Gëzim Tushi: Plakja e popullsisë shqiptare po merr përmasa dramatike!

Sociale

Gëzim Tushi: Plakja e popullsisë shqiptare po merr përmasa dramatike!

Nga: Albert Z. Zholi Më: 28 mars 2022 Në ora: 17:10
Gëzim Tushi

- Shqipëria, dikur ishte vendi europian me moshën më të re, rreth 27 vjeç, sot ka arritur mesataren e moshës 35 vjeç

- Për të mbajtur konstant këtë numër të popullsisë që kemi, do të duhej të kishim 2.1 fëmijë për grua

- Politikat e punësimit, duhet të jenë më efektive e dinamike, për të zbutur akoma më shumë nivelin aktual të varfërisë dhe papunësisë.

Raporti i gjendjes së popullsisë së botës për 2018, i cili përfshin 155 vende, mes të cilave edhe Shqipërinë, tregon se tendencat globale po shkojnë drejt familjeve më të vogla, martesave të vona në moshë, si dhe plakjes së popullsisë. Në Raportin e Plakjes Globale, OKB e ka renditur Shqipërinë në grupin e dhjetë vendeve, që kanë pësuar plakjen dhe tkurrjen më të shpejtë të popullsisë gjatë periudhës 2000-2011. Po ashtu OKB thekson se faktorë si emigracioni dhe rënia e numrit të lindjeve do ta thellojnë edhe më tej mungesën e forcës aktive të krahut të punës. Ja cilat janë shkaqet sipas sociologut të mirënjohur Tushi për këtë fenomen kaq negativ për vendin tonë…

-Para disa muajsh, Instituti i Statistikave prezantoi shifrat më të fundit rreth popullsisë shqiptare, sipas të cilave ajo rezultonte sërish në rënie dhe duke u plakur. Si do t’i komentonit ju këto shifra?

Fenomeni i plakjes së popullsisë është një dukuri globale, e cila është kthyer në një “epidemi demografike”, që ka përfshirë të gjithë vendet. Sidomos ato të zhvilluara, europiane dhe më gjerë. Plakja me ritme të shpejta e popullsisë në Shqipëri nuk është vetëm një shqetësim demografik, por është me pasoja edhe në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Sepse, nga njëra anë ulet mosha e forcës aktive të punës në ekonomi dhe nga ana tjetër, rriten shpenzimet që duhen për të përballuar nevojat dhe kostot e shtresës së të moshuarve për sigurimet e tyre shëndetësore e shoqërore.

-Cilat janë sipas jush shkaqet e kësaj plakje?

Plakja e popullsisë është një dukuri, që ka shkaqet e saj. Tashmë është prezent edhe në Shqipëri, e cila nëse dikur ishte vendi europian me moshën më të re, rreth 27 vjeç, sot ka arritur mesataren e moshës 35 vjeç. Edhe pse nga pikëpamja e moshës mesatare nuk jemi ndër listën e vendeve me popullsi me moshë të plakur, shqetësues është ritmi i lartë i procesit të plakjes, që është nga më të lartit në Europë. Kjo sepse shpejtësia e plakjes së popullsisë shqiptare është akseleruar dhe shfaqet me dinamikë të lartë. Mjafton të themi se nëse në vitin 2006 mosha mesatare ishte 31.8 vjeç, tani e ka kaluar moshën 37.2 vjeç. Shkaqet janë të shumta, me natyrë materiale dhe kulturore, që lidhen me ndryshimin e konceptit për jetën, ndryshimin e tipologjisë së martesës, strukturës së familjes, kontrollin e lindjeve, etj.

Së pari, një nga shkaqet evidente është ulja drastike e lindshmërisë. Të dhënat flasin për një ulje të ndjeshme të saj. Kjo ka bërë që nga 5 fëmijë për grua që kishte shoqëria jonë në vitin 1970, sot ajo ka zbritur në 1.67. Ndërkohë që për të mbajtur konstant këtë numër të popullsisë që kemi, do të duhej të kishim 2.1 fëmijë për grua. Pra, kemi kaluar në një situatë kur ndodhemi nën normën e zëvendësimit aritmetik të popullsisë.

Së dyti, zgjatja e jetës është një tjetër tregues që dëshmon për plakjen e popullsisë dhe prishjen e raporteve midis moshës së re aktive dhe të moshuarve.

Së treti, emigracioni është një nga shkaqet me peshë që akseleron treguesit mekanikë të plakjes së popullsisë. Sepse në këto tri dekada janë larguar përmes valëve të emigracionit të rregullt apo klandestin më shumë se një milion njerëz. Një fenomen që po vazhdon edhe kohët e fundit, duke u shfaqur si një lloj “emigracioni i vonuar”. Kjo dukuri, (emigracioni), ka bërë që nga Shqipëria të largohen kryesisht mosha rinore dhe njerëz të aftë për punë, duke ndikuar në prishjen e raporteve midis popullsisë së re në moshë dhe njerëzve të moshuar.

Ndikimi i emigracionit në plakjen e popullsisë duhet vlerësuar në të gjithë aspektet, sepse pasojat janë komplekse dhe afatgjata, demografike, ekonomike, sociale e financiare.

-Dhe çfarë duhet të bëhet sipas jush në një situatë të tillë?

Tushi: Kjo situatë kërkon përmirësimin e politikave që kanë të bëjnë me përmirësimin e mesatares moshore të popullsisë tonë, për ligje që mbështesin dhe favorizojnë lindshmërinë, mbështetjen për trajtimin e fëmijëve në institucionet e kujdesjes sociale (kopshte e çerdhe), mbështetje për nevojat e tyre, etj. Po kështu, është e nevojshme që reformat, të cilat kanë të bëjnë me politikat e punësimit, duhet të jenë më efektive e dinamike, për të zbutur akoma më shumë nivelin aktual të varfërisë dhe papunësisë.

INSTAT

Numri i familjeve në vend ka shënuar rënie për të dytin vit radhazi, duke reflektuar plakjen graduale të popullsisë si dhe ritmet e larta të emigracionit, që është përshpejtuar vitet e fundit, duke përfshirë edhe familjet.

Në 2020-n në vend kishte rreth 769 mijë familje, ose 2,637 familje më pak se një vit më parë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve. Edhe në 2019-n, numri i familjeve ra me rreth një mijë, në krahasim me vitin e mëparshëm. Që nga viti 2018, kur u shënua numri më i lartë i tyre, në vend ka rreth 3,700 familje më pak (-0.5%). Shqipëria është përfshirë vitet e fundit nga një valë e lartë emigracioni, ku krahas të rinjve po konstatohej ikja e familjeve.

Një anketë e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje në periudhën prill-korrik 2019 ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.

Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug.

Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat