Pa bukë dhe të sëmurë – brenda familjes së gruas që u shtri para veturave dje në Pejë

Sociale

Pa bukë dhe të sëmurë – brenda familjes së gruas që u shtri para veturave dje në Pejë

Më: 25 korrik 2018 Në ora: 18:39
Një ditë më parë iu kishte dalë veturave para duke kërkuar vdekjen, përpara rikthimit në shtëpi, aty ku e prisnin fëmijët dhe burri, pa bukë dhe të sëmurë

Një ditë më parë iu kishte dalë veturave para duke kërkuar vdekjen, përpara rikthimit në shtëpi, aty ku e prisnin fëmijët dhe burri, pa bukë dhe të sëmurë. Ngjarja që ndodhi në mes të qytetit, tmerroi qytetarët e Pejës, ndërkaq, pak metra larg nga aty familja Shala vazhdonte jetën në kushte ekstreme.

Të martën nëpër rrjete sociale u shpërnda foto e një gruaje që kishte dalë në mes të qytetit të Pejës, aty ku do të vriste veten, si zgjidhje e vetme që i kishte mbetur krahas kushteve të vështira ku po i rriste fëmijët, me sëmundje, pa strehë dhe pa ushqim.

Pas tmerrit që panë qytetarët, ajo u largua nga rruga. Frontal gjatë ditës ka qëndruar në familjen Shala për të mësuar më shumë për fatin e tyre. Përpos kushteve të rënda, këta pesë anëtarë po përballen edhe me probleme shëndetësore.

Njëri nga fëmijët ishte i palëvizshëm tash e 10-vite, ndërsa të tjerët kishin probleme shëndetësore nga më të ndryshmet. 

Duke folur për T7, L.SH tha se vuan nga një sëmundje në bosht kurrizor, që iu shfaq pas një aksidenti, të cilin nuk e mban mend mirë.

“Kemi nevojë për një shtëpi, edhe për me shku te mjeku”, deklaroi ai. Shtëpia në të cilin jetonin tash e disa muaj nuk është e tyre, mirëpo, ua kanë lëshuar deri për një periudhë, njerëzit e vullnetit të mirë.

Ngjarjen që kishte ndodhur në këtë lagje e kishin parë edhe fqinjët. Disa prej tyre e njihnin mirë familjen, madje, iu kishin ndihmuar edhe për ushqim. 

Sahit Shatri tha për Frontal se shumë herë iu ka dhënë bukë falas kësaj familje, sepse në të kundërtën ata nuk do të kishin as për të ngrënë. 

Shqetësuese edhe për ta kishte qenë ngjarja në të cilin kishin qenë dëshmitarë. Ndërkohë nga Policia në Pejë, nuk kishin arritur të identifikonin deri sot gruan, pasi që kishin arritur në vend të ngjarjes pasi zonja ishte larguar nga aty. 

Sipas dëshmitarëve për këtë familje nuk është interesuar deri më tash as komuna e Pejës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat