Një jetë në det, historia e peshkatarit nga Vlora

Sociale

Një jetë në det, historia e peshkatarit nga Vlora

Më: 14 prill 2018 Në ora: 20:33
Nustret Haxhiu

Nustret Haxhiu është 81 vjeç dhe peshkimi mbetet pasioni i tij. Prej gati 70 vitesh ai del çdo ditë në det me anijen e tij dhe ndihmës sot ka të birin, Ilirin.

Edhe pse në moshë të thyer, Nustreti ende është në formë, aq sa për të mbledhur rrjetat e peshkimit apo edhe të kujdeset për mirëmbajtjen e motorrit të anijes.

“Kam që në vitin 1953 që punoj në peshkim, kohë kur kam qenë 13 vjeç dhe vijoj akoma të punoj. Puna më ndihmon edhe për shëndetin. -Jeni lodhur ndonjëherë? –Jo asnjëherë. As nuk jam sëmurë. As nuk jam lodhur. Jodi më ka mbajtur gjallë”, tregon Nustreti.

Por si çdo punë, edhe ajo e peshkatarit ka vështirësitë e veta. Madje ai kujton se para shumë vitesh, edhe punonjësit e sektorit të peshkimit, njësoj si minatorët apo aviatorët, dilnin në pension në moshën 55-vjeçare, pikërisht për shkak të vështirësive në punë.

“Kemi vështirësi, sidomos në kohë të keqe. –Rrini dot në shtëpi, pa punë? – Jo jo. Nuk e imagjinoj dot vehten pa punë. -Dilni përditë? – Kur është kohë e mirë, dal përditë. Peshkun duhet ta kërkosh. Ciften e kemi ne, ne jemi gjahtarët. Pjesën më të madhe të kohës vimë me rezultate, nuk vijmë pa bukë”, shprehet 81-vjeçari .

Edhe pse peshkimin do ta vazhdojë deri në fund të jetës, 81-vjeçari kërkon edhe ndihmën e shtetit për këtë sektor.

“Shteti duhet ta na ndihmojë pak më tepër. Vërtetë na e ndërtoi këtë portin, por na e la pa përfunduar. Ne s’kemi as ndriçim këtu. Bazën materiale e marrim në Itali, kur këtu mund të ndërtohen edhe magazina…”, shprehet peshkatari.

Për Nustretin, jo çdo ditë në det është e mbarë. Sot në rrjetën e tij kanë rënë shumë pak peshq, megjithatë ai kthehet çdo ditë pas ishullit të Sazanit, me shpresën se do sigurojë më shumë të ardhura se dje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat