Dekorimi dhe organizimi i eventeve, trend në Kosovë

Sociale

Dekorimi dhe organizimi i eventeve, trend në Kosovë

Më: 6 gusht 2017 Në ora: 16:42
ilustrim

Dekorimi dhe planifikimi i eventeve gjithmonë ka qenë i domosdoshëm në shumë vende të botës, dhe kjo dukuri nuk po mungon as tek ne. Në Kosovë ka shumë kompani të cilat merren me organizmin dhe dekorimin e eventeve të ndryshme.

Duke marrë parasysh që sezona e verës tek ne njihet edhe si sezona e dasmave, dihet që eventet për të cilat kërkohet dekorimi dhe organizimi janë pikërisht dasmat, mirëpo kjo dukuri nuk ka qenë gjithmonë e pranishme tek ne, dhe si duket rrjetet sociale janë ato te cilat kanë rritur edhe interesimin e shqiptarëve të kontraktojnë kompani të cilat pjesën e planifikimit dhe dekorimit të dasmës, ditëlindjeve apo fejesave, e bëjnë në mënyrë profesionale.

KosovaPress ka kontaktuar dy kompani mjaft të suksesshme të kësaj lamie, dhe biseda me përfaqësueset e këtyre kompanive, na ka treguar se është rritur interesimi për dekorimin e eventeve, organizmin e tyre, si dhe ndryshimet që ka hasur kjo dukuri gjatë viteve në vendin tonë.

Shemsije Dermaku, përfaqësuese e kompanisë Grand Decor, tha për KosovaPress, se për gjatë viteve në këtë punë, ajo ka parë ndryshime të mëdha sa i përket dekorimit dhe planifikimit të eventeve.

Image

Kompania Grand Decor është kompani që ka filluar qysh në vitin 1999, mirëpo në fillimet e kësaj kompanie, Dermaku thotë se interesimi nuk ka qene kaq i madh dhe se shumica e dasmave tona, më herët janë bërë pa ndonjë organizim apo dekorim të veçantë.

Ajo tha gjithashtu se rrjetet sociale kanë ndikuar që interesimi të rritet dhe se këto kompani shumicën e kohës reklamimin më të madh e kanë nga rrjetet sociale.

Dermaku: Prezenca e tepërt e telefonave në dasma, bën që atmosfera të mos jetë si dikur

“Korriku dhe gushti janë sezonë e dasmave, dhe kjo lidhet me ardhjen e bashkë atdhetarëve tanë, të cilët edhe në rastet kur çifti jeton në Kosovë, prapë e presin verën që të vijnë familjarët të cilët i kanë jashtë Kosovës. Ne gjatë korrikut dhe gushtit nuk merremi fare me ditëlindjet apo eventet tjera... Po vërejë nga viti i kaluar por edhe sivjet që dasmat nuk janë qysh kanë qenë përpara me shumë atmosferë. Sot njerëzit kanë më shumë komplekse, dhe gjithmonë e ceku që këtë e sjellë prezenca e tepërt e kamerave dhe prezenca e tepërt e telefonave, dhe tash duke pas kujdes se mos po dalin keq në kamerë, nuk është ajo atmosfera që ka qenë më herët”.

Përveç dasmave, kompania Grand Decor dekorimin më të madh e bënë për synetitë.

Image

Dermaku: Kërkesa më e madhe pas dasmave, është ajo për syneti

“Pas dasmave, kërkesa më e madhe vjen për syneti. Është shumë interesant se një pjesë e madhe e çifteve të cilët kur janë martuar nuk kanë bërë dasmë, tani në synetinë e fëmijëve po e bëjnë një si lloj dasme, apo p.sh 10 vjetorin e martesës”, u shpreh ajo.

Blerta Aliu Ahmeti, përfaqësuese e Glamour In, ka bërë të ditur se shumë prej klientëve të cilët janë të interesuar të bëjnë organizmin dhe dekorimin e eventeve janë bashkë atdhetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Ahmeti ka bërë te ditur se kompania e saj bashkëpunojnë me kompani tjera të cilat merren me xhirimin e eventeve, me kompani të luleve, dhe një prej tyre është kompania Wild Flower Studio, me pronare Anne Beuthel, e cila dekorimin me lule e bën vetëm me lule të gjalla dhe ajo krijon struktura te ndryshme nga lulet. Ahmeti tha se nga viti në vit po ka kërkesa të ndryshme, mirëpo, vera është gjithmonë e rezervuar për dasma.

Image

Ahmeti: Të paktën 50% e klientëve janë bashkatdhetarë që jetojnë jashtë Kosovës

“Prej vitit në vit kemi pas kërkesa të ndryshme. Të paktën 50% të klientëve i kemi që jetojnë jashtë Kosovës, të cilët përveç dekorit kërkojnë organizim komplet të kurorëzimit, dasmës, të krejt ngjarjes... Pjesën e vjeshtës, dimrit më shumë merremi me ditëlindje apo konferenca”, tha ai.

Ajo gjithashtu tha se kompania ka marrë pjesë edhe në rregullimin e ambientit për një film në Stone castle, premiera e të cilit do të jetë në shtator të këtij viti.

Image

Ahmeti: Ka qenë shumë në trend ajo pjesa kur ditëlindja është festuar me një tematikë

“Ne kur kemi filluar si kompani kemi filluar me ditëlindje, ka qenë shumë në trend ajo pjesa kur ditëlindja është festuar me një tematikë, mirëpo tash pasi që jemi në sezonin e verës merremi vetëm me dasma”, tha ajo.

Nga viti në vit, po rritet interesimi për dekorim dhe organizim të eventeve të ndryshme. Kompanitë e kontraktuara po vazhdojnë të jenë të suksesshme në punën që bëjnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat