Jonida nga Fieri: Mënyra si abortova fëmijën më shkatërroi jetën

Sociale

Jonida nga Fieri: Mënyra si abortova fëmijën më shkatërroi jetën

Më: 9 mars 2017 Në ora: 23:24
Rrefimi i gruas

Klodjana B. u pushtua nga hemorragjia për gjashtë orë me radhë, teksa ndodhej në shtëpi e vetme dhe nuk kishte askënd që t`i kërkonte ndihmë.

20-vjeçarja Jonada H. ra në kolaps pas të vjellave të vazhdueshme, për më shumë se dy orë.

Viola D. u gdhi e alarmuar mëngjesin e tretë me të njëjtën temperaturë të lartë të dy ditëve më parë, teksa kishte provuar çdo lloj medikamenti për ta ulur atë.

Arisa Y. ishte 23 vjeç, kur, pas hemorragjisë së vazhdueshme dhe temperaturës së lartë, humbi ndjenjat, teksa priste mikeshën e saj ta shoqëronte në spital.

Të katërta vajzat dëshmuan për PSE, se këto ndërlikime shëndetësore i kishin përjetuar, pasi ishin përpjekur të abortonin me pilula të blera në farmaci, pa u konsultuar dhe marrë më parë miratimin e një mjeku.

Jeta e vajzave dhe grave rrezikohet seriozisht nga kjo praktikë e palejueshme, duke lënë në shumë raste dhe pasoja të pariparueshme në shëndetin e tyre riprodhues.

Një investigim i PSE tregon se, pavarësisht se zyrtarisht nuk është e lejuar shitja e tyre në farmaci, kjo rezulton të jetë një praktikë normale. Mijëra vajza dhe gra mendohet se kryejnë abort medicinal jashtë vëmendjes së mjekëve dhe sistemit shëndetësor, duke marrë pilulat në farmacitë e lagjeve me të njëjtën lehtësi, siç do të merrnin një aspirinë.

Investigimi zbuloi se, nga 30 farmaci në kryeqytet, ku u kërkua të bliheshin pilulat për kryerjen e abortit, në 10 prej tyre ato jepeshin lirshëm, pa pasur nevojë për një rekomandim mjeku apo mjet identifikimi.

Ky realitet hedh dyshime se në qindra farmaci të tjera nëpër Shqipëri ndodh e njëjta gjë, ndërsa Agjencia Kombëtare e Barnave thekson se nuk është në dijeni të këtij fenomeni.

Po kështu, Ministria e Shëndetësisë ka treguar një shpërfillje të plotë ndaj çështjes, duke lënë fatin e shumë vajzave dhe grave në duart e farmacistëve spekulativë.

Teksa shifrat zyrtare flasin për ulje të numrit të aborteve në Shqipëri, ajo çfarë është ulur janë vetëm abortet e regjistruara në maternitetet e vendit.

Jashtë kësaj procedure legale, mjekësore qëndron një realitet paralel.

Mjeku Avenir Balili beson se kjo shifër nuk pasqyron realitetin, pasi një numër i konsiderueshëm i aborteve kalon jashtë sistemit shëndetësor.

Nuk ma merr mendja se numri i aborteve ka rënë në Shqipëri, mund të them se ndoshta është rritur, por rastet nuk janë të regjistruara”, – theksoi ai.

Farmacitë, aty ku pilulat për abortin merren si aspirinë

Aborti medicinal është një praktikë e pranuar në shumë vende të botës, por në asnjë rast pilulat Mifepristone dhe Misoprostol, të përdorura për kryerjen e tij, nuk mund të jepen pa rekomandimin e mjekut, pasi ky i fundit ka kryer një sërë ekzaminimesh për shëndetin e gruas.

Mjekët gjinekologë i thanë PSE se, kjo lloj praktike abortimi mund të kryhet deri në javën e shtatë të shtatzënisë dhe se mund të sjellë komplikacione të rënda shëndetësore, në rast se kryhet jashtë kësaj periudhe dhe pa ekografitë dhe ekzaminimet shëndetësore të gruas.

Por, çfarë ndodh në terren, është një realitet krejt tjetër. Pas dëshmive të katër vajzave, se pilulat për abort i kishin blerë në farmaci pa rekomandim mjekësor, PSE verifikoi në 30 farmaci në kryeqytet, nëse ato mund të bliheshin lirshëm.

Në 10 prej tyre gazetarëve të PSE iu ofruan pilulat pa pasur nevojën e rekomandimit mjekësor apo mjetit të identifikimit. Këto farmaci gjenden pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, në rrugën e Dibrës, pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, në zonën e ish-Bllokut dhe në lagjen “Komuna e Parisit”.

Nga vëzhgimi i PSE rezulton se, këto pilula mund të blihen duke filluar nga 4 deri në 10 mijë lekë. Ndërkaq, vajzat e intervistuara pohojnë se, pak ose aspak rezistencë kishin hasur nga farmacistët në momentin që i kishin kërkuar.

Jonada H. nga Fieri tregoi për PSE se, në momentin që mësoi për shtatzëninë e saj, iu drejtua menjëherë farmacisë dhe i bleu pilulat abortive lehtësisht, pa recetë.

Shkova në farmaci dhe bleva pilulat. Farmacistja më udhëzoi se si t’i merrja këto pilula për të pasur një abort të sigurt”, – tha ajo.

Arisa Y. nga Durrësi theksoi se, edhe për të mospasja e një rekomandimi mjekësor nuk kishte qenë pengesë për të marrë pilulën në farmaci.

Kisha dëgjuar për abortin me pilula dhe u drejtova menjëherë në farmacinë poshtë shtëpisë. Farmacisti më kërkoi rekomandim mjeku, nuk e kisha, prandaj kërkova në farmaci tjetër. I bleva pilulat 5 mijë lekë dhe i piva, sipas udhëzimit që ishte në kuti”, – tregoi ajo.

Ndërkaq, ligjërisht, as rekomandimi i mjekut nuk është i mjaftueshëm për të marrë në farmaci pilulat abortive, për shkak se Mifepristone dhe Misoprostol nuk janë të regjistruara për shitje, por duhet të shpërndahen vetëm nga mjekët gjinekologë.

PSE e konfirmoi këtë duke iu drejtuar me anë të një kërkese për të drejtën e informimit Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Ju bëjmë me dije se, Mifepristone dhe Misoprostol nuk janë të regjistruara për shitje dhe tregtim në Republikën e Shqipërisë. Për pasojë, qytetarët, të cilët i përdorin ato, duhet të marrin parasysh edhe rrezikun e përdorimit të tyre, pasi ato janë barna të pakontrolluara nga ana e autoritetit përkatës”, – thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Po kështu, Agjencia e Barnave mohoi të kishte djeni se këto pilula shiteshin në farmacitë shqiptare.

Institucioni jonë kryen kontrolle periodike në çdo farmaci, duke inspektuar kushtet e ruajtjes së barnave dhe mënyrën e tregtimit të tyre. Medikamentet në fjalë nuk janë konstatuar të shitura”, – thuhet në përgjigje.

Mentaliteti përballë jetës

Aborti medicinal kushton më pak se ai kirurgjikal, por nuk është kjo arsyeja pse gratë zgjedhin këtë mënyrë për të abortuar.

Katër vajzat e intervistuara tregojnë se shtatzënia kishte ardhur në një moment të papërshtatshëm në jetën e tyre dhe ekzspozimi i saj do të cënonte reputacionin në familje dhe shoqëri.

Blerja e pilulave në farmaci për to ishte abort në konfidencialitet të plotë, pa u marrë vesh nga askush dhe pa regjistruar emrin për një vizitë gjinekologjike në maternitet.

Jonada H. tregon se, shtatzënia e saj në atë stad të jetës nuk mund të mirëkuptohej nga familja e saj.

Isha studente e vitit të dytë, kur ngela shtatzënë nga pakujdesia. Nuk mund ta besoja. Ishte e tmerrshme, kur mendoja reagimin e vëllait tim, prindërve, të njohurve dhe shoqeve. Ata nuk ishin në dijeni për lidhjen time. Në Tiranë erdha për studime”, – tha ajo.

Klodjana B. nga Fieri tregoi për PSE se, aborti ishte e vetmja zgjidhje, në kushtet kur familja e saj, konservatore nuk mund të toleronte një shtatzëni jashtëmartesore.

Më kishin folur për efektet anësore të këtij lloj aborti, por unë e kisha marrë vendimin. Vij nga një familje me rregulla të forta, deri diku konservatore, prandaj përballja me ta nuk më shkonte ndërmend”, – theksoi ajo.

Por, ajo që ato rrezikojnë në mbrojtje të reputacionit, është vetë jeta e tyre. Mjeku Avenir Balili pohon se, gjatë punës së tij është përballur me raste kur ka ndihmuar shumë vajza të tejkalojnë pasojat e abortit me pilula.

Kam trajtuar shumë gra dhe vajza që kanë bërë abort medikal pa konsultën e mjekut. Vajzat i blejnë pilulat në farmaci pa bërë analiza. Abortet nuk regjistrohen, gjithçka ndodh jashtë kujdesit tonë, por, kur gjendja shëndetësore përkeqësohet, vajzat i dorëzohen mjekësisë kirurgjikale”, – tha ai.

Mjekja gjinekologe e një klinike private në Tiranë, Mimoza Keta, thotë se ka asistuar në shumë raste, ku komplikacionet që kanë sjellë pilulat e marra pa rekomandim, i kanë detyruar vajzat të shkojnë drejt klinikave mjekësore, duke harruar stigmën sociale.

Në eksperiencën time të punës kam patur raste, kur vajzat u janë drejtuar farmacive për të marrë tabletat për ndërprerjen e shtatzënisë. Nuk i kanë marrë siç duhet dhe detyrimisht pasojat kanë qenë jo të mira dhe më pas janë detyruar t`u drejtohen klinikave mjekësore”, – thotë ajo.

Mjekët gjithashtu paralajmërojnë se komplikacionet mund të jenë kaq të mëdha, sa mund t`i pengojnë vajzat të bëhen nëna.

Aborti me pilula dhe jashtë kujdesit mjekësor mund të çojë në infertilitet. Pasojat lidhen me gjendjen e pacientes, moshën e shtatzënisë dhe mënyrën e marrjes së pilulave abortive. Kur gjendja përkeqësohet, vajzat duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale për të riparuar problemet”, – thotë Avenir Balili.

Jonada H. është një nga vajzat që ka kryer edhe ndërhyrje kirurgjikale, pasi bëri abortin medicinal.

Pas peripecive që kalova, pasi piva pilulat abortive pa rekomandim, kreva edhe një ndërhyrje kirurgjikale. Pavarësisht përpjekjeve, pasojat mbetën. Sot e kam të vështirë të mbetem shtatzënë, mjekët besojnë se ndikon infeksioni që kam marrë nga aborti medicinal”, – theksoi ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat