Nata e fundit me prof. Maxhun (Malë) Çekaj

Sociale

Nata e fundit me prof. Maxhun (Malë) Çekaj

Nga: Adem Lushaj Më: 14 gusht 2022 Në ora: 09:37
Maxhun (Malë) Çekaj

Ofensiva serbo-sllave e gushtit (9, 19 dhe 11 gusht), kishte përfshirë fshatrat Hereq, Gramaqel, Shaptej, Dubravë, Gllogjan, Irzniq, Baballoq, Rastavicë, Prekolluk,... ku ishte përdorur edhe artileria e rëndë serbo-sllave. Kishin shumë të plagosur dhe të vrarë. Ishte ofensivë e tokës së djegur. Granatimet ishin të vazhdueshme. Të rralla ishin objektet që nuk ishin goditur nga artileria e rëndë.

Ishte 10 gushti, dita e dytë e sulmit barbar të kriminelëve të Milosheviçit. Kishim disa të plagosur në fshatin Shaptej, por edhe në fshatrat tjera. Mezi arritëm që me një bus që e ngiste Agim Selmanaj, duke u shmangur nga granatimet e pandalshme, të plagosurit t'i çonim në spitalin e Irzniqit. Ishin orët e para të mbrëmjes. Terri veç kishte rënë. Pasi që strehova babain në familjen e Islam Islamajt në Irzniq, mora rrugën për në fshat. Aty ku ishte vija e frontit, sikurse që ishte në Gramaqel, Hereq, Baballoq, Rastavicë,...

Me të mbërritur në qendër të Irzniqit, takoj profin, kolegun, ushtarakun dhe njeriun e çmuar, Maxhun Çekaj. Aty e takoj edhe Bajram Dacajn dhe Shemsedin Çekajn. Që të tre ishin udhëheqësit e Shtabit të Irzniqit. Ishin komandantët e respektuar.

Shemsedini dhe Maxhuni ishin profesionist, ushtarak të karrierës. Mbetëm deri vonë në objektin që ishte si shtab i udhëheqësve ushtarak. Mbetëm deri vonë me Shemin, Bajrën dhe profin, i cili nuk më lejoi që të kthehem në fshat. Pasi që ishim edhe në lidhje familjare dhe për vite ishim së bashku në arsim, Maxhuni më tha që të shkoj me fjetë në shtëpinë e tij, ku ishte vetëm me bashkëshorten Fatimen (tezja e gruas sime). Në mëngjes në shtëpinë e Maxhunit ka ardhur Bajrami, ngase ishin shokë të pandashëm. Kur dolëm nga shtëpia, Maxhuni mbathi çizmet ushtarake që nuk i kishte mbathur shumë kohë, e të cilat ia vrisnin këmbët. "Tash shlirohen", na drejtohet mue dhe Bajramit.

Dolëm nga aty, ku marrë rrugën për në Shaptej. Nuk e takova kurrë më. Ra në altarin e lirisë! Ra si trim i vërtetë!

Lavdi i qoftë!

Gjithmonë do kujtohet si njeri me vlera të larta!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat