25 Vjet nga rënia heroike e Adrian Krasniqit (1972 – 1997)

Sociale

25 Vjet nga rënia heroike e Adrian Krasniqit (1972 – 1997)

Nga: Prof.Dr. Bahtijar Kryeziu Më: 24 tetor 2022 Në ora: 11:25
Adrian Krasniqi

Këtu e 25 vjet më parë, më 16 tetor 1997, ra heroikisht nga policia serbe në Kliçinë, heroi i kombit, Adrian Krasniqi, djali i dytë, manari, siç thoshte Rexhepi, babai i Ilirit dhe Adrianit. Adrianin nuk e kam njohur, por babanë e tij, Rexhen (Rexhep Kovaçin, siç i thoshim ne) po. Me Rexhen ishim së bashku ushtarë në Bistricë të Sllovenisë, nja 20 e sa kilometra larg Mariborit, njërit nga qytetet më të zhvilluara të ish-Jugosllavisë së Titos. Me Rexhen ishim të vetmit shqiptarë në atë bateri komanduese të artilerisë së rëndë. Rexha ishte një shok, që nuk i gjendej shoku. Me profesion ishte mësues, normalist, por që për nga dija e njohuritë ia kalonte shumë mësuesve me të cilët kam pasur punë. Ajo me të cilën dallohej Rexha, ishte fjala e besa. Ishte trimëria e guximi. Shpeshherë gjatë kujdestarisë sonë, në centralin telefonik të garnizonit, për 7 muaj na ishte besuar vetëm neve dyve lidhja kryesore, ai lëshonte radio Tiranën dhe dëgjonte këngë patriotike kushtuar patriotëve e heronjve shqiptarë. Shpeshherë edhe këngë për Enver Hoxhën, që për atë kohë ishte vepër që penalizohej edhe me burg, e aq më rëndë kur ishe ushtar në garnizonet e APJ-së. Në këshillat e mia, se, Rexhë, kështu do t’i bënim vetes keq, ai përgjigjej: “Nëse ti frikësohesh, unë jo” dhe sikur bëhej goxha nervoz. Madje njëherë, në marsin e vitit 1974, kur ishin acaruar marrëdhëniet Jugosllavi – Itali, na dërguan në terren në Sezhanë të Sllovenisë. Rexha ishte pak pa qejf dhe nga era e fuqishme i pëlciti gjaku nga hundët. Para eprorit ushtarak, gjuajti pushkën dhe shau, që për kohën ishte vepër që ndëshkohej.

herëherë më fliste për dy djemtë e tij: Ilirin dhe manarin e tij, Adrianin. Të dy thoshte i dua shumë, por Adrianin e kam djalë petrit, sypishë, të guximshëm, ku fëmijët e tjerë të lagjes nuk guxonin t’ia mësynin. Se Rexha e kishte vlerësuar që herët Adrianin, edhe pse nuk e pa rriten e tij, si një djalë trim e patriot, u dëshmua më 16 tetor të vitit 1977, kur si petrit iu sul stacionit të policisë serbe, ku edhe ra herokikisht, për të mos rënë kurrë – për popullin e atdheun e vet, për Kosovën martire.

Lavdi Adrian Rexhep Krasniqit! Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin e kombit – Adrianin heroik dhe heronjtë e tjerë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat