Rrëfimi tronditës i intelektuales shqiptare: Jam dhunuar për 20 vite…

Sociale

Rrëfimi tronditës i intelektuales shqiptare: Jam dhunuar për 20 vite…

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 16:28
ilustrim

Dhuna në familje vijon të jetë jo vetëm një plagë e shoqërisë shqiptare, por mentaliteti brenda shtëpisë së madhe patriarkale në vendin tonë, ka mbytur çdo ndjesi të grave. Plagët e dhunës fizike nuk i ndjejnë më në trup…madhe bashkëjetojnë me to. E vetmja gjë që i frikëson është e ardhmja e fëmijëve, e nisjes së një jete të re jashtë familjes, që në vend të një strehëze dashurie, një bashkëshort dhunues, e ka kthyer në makth.

Në Zyrën për Mbrojtjen e të Miturve dhe Dhunës në Familje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, specialistja Lindita Lushaku, është personi i parë që pret gratë, viktima të dhunës. Dhe me fjalën viktimë, nuk nënkuptohet vdekja, por një grua që deri para trokitjes në derën e kësaj zyre, ka qenë e vetme, e pambrojtur, dhe pre e forcës fizike të bashkëshortit të saj. Rastet nuk i ngjajnë njëri-tjetrit – thotë për Express specialistja Lushaku. Por ajo që i bashkon gratë, është frika nga dhunuesi, edhe kur janë brenda një institucioni, siç është Policia. Dhe dhuna nuk përzgjedh kë prek, nëse je e pasur, e varfër, intelektuale, e pa shkolluar. Para bashkëshortit që vetë gratë idealizojnë, të gjitha ndihen ‘viktima’.

“Nga rastet që kam trajtuar direkt vet, ka qenë me të vërtetë i dhimbshëm. Ishte një grua intelektuale, dhunohej nga bashkëshorti i cili ishte me vese, dhe shoqërohej nga motra gjatë denoncimit. Dhe motra ishte akoma më e stresuar sesa e dhunuara, pasi thotë se: “Unë nuk dija asgjë deri para pak ditësh”. Ndërkohë gruaja që në fillimet e martesës së saj ka pasur dhunë, kishte mbi 25 vjet martesë. Dhe gruaja ishte aq e frikësuar saqë në një moment më tha: “Ti duhet të marrësh masa që mos të identifikohesh që ti po më mbron mua”. Aq e madhe ishte frika nga dhunuesi. Kishte frikën e bashkëshortit, ai e kërcënonte gjithë kohës. Më kanë ngelur në mendje fjalët e saj: “Aman vetëm të futem brenda, të futemi shpejt brenda mos të më shikojë njeri”. Dukej një grua e sakrificës, kishte rritur dy fëmijë me shumë përpjekje. Nga ana tjetër, nga çfarë tregonte, ai nuk ishte një bashkëshort me pushtet, por ndonjëherë gruaja edhe në mendjen e vet e idealizon atë burrin si në sjellje por edhe në figurën e tij, e zmadhon…”, kujton specialistja.

E si rasti i kësaj zonje, nuk është i vetmi. Të shumta janë gratë që nuk duan të identifikohen. Shumica prej tyre dhunën që kanë kaluar ndër vite e rrëfejnë për herë të parë në polici. Kryesisht gratë i drejtohen të vetme policisë por ka edhe nga ato që shoqërohen nga motra ose një shoqe. Asnjëherë nga një mashkull… “Ndonjëherë nuk duan as të identifikohen. Thonë: Si mund të bëj unë për këtë rast, por nuk po ta them mbiemrin, vetëm emrin”. Pastaj gjatë bisedës hapen, ndjejnë sigurinë që i ofrohet dhe fillojnë duke treguar”, shprehet zonja Lindita Lushaku. E kur e pyet se cila është gjendja emocionale kur gratë e dhunuara vijnë të denoncojnë, specialistja flet për një situatë mjaft të rënduar, pasi shumica e viktimave të dhunës në familje, i drejtohen policisë kur ‘kupa është mbushur’.

“Denoncimi arrin pas një dhune të vazhdueshme. Raste shumë të rralla janë që gruaja për herë të parë të provimit të dhunës i drejtohet policisë. Në polici nuk vijnë me dhunë psikologjike, përgjithësisht vijnë pasi dhuna është përshkallëzuar deri në dhunë fizike. Kur vijnë, gjendja e tyre është shumë e rëndë. Madje përveçse denoncon dhunë karshi saj, gruaja denoncon në një farë mënyrë dhe sekretet e familjes, e atij institucioni që është aq i shtrenjtë për çdo grua. Gjendja e tyre psikologjike është tepër e rënduar, është dhimbja shpirtërore, dhimbja për fëmijët, prishja e familjes, frika për të ardhmen, frika ndaj dhunuesit, frika ndaj njerëzve të afërt”, thotë Lushaku.

Tronditja që kanë kaluar, dhuna dhe përjetimet e mbledhura vetëm brenda shpirtit të tyre, me frikën edhe për t’ju rrëfyer një të afërmi, shfaqen më së miri kur ato gjejnë njeriun e parë përballë të cilit mund të thonë të gjitha vuajtjet e tyre. Specialistja Lushaku thotë se gratë nisin të rrëfejnë edhe ‘sekretet’ e familjes, të flasin për problemet që ato mendojnë se kanë çuar në dhunë. Deri diku edhe duke gjetur arsye për të justifikuar bashkëshortin. Shenjat në trup?! Janë mësuar…E në shumë raste, gratë që janë bërë viktima dhune për herë të parë, i fshehin!
“Kryesisht vijnë gra me shenja dhune. Shumë grave u vjen turp t’i tregojnë shenjat, mund edhe t’i fshehin mundësisht. Vijnë aq të tronditura sa nuk arrijnë dot të thonë problemin kryesor dhe nuk tregojnë shenjat e dhunës, por mundohen të shprehin shkakun përse ka ardhur kjo dhunë. Aq sa ndonjëherë nëse nuk je i vëmendshëm të bësh një këqyrje të jashtme mund edhe të të rrëshqasë ky detaj, sepse fokusohen tek problemet që kanë, por jo tek dhuna që tashmë është bërë si pjesë e jetës së tyre”, sqaron Lindita Lushaku.

Frika më e madhe e tyre? Për të ardhmen!
Shumica e grave nuk i dinë mundësitë dhe trajtimin që mund të marrin nga shteti.
“Edhe nëse kanë duruar dhunën psikologjike që përshkallëzohet në dhunë fizike , thonë: Ku do shkoj, mos të prish familjen se kam fëmijët”, është dhembshuria për të ardhmen e fëmijëve, mos i marrin fëmijët. I duket një rrugë e vështirë dhe e pasigurt. Ndërkohë kur vijnë ne u shpjegojmë të gjitha mundësitë, që janë në koordinim edhe me institucionet e tjera. Është një mekanizëm i mbrojtjes dhe referimit të grave të dhunuara, që fillon i trajton për t’i integruar. Në rastet kur gruaja që vjen bën denoncim ndihet e kërcënuar në shtëpinë bashkëshortore dhe s’mund të kthehet atje, kërkon urdhër mbrojtje. Në këtë rast bashkëpunohet me OJQ, Bashkinë e Tiranës, për akomodimin e tyre në qendra të pritjes së viktimave të dhunës në familje. Atje kanë programe të tjera, për punësim, për të përballuar jetesën vet. Pastaj merren me fëmijët, regjistrimin në kopshte e shkolla. Ndërkohë, me miratimin e urdhrit të mbrojtjes, kur nuk shkojnë në këto qendra, njoftohet inspektori i zonës, merr adresën numrin dhe gruas i bëhet me dije nëse sheh se të afrohet bashkëshorti dhunues, të ngacmon, apo ka problem të njoftojë inspekton si dhe numrin e emergjencave”, – shpjegon specialistja.

Puna ja do që të prekë nga afër rrëfime e përjetime nga më të rëndat. Por si ndihet vetë specialistja Lindita Lushaku përballë grave që në sytë e saj presin të gjejnë shpresën për t’ia nisur nga fillimi?
“Në fillimet e punës këtu ndihesha goxha keq, megjithëse mundohem ta lë pjesën shpirtërore këtu, mos ta marr me vete. Por që të dhemb. Saqë ndonjëherë nga institucionet e tjera që ofrojnë ndihmë më thonë: “E ke njeriun tënd?”. Aq shumë përfshihem. Është një lloj përfshirje që duhet të japësh maksimumin për to, më mbushen sytë me lot kur i kujtoj”.

Rastet e dhunës në familje që kanë shokuar opinionin publik pasi kanë përfunduar me vrasjen e tyre siç ishte rasti i gjyqtares Fildes Hafizi, nuk i kanë frikësuar ato që të denoncojnë bashkëshortët.
“Fakti që denoncimet e dhunës në familje kanë ardhur duke u shtruar tregon se besimi është shtuar. Se nuk janë rritur rastet, por denoncimet. Është shtuar besimi në veprimet e policisë edhe tek institucionet që trajtojnë dhunën në familje. Nuk janë frikësuar që: “Siç i ndodhi asaj do më ndodhë edhe mua”. Nga muaji janar deri në gusht të këtij viti janë shtuar kërkesat për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes, nga 478 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, në 576. Ndërsa denoncimet e rasteve të dhunës në familje, kanë pësuar një rënie të lehtë, nga 416 në 407.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat