Çdo i pesti fëmijë në Kosovë, është i bullizuar

Sociale

Çdo i pesti fëmijë në Kosovë, është i bullizuar

Më: 3 maj 2022 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

20 për qind e nxënësve në Kosovë, bullizohen. Leart Halili është njëri nga ata që për vite me radhë u bullizua nga bashkëmoshatarët dhe të rriturit. Historia trishtuese për Leartin fillojë në një shou televiziv, kur ai ishte në shkollën e mesme. Learti ka vendosur të dal dhe të flasë hapur për këtë dukuri negative pasi siç thekson ai pasojat janë tejet të mëdha në aspektin psikologjik të një fëmijë i bullizuar.

 “Nëse flasim për emocionet që unë i kam përjetua gjatë asaj kohe beso që edhe 10 emisione kisha pas çka me tregu. Nuk kam mund me besuar që të gjithë ata njerëz munden me gjykuar për të njëjtën gjë, pa provuar me të pyet çka ka ndodhë”, thotë Learti për RTK.

“Në momentin që kam kaluar i kam dëgjua duke i përsërit ata, fjalët të cilat i kam thënë unë në shoun televiziv. Nëse them nuk jam zhgënjye mund të gënjej, se si 16 vjeçar, mënyrën e të menduarit nuk e kam pas si e kam tani”.

Bullizmi është dhunë psikologjike ose fizike e cila ndodh masivisht në mënyrë të vazhdueshme mes fëmijëve.

Ky fenomen është i përhapur me dekada të tëra edhe ne vendin tonë, por vetëm këtë vitin e fundit është filluar të trajtohet nëpër shkollat tona, aty ku është edhe gjeneza e tij. Në bazë të statistikave, çdo i pesti fëmijë është i bullizuar.

Psikologia Shkurtë Bajgora kërkon nga prindërit dhe mësimdhënësit që të jenë më vigjilentë përballë nxënësve dhe fëmijëve të tyre që të kuptojnë më lehtë nëse ata janë duke u bullizuar.

“Fëmijët që po bullizohen vërehen që kanë një kthim mbrapa të zhvillimit të tyre mendor dhe të aftësitë për vetëbesim për çdo fushë të jetës”,   thotë ajo për RTK-në.

Sociologët vënë në dukje se 20 për qind e nxënësve bullizohen, nga kjo statistikë përkthehet se nëse në një klasë janë 40 nxënës, 8 prej tyre janë të bullizuar.

E ata të cilët kanë bullizuar të tjerët në fëmijëri, kur rriten janë të predispozuar në vepra kriminale, rreth 60 për qind e bullizuesëve kanë precedent penal.

“Personi i cili bullizon dhunën e sheh si normale sepse ai është i dhunuar vetë ndoshta në familje, bullizuesi është më i pushtetshëm, në anën tjetër individi që bullizohet do të ketë pasoja traumatike të cilat mund t’i transferohen në probleme personale, të shndërrohet në problem jetik, në humbje vetëbesimi dhe distancës sociale, një lloj izolimi”, thotë Artan Muhaxhiri, sociolog.

Në shkollën “Gjergj Fishta” është krijuar edhe grupi i ndërmjetësimi pikërisht për rastet kur fëmijët e kësaj shkolle përfshihen në ngacmime, dhunë dhe bullizëm në mes vete.

Ne jemi trajnuar për grupin e ndërmjetësimi, i cili si qëllim e ka dëgjimin e jo gjykimin. Pikërisht në këtë klasë ka qenë një rast, kur kemi shkuar në dhomën e ndërmjetësimit, kanë ardhur në përfundim palët e përfshira që aty për aty të pajtohen, dhe nga ajo kanë kaluar dy vite që nuk është përsëritur”, tregon arsimtarja e gjuhës shqipe,Maliqe Syla.

Bullizmi lë pasoja të gjata tek viktima. Pasojat janë humbja e vetëbesimit, mossocializimi, mbyllja në vetvete, rënia në mësime, largimi nga mësimi, të cilat ndikojnë negativisht në formimin e personalitetit te një fëmijë. Por mund të ndodhë edhe më fatalja vetëvrasja, nga ana e viktimës.

Andaj, shteti duhet të përfshijë konceptin e bullizmit si term të veçantë në protokollin arsimor, duke krijuar edhe një strategji për këtë fenomen.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat