje, qetësi, dashuri. Pa këtë meny, ajo nuk jeton dot. Nëse burri nuk ia servirë dot vullnetarisht, ajo mundohet t’ia zhvasë atij në mënyrë të pandijshme. Meshkujt, nëse i “lëshojnë pe”gruas, në të shumtën e rasteve bëhen pishman dhe ndihen keq. Opinioni nuk e pranon dhe nuk ua lejon një gjë të tillë. Dhe meshkujt jetojnë për opinion, shumë më tepër se me të vertetën.

Meshkujt nuk dyshojnë asnjëherë në aftësitë e tyre. Kur ata dështojnë, mendojnë se shkaku është dikush tjetër. Në të shumtën e rasteve, ai dikush tjetër, është gruaja. Që gruaja të mos kthehet në shkak dështimesh ata mundohen ta izolojnë sa më shumë nga problemet dhe t’ia bllokojnë mundësitë e zhvillimit. Nëse gruaja nuk bindet me “gulashin”, atëherë burri i tregon kërbaçin.

Meshkujt që vuajnë nga xhelozia personale, rrezikojnë jetën bashkëshortore dhe marrëdhëniet sociale. Xhelozia personale, në masën e duhur, është zhvillim. Kush vuan nga mungesa e kësaj ndjenje nuk mund të zhvillohet. Por, ai që nuk mund ta sundojë atë, do të bëhet ai që nuk është dhe që nuk do të dëshironte të ishte. Do të dështojë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat