Historia e shqiptarit që nga pjatalarës, u bë trashëgimtar i një italiani milioner!

Sociale

Historia e shqiptarit që nga pjatalarës, u bë trashëgimtar i një italiani milioner!

Më: 10 qershor 2018 Në ora: 16:21
Mark Ndoj nga Puka ka gjetur një mik italian si Masimo

Nuk thonë kot se kush gjen një mik, gjen një thesar.

Mark Ndoj nga Puka ka gjetur një mik italian si Masimo dhe një thesar prej vërteti. Nga një emigrant i thjeshtë në kufinjtë e mbijetesës, ai sot ka në dorë pasurinë e mikut të tij, që është një sipërmarrës i suksesshëm në kryeqendrën e Italisë.

Mark Ndoj është një nga ata shqiptarët e shumtë që ka provuar ta ndërtojë jetën jashtë Shqipërisë që në fillim të viteve ’90, atëherë kur largimi ishte e vetmja shpresë për të mbijetuar në një vend të rrënuar ekonomikisht.

Të gjitha vuajtjet e tij janë shpërblyer sepse sot ai mund të quhet pa frikë si një nga shqiptarët më me fat. Kur thuajse të gjitha mundësitë për të ndërtuar të ardhmen ishin shuar, ai gjeti një mik të vërtetë, i cili i ndryshoi tërësisht jetën.

Tek “Ka një mesazh për ty” në TV Klan ai tregoi historinë e njohjes me Masimon, një sipërmarrës i suksesshëm italian në fushën e hotelerisë. Prej disa vitesh Marku është bërë krahu i djathtë i tij dhe ftesa për ta falenderuar në program ishte më e pakta që mund të bënte për të. Por si nisi aventura e Markut?

Që në vitin 1992 ai provoi të ndjekë të njëjtat shtigje të rrezikshme si mijëra shqiptarë të tjerë, duke kaluar ilegalisht nëpërmjet maleve drejt Greqisë. Sa herë prekte tokën helene, ai binte pre e torturave të ushtarëve grekë. Si për të mos harruar kurrë ato momente të hidhura, tre brinjë të thyera e kthejnë në kohë sa herë që ndryshon moti apo bën ndonjë sforcim fizik. Pas 7-8 viteve tentativash të dështuara, Marku vendosi të heqë dorë përfundimisht nga Greqia.

Në vitin 1999 u martua dhe në 2001-in erdhi në jetë djali i tij, Enrik. Thonë që fëmija është gjithmonë mbarësi, por nga ana tjetër jeta në fshat ia bëri Markut të pamundur që t’i ofronte djalit dhe bashkëshortes një të ardhme më të mirë.

Në rrethana të tilla, ai u detyrua të marrë para borxh dhe të nisej me gomone drejt Italisë, duke vënë jetën në rrezik. Nuk dinte se ku të shkonte e as nuk dinte të komunikonte italisht, por si një person që nuk ka se çfarë të humbasë, u nis nga Bari drejt Romës.

Për 9 muaj jetoi tek djali i xhaxhait dhe çdo ditë dilte tek një shesh për të kërkuar punë dhe përherë kthehej bosh. Larg familjes dhe djalit që po rritej pa e parë, Marku vendosi që të kthehej në Shqipëri meqënëse nuk po arrinte të gjente një punë siç shpresonte në Itali. Përpara kësaj vendosi t’i japë një shans të fundit vetes, ta provonte dhe një ditë e pastaj ta ndante mendjen për t’u rikthyer.

“Për të shkuar atje unë ngrihesha çdo ditë në orën 5 të mëngjesit dhe bëja dy orë me autobusa që i ndërroja derisa të mbërrija tek vendi ku do kërkoja punë. Para se të shkoja aty piva kafen e mëngjesit pa shpresa fare. 200 metra pa mbërritur tek vendi ku kërkoja punë më ndalon një motorr tek këmbët. Më thotë “do vish në punë?”. E shikova si i habitur dhe ai më thotë sërish “do vish apo të shkoj të marr ndonjë tjetër?”. Unë pa e menduar  fare i mora kaskën dhe hipa në motorr. Më çoi afër Koloseut, ku po ndërtonte një garazh. Më la aty dhe iku, nuk bisedova fare. Aty ishin dy rumunë, mjeshtra dhe unë bëja ndihmësin e tyre, llaç e pastrime. Pas dy ditësh që mbaroi puna vjen dhe më jep paratë e më përshëndet për të ikur. Mendova që t’i kërkoj punë sërish. Ai më tha që nëse ke nevojë për punë, kam sa të duash. I thashë që po dhe ai nxorri një letër e më shkruajti adresën e një hoteli, duke më thënë që do shkosh aty për të punuar si pjatalarës. Mendova t’i tregoj të vërtetën që unë jam klandestin, pa dokumenta dhe nuk mund të punoja, por ai më thotë që të shkoja gjithsesi. Të nesërmen shkova tek hoteli dhe pashë që ishte një hotel me 5 yje në një zonë, ku zakonisht rrinin personat VIP. Më vinte turp të futesha brenda dhe e mora në telefon. Ai më tha që të futesha brenda tek hoteli, por unë nuk u futa derisa doli ai vetë të më merrte. I tregova historinë e jetës time, vuajtjet që kisha kaluar për të ardhur në Itali dhe vendimin që kisha marrë për t’u rikthyer në Shqipëri nëse nuk do gjeja punë. Ai më tha që çdo gjë rregullohet, vetëm vdekja nuk ka zgjidhje”, rrëfeu ai.

