Familja që jeton me frikën se mos i shembet kulmi i shtëpisë

Sociale

Familja që jeton me frikën se mos i shembet kulmi i shtëpisë

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 11:13
Mehreme Ramadani

Tash e tri vjet, familja Ramadani po jeton në dy dhoma që nuk ngjajnë në shtëpi banimi. Muret e shtëpisë kanë marrë ngjyrë tjetër dhe vendi ku flenë vështirë ngrohet. Rrëmujë, lagështi, papastërti, është krejt çfarë shihet sapo hapet dera e Mehreme Ramadanit, e cila rrëfen  jetën e zorshme që po kalon. 61-vjeçarja nga Kolovica e Prishtinës zgjohet dhe bie në gjumë me lutjen që një ditë do të ketë një shtëpi. Ajo dhe bashkëshorti i saj po kërkojnë ndihmë, meqë janë të rralla rastet kur dikush ua zgjat dorën e ndihmës. Tërë muajin ata e kalojnë me pensionin social, shpesh flenë edhe të uritur.

Mehremja, tregon për kp dhimbjet që po i bartë me vete dhe pamundësinë që të ecë nga këmbët e ënjtura. Me fillimin e ditëve të ftohta, gjendja e saj vetëm sa po përkeqësohet.

“Ankesa kam për këmbë që një vit por çfarë është kjo kurrë nuk e di, që një vit këmbën e kam të mbuluar, por as mjekët nuk po di se çfarë është kjo... Kam bërë analiza por as ata nuk po e dinë... Në këmbë nuk kam dhimbje por veshka po më dhemb... Por këmbën nuk guxoj ta lë pa mbuluar se moti i ftohtë dhe me po ia nisi dhimbja, nuk më zë vendi vend”, rrëfen Ramadani.

61-vjecarja nga Kolovica e Prishtinës shton se shpesh fle e uritur dhe është e vetëdijshme se vendi ku po kalojnë ditët e netët nuk përmbush kushtet për banim.

“Nganjëherë njeri duhet të rrijë edhe pa ngrënë, llogarite që po agjërojmë ramazanin, s’kemi çfarë të bëjmë... Mirëpo, mos po më rrëzohet kulmi, kjo është frika më e madhe, shtëpia 100 vjet, po fryu një frymë e madhe na zë... Kërkesa ime është të ma ndërtojnë një shtëpi... Veç me shti kokën diku, a është e madhe apo e vogël, veç me pas ajër të pastër pak”, tregon mes tjerash Ramadani.

Familja Ramadani nuk po ndjen “dorën e shtetit”, por në disa raste komshinjtë ju ndihmojnë në sigurimin e ushqimit.

“Komshinjtë po na ndihmojnë nga pak. Një komshinj është shku në Amerikë, ai nga 100 euro në muaj na dërgon veç mos të vdesim për bukë...Jetojmë me qira, nga 50 euro e kemi muajin, por rryma, mbeturinat, uji, të gjitha me ato 100 euro.. Jetoj veç me burrë, edhe ai i ka bërë 86-vjeç, i sëmurë, plak por çka me bë... Një shpirtmirë na ka strehuar këtu se kishim vdekur për së ftohti... Në shtator janë bërë tre vite që jemi këtu.. Kemi qenë në një shtëpi tjetër, por ai në më të madhin kiamet na ka qit në sokak... Kam marr social por që tre vite ma kanë ndal sepse më kanë thënë shko merre një datë të ditëlindjes në Bosnjë, po si të shkoj atje kur i kanë kallë të gjitha, ndoshta nuk më kanë regjistruar askund, dhe ma kanë ndal, që tre vite as social e as asgjë... Qeveria e Albin Kurtit vetëm po mendojnë për xhepat e vetë edhe për familjen e vet, po e lë popullin të durojnë për bukë”, rrëfen Ramadani.

Mehreme Ramadani, përkundër vuajtjeve, ka mall edhe për familjen e saj të cilët asnjëherë nuk i ka takuar.

“Familja Ramadani në luftë i kanë mbyt serbët, veç axha dhe një fëmijë i vogël nuk është gjetur, të tjerët i kanë vrarë... Nuk e kam askënd, të gjithë i kanë mbytur, asnjë gjallë nuk ka mbetur, çfarë ka pasur i kanë vrarë dhe bile nuk di as kush janë prindërit e mi se nuk po kallëzojnë... Jam rritur jetime, as së njoh nënën, as babën, e askënd tjetër sepse kur rritet njeriu jetim, pa hëngër e pa pi, pa rroba... oj nënë e babë unë nuk kam askënd me thirr’, tregon mes lotëve ajo.

Të gjithë ata që duan të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin, +383 44 507 766.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat