Egzona Miftari ishte vetëm 13 vjeçe kur familja e martoi

Sociale

Egzona Miftari ishte vetëm 13 vjeçe kur familja e martoi

Më: 8 shtator 2016 Në ora: 16:26
Egzona Miftari

Egzona Miftari, pjesëtare e komunitetit rom, ishte vetëm 13 vjeçe kur familja e martoi në Fushë Kosovë, një qytezë disa kilometra larg Prishtinës. E lindur në një familje të varfër, ajo vazhdon jetën në varfëri, në bashkësi familjare me tre fëmijë.

“Ma mirë me u martu, gjithkush jetën e vet se n‘shkollë. Çka me ba në shkollë? Shkon, nuk e kalon mire, nuk ki sen”, thotë Egzona, e cila nuk ka qenë në shkollë asnjëherë.

Luan Rexhepi, i cili është martuar në moshën 17 vjeçare, aq sa ishte edhe gruaja e tij, po ashtu përkrah idenë e martesës në moshë të re.

“Kur kam qenë i ri ma shumë kam nejtë rrugëve tuj shetit e tu bo probleme, dikur e njoftova gruan time, u fejuam e u rahatova. Me u martu i ri njeriu rehatohet, rri rehat, nuk krijon probleme, krijon familje”, - thotë Luani.

Por, asnjëri nga të dy nuk do të dëshironte që fëmijët e tyre të martohen aq herët. Të dy do të donin që ata të shkollohen e të bëhen të zotët e vetes para martesës.

Egzona thotë se vajzën e saj do ta regjistrojë në shkollë, ndërsa Luani thotë se vajzat e tij duhet të arsimohen e të punësohen para se të marrin një vendim të tillë.

Të njëjtën këshillë për të rinjtë ka edhe Kumrije Millaki, e cila është martuar në moshën 16 vjeçare:

“Më ka martuar baba, nanën s'e kam pasë, ju lutem kush është e re mos të martohet se katastrofë është me u martu e re”, - thotë ajo.

Komunitetet rome, ashkali e egjiptas janë më të prekura nga kjo dukuri që nuk është e panjohur në Kosovë. Vitet '90 shënuan një rritje të kësaj dukuria, për shkak të situatës ekonomike, politike e sociale.

Studiuesit e organizatave ndërkombëtare dhe sociologët e vlerësojnë këtë dukuri si shumë negative, e me pasoja të shumëfishta për shëndetin dhe përparimin e të miturve. Visare Mujko-Nimani nga "Fondi për Popullsinë i Kombeve të Bashkuara", UNFPA, flet për rreziqet e një martese të hershme.

“Në radhë të parë i ndërpritet fëmijëria një vajze, i ndërpritet shkollimi, gjë që ndikon në prosperitetin e asaj vajze, në mundësitë për punësim, kontributin në familje, edhe më gjerë në shoqëri. Në aspektin shëndetësor, rrezikshmëria është shumë e lartë, martesa te vajzat e reja shkakton rrezikshmëri për vdekjen e saj në radhë të parë, pastaj kemi edhe pasojë lindjen e foshnjave të vdekura. Edhe mundësia e marrjes së infeksioneve seksualisht të transmetueshme rritet dy deri në 4 herë më shumë te vajzat në krahasim me djemtë, të cilët hyjnë në marrëdhënie të hershme të pambrojtura seksuale”, - thotë zonja Mujko-Nimani.

Fryma tradicionale ose patriarkale, mungesa e shkollimit, mungesa e mundësive për të hyrë në jetën publike, në jetën e përgjithshme shoqërore dhe në tregun e punës, janë faktorët kryesorë, që sipas sociologut Shemsi Krasniqi, nxisin këtë dukuri, e cila, thotë ai, nuk duhet të ndodhë sot në botë.

“Humbja e mundësive nga vajzat e reja, ndërprerja e karrierës në moshën 16 apo 17 vjeçare, heqja dorë nga shkollimi, dija dhe trendet moderniste, është mëkat dhe dëm i madh, sepse shumë talente që do të ishin shumë të dobishme për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi, përfundojnë diku nëpër skuta të errëta të realitetit”, - thotë zoti Krasniqi.

Parandalimi i martesave të hershme vlerësohet të jetë punë mjaft e vështirë.

“Në këtë aspekt duhet të mobilizohemi të gjithë, edhe individët, edhe komuniteti, edhe politikanët në të gjitha nivelet, në mënyrë që të punojmë, të rrisim vetëdijen në mesin e komunitetit RAE për pasojat e kësaj dukurie”, - thotë Visare Mujko-Nimani, nga UNFPA-ja.

Martesa e hershme përkufizohet si bashkim i dy personave, së paku njëri prej të cilëve është nën moshën 18-vjeçare. Gjykuar nga mosha, martesat e hershme përkufizohen si shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe të drejtave të njeriut./voa

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat