Drama e nënës nga Tirana: I vdes fëmija një muajshe, por nuk ka para të varrosë

Sociale

Drama e nënës nga Tirana: I vdes fëmija një muajshe, por nuk ka para të varrosë

Më: 8 mars 2017 Në ora: 21:44
Rudina Hoxha

Rudina Hoxha, një 37 vjeçare po përjeton ditët më të vështira të jetës. Para 5 ditësh ajo ka humbur në rrethana misterioze foshnjën 1 muajshe, e cila ndërroi jetë në kasollen ku ato banonin.

Por ngjarja bëhet edhe më tragjike, pasi ajo nuk ka mundësi financiare për të kryer nderimet e fundit të fëmijës.

Trupi i pajetë i foshnjës ndodhet në morgun e Tiranës, por ky institucion nuk ia ka dhënë pa paguar më parë 6 mijë lekët e tarifës për mbajtjen e trupit.

Për zgjidhjen e këtij problem, Rudina iu drejtua redaksisë së Report TV, pasi nuk ka mundësi as të paguaj taksën prej 25 mijë lekësh për vendin e varrit të fëmijës në varrezat publike.

“Më vdiq goca i thash nuk kam lekë ta varros, merre më tha çoj në shtëpi.

Kam 5 ditë resht që vij vërdallë dhe nuk po ma varrosin, kërkojnë lekë për tokën.

Tani nuk di se cfarë të bëj, ta marr fëmijën dhe të dal të rri në mes të rrugës, sikur është ashtu i vdekur, ashtu ta marr. Ata kërkojnë lekë, unë nuk kam lekë t’u jap, se po të kem për fëmijën tim nuk më dhimbset gjë” tha ajo për Report TV.

Kushtet e vështira të jetesës, të ardhurat e pakta që merr vetëm nga mbledhja e kanaçeve, e kanë bërë të pamundur për rudinën që të paguaj tarifat që kërkohen për ti bërë nderimet e fundit foshnjës.

“Më kërkuan lekë për ta varrosur, u thashë nuk kam lekë, jam njeri hallexhi. Burrin e kam në burg, prindërit nuk i kam, jam njeri pa njeri, u thashë, jetoj rrugëve.

Kërkoj ndihmë nga bashkia, nuk kam ku të shkoj, burrin e kam në burg, prindërit nuk i kam. Kam vetëm një njeriun tim, por edhe ai ka 3 fëmijët e tij, nuk ka se cfarë të më japë i shkreti, edhe ai me kanaçe merret” tha Rudina Hoxha.

Report Tv iu drejtua së pari institutit të Mjekësisë Ligjore për të marrë një përgjigje për rastin e Rudinës.

Jashtë kameras përfaqësues të këtij institucioni, kanë pohuar se pagesa është një parashikim ligjor, por po shikohen hapësirat për ta ndihmuar zonjën në zgjidhjen e problemit edhe pa bërë pagesën.

Nga ana tjetër edhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, pasi u njohën me rastin kanë pohuar për Reprot Tv se tarifa që duhet për varrimin e foshnjës nuk do të zbatohet për rastin në fjalë.

Report Tv do të ndjek edhe në ditët në vijim këtë rast, për të vërtetuar nëse këto institucione do e mbajnë premtimin e dhënë për Rudinën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat