Identifikohen 86 lëmoshë kërkues, iniciohen 15 raste për keqtrajtim

Sociale

Identifikohen 86 lëmoshë kërkues, iniciohen 15 raste për keqtrajtim

Më: 3 korrik 2018 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Plani Operativ "Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit”, realizuar gjatë qershorit në gjithë territorin e Kosovës nga njësitë e drejtorisë për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, ka rezultuar me identifikimin e 86 fëmijëve lëmoshë kërkues, prej tyre 58 nga Shqipëria dhe 28 nga Kosova.

Në një komunikatë për media thuhet se për shtetasit kosovarë, në konsultim me prokuroritë përkatëse, janë iniciuar 15 raste keqtrajtim apo braktisje e fëmijës kundër prindërve të fëmijëve lëmoshë kërkues, ndërsa shtetasit shqiptarë do të trajtohen bazuar në Ligjin për të huaj.

Të gjithë të identifikuarit, fëmijë në situatë rruge kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente që kanë vërtetuar identitetin e tyre dhe lidhjen familjare, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar të jenë viktimë e trafikimit me njerëz.

Policia e Kosovës shpreh përkushtimin në luftimin e dukurive negative në vend, në veçanti luftë e pa kompromis do të realizohet ndaj të gjithë atyre që pretendojnë të keqpërdorin fëmijët dhe cenojnë të drejtat e tyre në çfarëdo mënyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat