"Terroristët": Të plagosurit në repartin e kirurgjisë vaskulare (QKUK) identifikoheshin si “terroristë”

Sociale

"Terroristët": Të plagosurit në repartin e kirurgjisë vaskulare (QKUK) identifikoheshin si “terroristë”

Nga: Sali Krasniqi Më: 1 korrik 2022 Në ora: 14:56
Islam Thaqi majtas, me doktorin e njohur Sadri Bajraktarin

E ka sjellë në klinikë polica serbe dhe ka qenë i keqtrajtuar. Në rubrikën e profesionit i shkruante “TERRORIST”. Në rubrikën e diagnozës shkruante Dg: Fractura aperta gr.I intercondylaris humeri lat.dex. (Thyerje e hapur e shkallës së parë brenda nyjës së bërrylit dhe kockës së krahut të anës së djathtë). Në klinikë ka qëndruar 10 ditë. Kam gjetur shënime se është mirë në Prizren. Në librin e pranimit në spital i regjistruar me profesion si “TERRORIST”.

Përjetimet e Islam Thaçit në Qendrën Klinike Spitalore në Prishtinë në vitin 1998

“Gjatë kalimit të kufirit, si pjesëtar i UÇK-së, duke sjellë armatim për shtabin lokal të UÇK-së në Prizren, fillimisht biem në pritë me grupin në bjeshkën e Koritnikut në natën e 27/28 korrikut 1998 e pastaj gjatë ditës 28 korrik përsëri biem në pritë në fshatin Buqe të Komunës së Dragash-it, ku gjatë luftimeve tërëditore plagosem dhe zihem gjallë dhe mbrëmjen e asaj nate e kalova në stacionin e Policisë në Dragash. Më 29 korrik 1998 dërgohem në Stacionin e Policisë në Prizren, ku gjatë marrjes në pyetje nga pjesëtarët e UDB-së, pas disa orësh maltretimesh i plagosur dhe i therur me thikë, mbaj mend që disa herë isha alivanosur. Për të më kthjellur më dërgonin në banjë dhe më lagnin me ujë. Në një moment, pas shumë orëve të torturave, gjatë tërheqjes zvarrë nëpër korridore për në dhomën ku merresha në pyetje, në afekt kam sulmuar policët dhe, duke parë që s’ka rrugëdalje tjetër, kërceva nga dritarja e katit të 4 të stacionit policor në Prizren (tani Alfa). Kisha mbetur (sipas rrëfimit të tjerëve), mbi çatinë e jashtme të shkallëve hyrëse në stacion. Nga aty, i plagosur rëndë dhe i lënduar, isha dërguar në Spitalin e Prizrenit në pasditen e 29 korrikut 1998.

E enjte, 30 korrik 1998

Se di sa ka qenë ora, kur kam hapur sytë? Kisha maskën për oksigjen në fytyrë, ngase kisha problem me frymëmarrjen nga lëndimet e shumta edhe në kraharor. Në dhomën e spitalit të Prizrenit isha zgjue, në dhomë kishte hyrë pjesëtari i policisë që dje më kishte torturuar dhe marrë në pyetje, por të cilin në afekt së bashku me kolegun e tij e kisha sulmuar më pas. Në afekt kisha thyer dritaren e asaj zyre dhe kisha kërcyer duke thyer xhamat. Nga kati i saj i katërt (i fundit). Isha lëndue edhe më keq, tanimë dorën e djathtë e kisha tërësisht të thyer, brinjët po ashtu dhe isha i therur me thikë në këmbën e djathtë dhe në mjekër... Me gjasë që dikush kishte dhënë urdhër që të transferohesha në Spitalin e Prishtinës, kështu që ia pamundësuan marrjen përsëri në pyetje policit që sapo hyri në dhomë.

Disa minuta më vonë në dhomë u futën disa policë me armatim dhe një teknik medicinal. Me mund të madh më vendosën në një karrocë dhe në të qesen e urinës time dhe një qese me infuzion. Kisha dhimbje të mëdha, por pak fuqi për ta shprehur me gojë, qoftë edhe me një ofshamë. Oborri i spitalit me dhjetëra policë, e unë nga ajo turmë policësh pash në një shitore që ishte në oborr të spitalit dajën Vehap dhe vjehrrin tim, Zaimin, që shikonin se në çfarë gjendjeje isha. Mjafton fakti se vjehrri im, kur më pa, në një moment aq shumë u ligështua sa që humbi qëndrimin dhe daja e mbante. Se sa isha i lënduar, mjafton fakti se trupin tim nuk e mbaja dot as ulur dhe policët më kishin lidhur me disa rripa. Por, ajo që mbaj mend më së shumti nga ajo ditë është një skenë ende pa dalë nga qyteti nga Prizreni.... E kishin ndalur veturën pranë Urës së Gurit dhe ai eprori që udhëhiqte bartjen time më zgjoi duke bërtitur dhe m’u drejtua: “Vidi bre za koga ratujes i zelis da gines! Budallo jedna”. (“Shiko se për kë po lufton dhe po dëshiron të vdesësh! Budalla!”). Në fakt njerëzit, prizrenasit, kalonin mbi Urën e Gurit për në Shatërvan sikur të mos zhvillohej luftë! Për shkak të lodhjes së madhe fizike dhe lëndimeve të shumta gjatë gjithë rrugës nga Prizreni gjer në Burgun e Lipjanit mbaj në mend vetëm sekuenca të shkurtra, asgjë më shumë, dhe ajo që di është se aty kishim mbërri nga rruga Prizren-Shtërpcë-Lipjan. Në burgun e Lipjanit kishin ndaluar. Nga aty drejt e në Qendrën Klinike Spitalore në Prishtinë. Kishin sjellë një shtrat lëvizës dhe dy punonjës që ishin pastrues për të më nxjerrë nga vetura. Mua në fakt më zgjoi komandanti i Policisë, që udhëhiqte bartjen time. Pasi me mund të madh më vendosën në shtrat, ai m’u afrua dhe m’u drejtua: “Vidi mali, ovo je tek pocetak! Ali znaj da ti u ocima vidim da ces preziveti ovaj rat” (“Shiko vogëlush, ky është vetëm fillimi! Por dije që në sytë e tu po shoh që do ta mbijetosh luftën”). Më vendosën në repartin e ortopedisë në dhomën numër 4, në mesin e civilëve, që i kishin plagosur vetë Policia e Ushtria. E në dhomë dy fëmijë të plagosur në këmbë dhe një burrë diku me gjasë mbi 60 vjeç. Nuk ua mbaj mend emrat e tyre, ngase shumicën e kohës atë pasdite e natën e kisha kaluar në gjumë. Dy policë kanë qenë të angazhuar që të kujdeseshin për mua! Isha i lidhur me pranga në këmbën e majtë dhe për shtratin tim. Dikur natën kisha problem me frymëmarrjen dhe ai plaku thërriste mjekun dhe qante duke më shikuar! Mjekja kujdestare atë natë së bashku me infermieren përsëri ma vendosen maskën e oksigjenit dhe aty e kuptova që kisha shumë brinjë të thyer dhe po më shkaktonin probleme me frymëmarrjen.

E premte, 31 korrik 1998

Ishte dita e operimit tim. Në fakt nuk e mbaj në mend shumë kohën para operimit atë ditë! Çdo gjë ishte si në ëndërr, ngase shumicën e kohës flija. Pak a shumë, sa herë më lëviznin unë vetëm për pak qaste hapja sytë dhe përsëri i mbyllja. Pas shumë vitesh kam dëgjuar veçmas nga dr.Bedri Bakalli se në fakt unë jam përgjigjur dhe kam folë edhe në kohën e para operimit. Kisha bërtitur ndaj policëve në gjuhën serbe... por këtë pjesë s’e mbaj mend! Pas operimit, në ashensor të spitalit, gjatë bartjes për në katin e katërt, motra që më shoqëronte (Hadija) mundohej që të merrte ndonjë informacion nga unë që t’i tregonte familjes se ku gjendem. Në momente, kinse po e rregullonte kokën time, ajo më fliste në vesh dhe më pyeste. Në çdo çast kur policët shpërqendroheshin, unë i tregova numrin e telefonit të dajës tim. Atë ditë pas operimit më vendosën në repartin e Kirurgjisë Vaskulare. Në një dhomë ku tani ishin edhe 3 të tjerë të plagosur. Qerim Jetishi, Mehdi Limani dhe Arsimi (mos gabofsha mbiemrin Hasimi). Në këtë dhomë do të qëndroja deri më 10 gusht 1998 e më pastaj në burgun e Lipjanit.

Atë ditë, edhe një kohë isha nën ndikimin e anestezionit nga operimi. Por, ajo që dua të rrëfej e mos ta kujtoj është nata e parë në këtë dhomë e që çdo natë pastaj ishte e njëjtë! Diku kah mesnata, pas orës 23:00, në dhomë vinin policë, ushtarë e paramilitarë, të plagosur, që ishin në katet më poshtë! Me siguri nga Ortopedia. Në fakt, për të na ruajtur neve ishin në detyrë 24 orë çdo herë 2 policë të armatosur, por torturimet e maltretimet bëheshin në praninë e tyre çdo natë!

Image
Islam Thaqi në rini

 

Futeshin në dhomë me paterica, madje ka ndodhë edhe me karrocë dhe të gjithë me armë! Qerim Jetishi ishte afër dritares dhe aty ishte një radiator i nxehjes qendrore për të cilin ishte i lidhur. Afër Qerimit ishte Mehdi Limani, edhe ky i plagosur rëndë nga predhat, që ishte i lidhur për shtratin e tij. Pas Mehdiut isha unë dhe në fund ishte Arsimi (afër derës). Hynin si gjahtarët pas gjahut! Atë natë unë isha i ri në atë dhomë, dhe si të tërbuar u vërsulën. E mbaj mend se, edhe pse isha operuar, ata me kondak të automatikut më qëlluan në vendin e operimit në gjoks, ndërsa njëri prej tyre tytën e revoles ma mbante në gojë!

Disa herë tentoi që ta shkrepte, por në një moment njëri nga policët që kujdesej e largoi dhe iu drejtua: “Ubijanje nema, samo mucenje i tortura” (“S’ka vrasje, vetëm maltretime e tortura”)! “Mogu da umru samo na mukama” (“Mund të vdesin vetëm nga mundimet”).Urinonin në dhomë, pinin alkool, këndonin dhe deri në mëngjes torturoheshim. E di që për shkaqe sigurie pas orës 21:00 edhe mjeku edhe motrat kujdestare që ishin në ndërrime mbylleshin nëpër dhoma! Unë isha i operuar në dorën e djathtë, por dorën e majtë e kisha të lidhur për shtrati e herë pas here edhe këmbën e majtë ma lidhnin e kjo krejt varej prej ndërrimit të policëve!

7 gusht 1998

Edhe kjo ditë ishte shumë e nxehtë, muaji gusht. Pas vizitave të mjekëve dhe kontrollit, kur s’kishte policë në dhomë, ashtu me zë si në pëshpëritje, këmbenim ndonjë fjalë mes vete. Mundoheshim që të mos e ngritim zërin më shumë se rubineta (çezma) që ishte në dhomë, nga e cila rridhte uji e që ne nuk mund ta pinim. Policët e linin me qëllim, ndërsa ne të lidhur për shtrati kur na pihej uji pritnim derisa nëpër korridor të endej ndonjë mantelbardhë për të thirrur: “OJ MOTËR, UJË BRE”! Pastaj, cilado motër të qëllonte, me leje të policisë, do na jepte ujë si foshnjës. Gjatë vizitës së mëngjesit, dr.Bedri Bakalli, duke e ndërruar fashën nga plaga ime, buzëqeshi dhe ashtu më foli me po aq zë që vetëm unë ta dëgjoja: “Edhe unë jam Thaç me fis, ama jo si ti! Mbahu”! (Nga kjo kuptova se ishte lidhur emocionalisht shumë me mua, ngase edhe vet pas daljes time nga burgu e pranoi këtë).

Dikur paradite në dhomë u fut një grua të cilën e shoqëronin disa meshkuj të armatosur (kuptova që ishin policë, edhe pse me rroba civile). U prezantua në gjuhen serbe dhe kërkoi që të flas serbisht, ngase tha ti ke kryer shkollim në Beograd! “JA SAM JAVNI TUZILAC, DANICA MARINKOVIC”... Kërkoi që t’i jepja deklaratë, por unë refuzova ngase thash s’jam në gjendje që të deklarohem. Njëri nga policët që e shoqëronin, cigaren e ndezur e fiku në këmbën time të majtë, që ishte e prangosur për shtrati. U ndal e më shikoi: “PRICACES TI, PRICACES, IMA DA PEVAS”. (“Do të flasësh ti, do të flasësh, do të këndosh”). M’i lexoi kinse të drejtat e mia dhe kërkesën nga Prokuroria Themelore në Prizren për marrje në pyetje. Pastaj tha, ti nuk po deklarohesh sot, por s’ke qare! Pastaj doli nga dhoma. Atë natë për këtë gjest kisha tortura shtesë, madje edhe nga vetë policët roje.

Kjo ishte një pjesë e përjetimeve të natës së parë në dhomën e famshme të repartit të Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Klinike Spitalore në Prishtinë. Ishin dr. Bedri Bakalli (i cili më ka operuar), dr. Sadri Bajraktari, prof. Salih Krasniqi, prof. Valbon Gashi, si dhe motrat Hadije, Fatime e në veçanti Drita Berisha, që aq shumë rrezikonin edhe jetën e tyre për të dhënë një medikament, për të dërguar ndonjë informatë për ne tek familjet tona.

10 gusht 1998

Në mesditë, nga Spitali i Prishtinës, nën përcjellje të policisë, u dërgova në Burgun e Lipjanit, ku qëndrova për një muaj dhe pastaj u transferova në burgjet ushtarake në Nish dhe në Beograd, në Burgun Qendror (CZ). Nga këtu do të kthehem në burgun ushtarak në Nish dhe pas dënimit nga Gjykata Ushtarake e Armatës së Tretë në Nish dhe dënimit të plotfuqishëm, u dërgova për ta vuajtur dënimin në Burgun e Nishit, më 20 maj 2000. Prej aty, më 27 mars 2002 do të transferohem për në Burgun e Dubravës nga ku do të lirohem.

Viti 2002

Pas daljes nga burgu dhe pas një pushimi dymujor, në muajin maj të 2002 vendosa që të shkoj për kontroll në QKUK. Kisha nevojë edhe për një operim, pasi që kisha edhe një impiant në dorë ende nga operimi i parë i vitit 1998. Ku tjetër përpos te dr.Bedri Bakalli, që më kishte operuar herën e parë. (Në fakt edhe dy operime i kam pasur gjatë vuajtjes nëpër burgje, një herë në dorë e pastaj në këmbë, pasi pas gjykimit m’i kishin thyer gjatë torturave gishtat e këmbës së djathtë). Me të arritur në repartin e Ortopedisë kërkova dr.Bedriun. U përshëndetëm, por gjatë përshëndetjes s’u prezantova, vetëm se tregova që kam nevojë për konsultë. U ulëm në zyrën e tij dhe vura re se s’po më njeh. Fillova bisedën duke pyetur për një djalë nga Prizreni që ky e kishte operuar në kohë lufte (mua), por e vërejta se ende s’po më njeh!!!

Unë e përshkruaja veten e bëja shumë pyetje, deri në ditën e largimit të tij (timin). Në një moment, pas nja 15 minuta bisede, ia shtrova pyetjen: “Doktor, a është gjallë ai djalë”? “S’e di, për besë”!, mu përgjigj. “Doktor, gjallë, gjallë është, ashtu kam dëgjue”, ia ktheva. Ashtu si ishte i mërzitur, kur e pyeta a është gjallë sytë shkëlqyen kur i thash se është gjallë.

Image
Raportimi në media për arrestimin e ushtarit të UÇK-së, Islam Thaqi

Pastaj prapë: “O doktor, a kishe pas dëshirë me e pa”? “Po more, si jo”, ma ktheu! Po tani, meqenëse në dhomë me mua ishte edhe djali i tezës, Shkëlzeni, kërkonte me shikim se cili jemi Islam Thaçi. “Doktor, a e njeh atë djalë”? – e pyeta. “Jo, për besë jo, se shumë e ka pas fytyrën e lënduar në atë kohë”!!! – tha.

“Unë jam doktor ai djali nga Prizreni. Islami jam unë”, iu drejtova. U ngrit nga karrigia dhe s’dinte si ta kalonte tavolinën që na ndante nga gëzimi. U përqafuam, sa që më puthi në ballë dhe filloi të bërtiste nga gëzimi. Doli në korridor duke thirrur motrat e mjekët me emër, ata që kishin qenë në kohën e operimit në luftë. Për 2-3 minuta u mbush zyra dhe të gjithë po na shikonin -doktori me dorën e tij mbi supet e mia. “E more, a po e njihni a? Ai djali nga Prizreni, Islami more, që në sallë të operimit i shante policët! Kqyrne mirë se tani është bukurosh siç ka qenë gjithnjë. Thaç është ky”, iu tha.

Kjo ka qenë pjesa më emocionale, pas të gjitha vuajtjeve për gati 4 vite. Që përpos familjarëve të mi, t’i shoh lot gëzimi në fytyrë personelit mjekësor, që ishin gëzuar pa masë për mbijetesën time.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat