Nëna gjen djalin pas 45 vitesh, “Më fal që të braktisa!"

Sociale

Nëna gjen djalin pas 45 vitesh, “Më fal që të braktisa!"

Më: 3 qershor 2018 Në ora: 16:58
Nena dhe djali

Takimi nënë e bir për herë të parë pas 45 vitesh është pritur me emocion të madh në studion e “Ka një mesazh për ty” në TV Klan. 

Nisur nga rrethanat, Lumturi Bregu ishte detyruar ta braktiste djalin e saj kur ishte veçse një foshnje 3 muajshe por nuk ka rreshtur kurrë së kërkuari për të. Përtej dëshirës për ta takuar, Lumturia ka qetësuar shpirtin nga dilema e mundimshme se a do arrinte Fatjoni ta falte që e braktisi. Nga sot nuk ka më asnjë dyshim. Përqafimi i ngrohtë mes tyre i ka hapur rrugën një kapitulli të gjatë pranimi dhe njohje mes të dyve.

Lumturia kishte udhëtuar enkas nga Palermo e Italisë ku jeton prej 25 vitesh drejt Tiranës për të kërkuar të birin. Teksa tregonte historinë e saj në studion e emisionit ajo nuk e dinte që stafi i’a kishte gjetur djalin dhe ai ishte pak metra më tutje, përtej murit, duke dëgjuar me kureshtje të vërtetën e ardhjes së tij në jetë. Fatjoni është birësuar nga një çift nga Pogradeci dhe pas disa vitesh është zhvendosur me banim në një fshat të Elbasanit. Teksa e ëma biologjike Lumturia e kërkonte pa pushim ajo nuk e dinte që familja që e kishte birësuar e kishin sjellë aq afër saj, pak minuta larg qytetit të Elbasanit. Në moshë të vogël ai kishte mësuar se ishte fëmijë i adoptuar por kurrë nuk e ka ditur se cila ishte nëna që e solli në jetë. Po cila është historia e Lumturies dhe Fatjonit?

Akoma pa mbushur 16 vjeçe, Lumturia ishte dashuruar me një djalë nga Elbasani me të cilin mbeti shtatëzënë. Dy familjet nuk e dinin për lidhjen e të rinjëve dhe as ata vetë nuk ishin të përgatitur për të sjellë në jetë një fëmijë. Sapo i dashuri i saj merr vesh faktin se do bëhej baba, këmbëngul që Lumturia ta hiqte fëmijën por ajo nuk pranon. Ai e braktisi dhe Lumturia duhej të përballej e vetmje me pasojat që do vinin pasi të mësohej fakti se ajo ishe shtatëzënë. Ka qenë një moment thuajse prag tragjedie, dita kur babai i Lumturies ka marrë vesh të vërtetën për të bijën. Si një ish ushtarak, veteran i nderuar në qytetin e tij, shteti i kishte dhuruar armën e shërbimit të cilën e mbante në shtëpi. Në një moment dëshpërimi të thellë nga braktisja e të dashurit, në prag të lindjes së një fëmije e vetme dhe frikës nga “persekutimi” i opinionit publik, Lumturia merr armën e të atit dhe vendos t’i japë fund jetës.

Fatmirësisht babai e vëren që ajo kishte marrë armën dhe lajmëron policinë e cila parandalon tragjedinë në kohë. Nga marrja në pyetje ajo u detyrua të tregonte të fshehtën e saj dhe kështu familja mësoi se vajza e tyre priste një fëmijë. Vështirësitë për adoleshenten që priste të bëhej mama u shtuan edhe më tepër sepse babai nuk arrinte ta pranonte këtë gjë. Edhe kur lindi, Lumturia ishte e vetme pasi nuk i tregoi asnje pjestari të familjes që t’i gjendej pranë. Atë mëngjes të 22 janarit të vitit 1973 ajo shkoi në maternitet dhe atë ditë solli në jetë Fatjonin. Për tre muaj ajo qëndroi bashkë me djalin në maternitet duke e ushqyer vazhdimisht me gji. Imazhi i fëmijës nuk i shqitet nga mendja megjithse kanë kaluar 45 vite.

Me zërin që i dridhet ajo thotë: “Nuk më hiqet nga mendja. Ai ishte bjond, me pak flokë të rëna si i ati, sytë i kishte me qerpikë të kthyer. Çuni ishte i bukur. I’a vura emrin Fatjon Bregu me mbiemrin tim”.
Pas tre muajsh Lumtria duhej të linte spitalin sepse nuk e lejonin të rrinte më tepër dhe duhej të kthehej në punë tek Uzina Kimike në Mjekës. U largua zemërthyer sepse djalin nuk e mori me vete. Ajo kujton e trishtuar sesi babai nuk i’a lejonte ta merrte djalin në shtëpi për shkak të opinionit të njerëzve. Përveç kësaj ajo kishte probleme shëndetësore të cilat vazhdon t’i ketë edhe sot. Lumturia si një adoleshente pa përkrahje, pa mundësi ekonomike e shëndetësore, e paragjykuar nga njerëzit u detyrua të hidhte firmën me dorën që i dridhej që djali të kalonte nën kujdestarinë e shtetit.
“Vajta për ta parë çunin prapë në maternitet dhe ato ma nxorrën dhe ika prapë në shtëpi. Kur vajta herën tjetër e kishin larguar dhe nuk e gjeta sepse e kishin çuar në befotrof. Një komshia ime që ishte mami më tha që e kanë çuar në Shkodër. Vajti çuni i xhaxhait për ta kërkuar dhe vëllai im po ashtu por u thonin që “nuk kemi këtu Fatjon Bregu” e nuk tregonin”.

Kështu Lumturia u nda nga Fatjoni pa mundur ta shohë më kurrë. Çdo derë ku trokiste i mbyllej dhe kjo e bënte ta përjetonte aq keq sa sot pas 45 vitesh i kanë mbaruar dhe lotët. Ajo tregon se herë pas here djali i dilte në ëndërr dhe ngrihej nga gjumi duke qarë dhe këtë dhimbje nuk mundej ta ndante me askënd.
Në vitin 1982 Lumturia u martua me një minoritar me të cilin u divorcua pas 10 vitesh. Në vitin 1993 u njoh në Elbasan me një shtetas italian me të cilin u martua dhe u zhvendosën në Palermo për të jetuar. Pas 15 vitesh italiani ndahet nga jeta dhe tashmë Lumturia jeton e vetme që prej vitit 2008. E vetmja gjë që e mban në jetë është kujtimi për djalin e saj të vetëm Fatjonin. Ajo kishte ardhur enkas nga Italia për ta kërkuar tek “Ka një mesazh për ty” dhe e ka pritur me shumë gëzim lajmin që stafi i emisionit kishte rënë në gjurmët e djalit. Për herë të parë pas 45 vitesh ajo ka mundur të shohë fytyrën e t’i dëgjojë zërin Fatjonit nga mesazhi që gazetarët i kishin dërguar në Selanik, aty ku jeton që prej fillimit të viteve ’90.

E humbur në mendime teksa nuk ngopej duke e parë ajo është shprehur “nga fytyra mua më ngjan. I ngjan dhe pak atij por ka ndryshuar shumë nga tre muajsh në 45 vjeç”.

Ajo nuk po u besonte syve dhe nuk ka mundur të thotë shumë fjalë. “Jam e lumtur që e shoh. Më ka munguar por nuk e kam harruar dhe gjithmonë e kam kërkuar. Unë kërkoj që të më mirëkuptojë. I kërkoj falje që e lashë se nuk kisha mundësi ta mbaja për momentin” ka thënë Lumturia pak përpara se të përshëndetej me djalin përballë e t’i jepnin njëri – tjetrit përqafimin e munguar.
Nga ana e tij Fatjoni ka qenë akoma më fjalëpak dhe është mjaftuar me shprehjen “i ka jeta këto gjëra…”. E teksa e përqafonte me shumë dashuri i ka thënë të ëmës “do të mirëkuptohemi për çdo gjë, pa merak”. Lumturia nuk mund të priste fund më të lumtur sesa ky që e kishte ëndërruar për vite me radhë. Jo vetëm që gjeti djalin e saj të vetëm por mori prej tij mirëkuptim dhe falje. Derisa u mbyll emisioni ata nuk ndalonin së pyeturi njëri – tjetrin për të mësuar sa më shumë gjëra. 45 vite mungesë nuk janë pak por nuk janë dhe shumë nëse do arrijnë të ruajnë të njëjtin respekt dhe dashuri që shfaqën sot tek “Ka një mesazh për ty”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat