Tmerr, 6 anëtarët e familjes Azemi jetojnë në mes të malit, rrezikohen nga gjarpërinjtë

Sociale

Tmerr, 6 anëtarët e familjes Azemi jetojnë në mes të malit, rrezikohen nga gjarpërinjtë

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 16:54
Familjes Azemi nga fshati Aqarevë i Skenderajt, çdo ditë po i rrezikohet jeta nga kafshimi i gjarpërinjve.

Familjes gjashtë anëtarëshe Azemi nga fshati Aqarevë i Skenderajt, çdo ditë po i rrezikohet jeta nga kafshimi i gjarpërinjve. Vajzës 10-vjeçare të kësaj familje pikërisht nga kafshimi i gjarprit ditë më parë iu rrezikua jeta.

Fatime Azemi para derës së shtëpisë u kafshua nga një gjarpër helmues, e që nga dita e hënë ajo është duke u kuruar në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Ajo tregon se si u kafshua nga gjarpri derisa ishte duke mbathur këpucët para derës së shtëpisë.

Nëna e Fatimes, Mevlide Azemi, tregon vështirësitë që kanë pasur për të dërguar vajzën në spital, ku për më shumë se 3 orë është dashur të presin të afërmit që të vijnë për ta dërguar vajzën në spital.

Ajo nuk mund të mbajë lotët derisa tregon se te shtëpia e saj përveç gjarpërinjve, shpesh herë kanë parë edhe ujq dhe dhelpra.

Ndonëse u pranua në gjendje të rëndë, drejtori i Klinikës Infektive Hamdi Ramadani, thotë se gjendja shëndetësore e Fatimës është duke u përmirësuar.

Image

Babai i Fatimës, Selman Azemi fajëson veten për atë që i ka ndodhur vajzës së tij, për shkak se siç thotë, nuk ka pasur mundësi që fëmijëve të tij t’ua mundësojë të jetojnë në një vend pa rrezik për jetë.

Shtëpia në të cilën tash jetojnë është ndërtuar pas luftës dhe që atëherë nuk është investuar ndonjë gjë, ku ata nuk kanë as ujë të pijshëm dhe as rrugë për të shkuar te shtëpia.

Sikur kjo të mos mjaftonte, gjashtë anëtarët e familjes Azemi që pesë vite jetojnë të vetëm në fshatin Aqarevë, ku më herët kishin qenë edhe dy familje po që për shkak të kushteve të vështira ishin shpërngulur.

Të gjashtë anëtarët e familjes jetojnë me vetëm 170 euro, të cilat kryefamiljari Selman Azemi i merri si veteran i luftës. Ai ka edhe një vëlla me të meta mendore, e për të cilin duhet të kujdeset.

Image

Për të shkuar te shtëpia e tyre, familja Azemi duhet të ecin në këmbë për më shumë se 1 kilometër, pasi që rruga është e pashtruar dhe është në gjendje shumë të keqe.

Selmani tregon se edhe vajzën që iu kafshua nga gjarpri, për ta dërguar në spital është dashur ta bartin me karrocë.

Familja Azemi ka siguruar përmes të afërmve 4 ari tokë në Klinë të Skenderajt dhe kërkesë e tyre është që kushdo që ka mundësi t’iu ndihmojë për të ndërtuar një shtëpi.

Premtime për të ndërtuar shtëpinë kjo familje ka marrë edhe nga Komuna e Skenderajt, por deri më tash nuk ka asgjë konkrete.

Media ka kontaktuar zyrtarët e kësaj komunë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur se a do të ndihmojnë këtë familje në ndërtimin e shtëpisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat