Tiranë: Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kampionët e sportit

Sociale

Tiranë: Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kampionët e sportit

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 00:50
ilustrim

Atletja rekordmene e vrapimeve të gjata Luiza Gega u shpall ambasadore për Shqipërinë dhe Kosovën e organizatës World Vision në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ajo ka mbresa të forta nga një takim me Oligertin 11 vjeçar, që vuan në Librazhd nga distrofia muskulare dhe kjo e shtyu t'u bashkohet përpjekjeve në ndihmë të këtyre fëmijëve.

Shqipëria ka aktualisht rreth 70 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara 2-17 vjeç, dhe kujdesi ndaj tyre është mëse i pamjaftueshëm, si nga ana mjekësore, ekonomike dhe sociale. Mbi 90 për qind e tyre nuk marrin shërbimet e nevojshme për shëndetin fizik dhe mendor.

Sipas studimit të organizatave World Vision dhe Save the Children, shkalla e dëmtimeve shëndetësore dhe pafuqia e këtyre fëmijëve për t'u përballur me sëmundjet është aq e rëndë, ndërsa mbështetja që marrin është fare e vogël.

Kjo e shtyu organizatën World Vision që të përfshijë në ndihmën për fëmijët me aftësi të kufizuara edhe figura të njohura të shoqërisë shqiptare, si atletja Luiza Gega, e cila po i bën thirrje opinionit të mbështesin Oligertin dhe shumë të tjerë si ai.

Organizata World Vision po përgatit grupe ndihmëse për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke nisur nga Librazhdi, ku jetojnë 460 fëmijë prej tyre, të cilët janë në vështirësi shëndetësore, familjet e stigmatizuara nga komuniteti, prindërit e papunë dhe nënat e mbyllura në shtëpi.

Çështja e fëmijëve me aftësi të kufizuara është se autoritetet nuk e njohin sa duhet gjendjen dhe përmasat e problemit, dhe nëse e njohin fondet në ndihmë të tyre janë minimale dhe si të tilla nuk mbërrijnë tek familjet në nevojë./voa

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat