Braktisi vajzën se ia keqtrajtonte vjehrra, kur shkon ta takojë në Befotrof, mëson të vërtetën e hidhur

Sociale

Braktisi vajzën se ia keqtrajtonte vjehrra, kur shkon ta takojë në Befotrof, mëson të vërtetën e hidhur

Më: 15 mars 2017 Në ora: 18:24
Lejmone Jahaj

Një histori dramatike është bërë sot pjesë e emisionit me ‘Zemër të hapur’, në ‘News24’. Një nënë e dëshpëruar kërkon të marrë informacione për vajzën e saj, që e kanë dhënë para 25 vitesh për birësim, pa dijeninë dhe pëlqimin e saj. Lejmone Jahaj mes lotësh pohoi nga studio e emisionit, ku ishte së bashku me djalin e saj se vjehrra i keqtrajtonte vajzën, në atë kohë vetëm 3 vjeçe, (nga martesa e saj e parë), ndërsa ajo u detyrua më pas ta dorëzojë në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë, shkruan ‘BalkanWeb’.

Mes dhimbjes dhe ankthit, 50-vjeçarja tregoi jetën e saj të trishtë dhe arsyet që e çuan në ‘braktisjen’ e vajzës.

Kam kërkuar për vajzën, por aq mundësi kam pasur. Nëpërmjet një mjekeje që ka qenë në Shtëpine e Fëmijës në Vlorë mësova se Matildën ma ka birësuar një çift nga Janina, në vitin 1992. Mjekja më tha që babai birësues quhej Lefter dhe se vajzës I kanë vendosur emrin Maria. Ju lutem më ndihmoni që ta gjej, dua ta di ku është. Ta shoh”, pohoi Lejmone, ndërsa shton se do që t’i dëgjojë zërin dhe që t’i thotë: “Të kam falur nënë”.

HISTORIA E TRISHTË

Lejmone Jahaj, e cila jeton në fshatin Mesaplik të Vlorës, u martua në moshën 20-vjeçare me Seit Xhaferrin dhe po në vitin e parë të martesës divorcohet. Ishte shtatzënë kur familja e marton sërish dhe këtë herë me Sokrat Jahaj. Jeta e kësaj nenë është e mbushur me dhimbje dhe i ngjan një drame të vërtetë.

NË KËRKIM TË MATILDËS

Matilda ishte emri që Lejmone zgjodhi për vajzën e saj, e cila lindi me 11 janar 1988. Fati vogëlushes do të ishte i trishtë, pasi ajo nuk e pati mundësinë të rritej dhe të përkëdhelej nga nëna e saj. Matilden e vogël nuk e dëshironin në familje, pasi vjehrra dhe vjehrri i Lejmones jo vetëm që nuk e donin, por dhe e keqtrajtonin.

Në vitin 1989, Lejmona sjellë ne jetë vajzën dytë që quhet Eva Jahaj dhe në vitin 1992 sjellë në jetë dhe djalin, Nezirin. Kur Matilda ishte 3 për 4 vjeçe, nëna e saj detyrohet ta dërgoj në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë.

Ajo nuk dëshironte ta braktiste vajzën, por askush nuk i zgjati dorën për tu kujdesur për të, madje as që ta mbante gjatë kohës kur nëna ishte në punë. Me shpresën se do ta rimerrte kur të niste shkollën, Lejmone e dorëzoi vajzën në Befotrof.

Por pas 6 muajve qëndrimi atje, kur nëna shkon të shoh vajzën mëson të vërtetën e hidhur; Matildën e kishin dhënë për birësim.

50-vjeçarja shokohet akoma më shumë kur mëson se pas këtij vendimi fshihej vjehrra e saj. Që nga ai moment, Lejmone nuk e pa më vajzën e saj, ndërsa lotët e mallit i rrjedhin nga sytë.

Sot nëna e Matildës 29-vjeçare ka nevojë për ndihmë, pasi është në kërkim të gjurmëve të së bijës, e cila u birësua në vitin 1992. Ndaj, le të ndihmojmë të gjithë për të gjetur Matildën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat