Historia e pabesueshme e Sokolit, pas 21 vitesh çohet nga karrigia me rrota! - Bota Sot
Historia e pabesueshme e Sokolit, pas 21 vitesh çohet nga karrigia me rrota!

Sociale

E hënë, 19 nëntor 2018

Historia e pabesueshme e Sokolit, pas 21 vitesh çohet nga karrigia me rrota!

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 20:37
Sokoli

Ka qëndruar 21 vjet në një karrige me rrota, por dje ka provuar ndjesinë e të qëndruarit në këmbë.

Një ndjesi që e kishte humbur që në vitin 1997, kur pas një aksidenti me makinë u zgjua në shtratin e një spitali dhe mësoi se nuk mund t’i lëvizte më këmbët. Ishte vetëm 25 vjeç.

Sokol Muratajn e njohëm tre muaj më parë kur erdhi në studion e “Të Dielës Shqiptare”  për t’i dhënë një mesazh falenderimi mikut të tij Klodianit, i cili në mënyrë vullnetare e ndihmonte të ngjitej bashkë me karrigen me rrota në shkallët e universitetit ku Sokoli studionte. “Mjekët m’i kishin hequr shpresat.

Më kishin thënë që nuk mund të ecësh dhe unë e kam pranuar dhe e kam marrë jetën ashtu siç më ka ardhur në karrocë.  Kam punuar, jam integruar, kam krijuar familje, por tani po filloj të ngrihem”, tregoi Sokoli për stafin e të dielës shqiptare.

Ai i është nënshtruar një regjimi ushqimor të veçantë nga Hetem Ramadani dhe një fizioterapie intensive e cila për tre muaj i ka hequr 25 kile, ndërkohë i ka forcuar dhe muskujt.

“Mjekët në Danimarkë më thanë klinikisht që dëmtimi që kisha pësuar ka bërë që truri ta humbasë komunikimin me trupin, kështuqë është vështirë të rigjenerohet palca prapë që të mund të ecja përsëri. Ndaj unë e pranova jetën në karrocë dhe vazhdova përpara”. Deri në vitin 2001 ai u përpoq të ecte me proteza por pa asnjë rezultat. “Por me vullnet njeriu i bën të gjitha. Kam dy javë që jam ngritur me proteza dhe jam çliruar shumë. Avash-avash u ç’kontraktova. Të premten qëndrova në këmbët e mia”

Por ajo që të habit më shumë është se nëse të gjithë që e shohin Sokolin në këmbë janë mrekulluar ai e përjeton si diçka normale.

 “Nuk shikoj ndonjë çudi. Unë jetoj momentin. I bëj gjërat dhe i pres pa ndonjë emocion të madh. Jeta vazhdon përsëri njëlloj” thotë ai.

Sokoli tregon që është çuditur më shumë nga mesazhet e shumta të njerëzve kur postoi foton e tij në këmbë në Facebook. 

“Kuptova që shoqëria nuk të do më shumë ashtu siç je, por të do në këmbë. Shoqëria nuk e pranon të qënurit ndryshe. Harrojnë që edhe në karrige me rrota jetohet bukur. Unë kam jetuar bukur. S’më ka dhënë një pengesë të madhe karroca. Barriera ka, por ato kalohen, jeta vazhdon”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test