Masimo nuk i tregoi që në fillim Markut që ishte ai pronari i gjithë atij hoteli luksoz dhe në këtë mënyrë ata flisnin lirshëm si dy miq. Marku filloi punë si pjatalarës dhe pas katër ditësh Masimo i tha që do punonte me kontratë të rregullt. Disa ditë më vonë, rastësisht Marku zbulon që Masimo në të vërtetë ishte pronari i hotelit dhe personi i cili mund t’i ofronte një punë të përhershme. Edhe për nëntë muaj të tjera vazhdoi si pjatalarës, por sërish shumë i kënaqur. Një ditë Masimo i tha që do punonte në një nga lokalet e tij në qendër të Romës dhe e prezantoi me pjestarët e familjes së tij.

Që nga ajo kohë, Marku ishte bërë njeri i besuar dhe Masimo e ndihmoi të bënte dokumentat e të sillte gjithë familjen në Itali, bashkëshorten me djalin, vëllezërit, motrat dhe dhëndurët. Fisi Ndoj thuajse ishte “adoptuar” nga bujaria e zotërisë italian, i cili u ofroi një të ardhme që as nuk e kishin ëndërruar. Besnikëria dhe ndershmëria në punë nga ana e Markut e bënë Masimon që pas katër vitesh t’i ofronte djalit nga Puka që të ishte ortak në bizneset e tij.

Bujaria e Masimos arriti kulmin kur vendosi emrin e Markut mes listës së pasardhësve të tij, të cilëve do iu trashëgonte pasurinë.

“Një ditë gjeta një zarf me emrin tim dhe meqë ishte i hapur vendosa ta lexoj. Aty mbeta pa fjalë. Më kishte bërë pjesë të testamentit, të cilin e kishte ndarë në katër pjesë, mes tre nipërve dhe meje”, shtoi Marku.

Duke parë pak edhe “xhelozinë” e nipërve dhe përballë faktit që Masimo kishte bërë shumë për familjen e Markut, ky i fundit nuk pranoi të ishte pjesë e testamentit. Pas kësaj Masimo i sugjeroi Markut që ta adoptonte dhe në këtë mënyrë të ishte trashëgimtar i ligjshëm i pasurisë së tij.

Masimo vetë nuk kishte patur kurrë fëmijë dhe kjo ndoshta e ka shtyrë për ta ndihmuar Markun, i cili nuk pranoi as këtë propozim.

Të gjitha këto episode të zemërgjerësisë së Masimos bënë Markun që t’i drejtohet rubrikës “Ka një mesazh për ty” në mënyrë që t’i një mesazh falenderimi mikut të tij italian. Përpos kësaj, Marku e ftoi në studion e programit për t’i bërë një propozim që në të ardhmen të jetojë me familjen e tij, të cilët do kujdesen për të njëlloj si për secilin pjesëtar të saj.

Masimo sot është 75 vjeç dhe mesa duket ende nuk e ka në plan të plaket sepse planet që ka thurur me Markun për vijimin e projekteve të përbashkëta nuk kanë të mbaruar. Ai tregoi sesi e ka ndihmuar Markun që nga pjatalarës të bëhet ortak i tij, apo për gruan që nga kamariere u bë drejtuese e një nga hoteleve të tij. Kunati i tij nga murator është bërë drejtor i një prej koktejl-bareve më të mira në Romë e shumë e shumë të afërm të tjerë, të cilët janë sistemuar nga Masimo. Masimo zotëron katër hotele, disa restorante dhe bare në Romë, në të cilat janë punësuar të afërmit e Markut.

Në mesazhin drejtuar Masimos, djali nga Puka i tha mes të tjerave se kishte ardhur për ta falenderuar për gjithçka që ka bërë për të e për të dhënë një premtim.

“Kam ardhur këtu për të të thënë se po e mbaj fjalën. Për çdo gjë që do kesh nevojë unë jam gati që të të ndihmoj. E ke derën e hapur sepse gjithmonë mbetet dhe shtëpia jote. Mund të vish tek unë”, iu drejtua pukiani 75-vjeçarit.

E ka ndjerë të nevojshme që ta bëjë një premtim të tillë sepse sipas Markut, miku i tij italian është shprehur skeptik për faktin që dikush do interesohet për të kur të jetë plakur akoma më shumë.

Masimo e vlerësoi shumë mesazhin e Markut dhe gatishmërinë për t’ia shpërblyer në njëfarë forme ndihmën e jashtëzakonshme që i ka dhënë ndër vite. Ai e pranoi ftesën e Markut për të jetuar me familjen e tij, por duke e shtyrë sërish në kohë, jo për tani.

Çelësi i miqësisë mes tyre sipas Masimos është ndershmëria e Markut. Ai tregoi sesi në fillimet e njohjes mes tyre, Marku kishte gjetur një çantë me para dhe dokumenta dhe ia kishte dorëzuar Masimos, duke i thënë se nuk do pranonte kurrë të prekte diçka që nuk i përket atij. Ky ka qenë momenti i duhur që e ka bindur Masimon se ky shqiptar i thjeshtë meritonte të ishte miku dhe ortaku i tij.

75-vjeçari rrëfeu gjithashtu detaje dhe jeta e tij, duke shpjeguar se dikur ka qenë dhe ai emigrant, fillimisht në Paris e më pas në Londër. Atje kishte njohur një çift anglez me origjinë hebreje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat