‘Zoti më dhëntë jetë, sa të gjej drejtësi për amanetin e tim ati që dha shpirt në duart e mia’

Sociale

‘Zoti më dhëntë jetë, sa të gjej drejtësi për amanetin e tim ati që dha shpirt në duart e mia’

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 19:20
Myfidja është zotuar për të shpënë deri në fund amanetin e babait të saj që la para se të vdiste.

Në seancën e fundit për këtë sezon të “Shihemi në gjyq” u trajtua rasti i Myfides, një zonjë nga Fieri. Myfidja është zotuar për të shpënë deri në fund amanetin e babait të saj që la para se të vdiste.

Konflikti qëndron mes saj dhe djalit të xhaxhait, Sulejmanit, i cili sipas Myfides ka përfituar një truall në mënyrë të padrejtë.

Nga ana tjetër Sulejmani i thotë asaj t’i kërkojë përgjigjet te vëllai dhe te e ëma e saj. Myfidja ka thirrur në seancë mamanë e saj, Shanikon, që të dëgjojë një të vërtetë nga ajo.

Një e vërtetë që mund të jetë përgjigje e shumë pikëpyetjeve.

Myfide: Problemi im e ka zanafillën në vitin 1997. Është blerë kjo shtëpi në vitin 1958, e ka blerë gjyshi bashkë me katër djemtë e tij, babanë tim dhe xhaxhallarët.

Në vitin 1972 zhvendoset një xhaxha dhe merr banesë tjetër në apartament, pjesën e tij na e kalon ne. Bëhet fjalë për xhaxhain tim, Xhelal Kullën.

Pas dy vitesh të ikjes së xhaxhait, Xhelal Kulla, zhvendoset edhe xhaxhai i vogël, Refati, duke i lënë pjesën takuese, Hajdarit, xhaxhait tjetër.

Përfundimisht në shtëpi ngelemi familja e xhaxhait dhe neve. Me ardhjen e demokracisë, nëna ime vazhdonte të jetonte në po atë shtëpi, djali i xhaxhait Sulejman Kulla vendos të ngrejë një banesë tjetër dhe i kërkon nënës sime për të ia lënë atë pjesë takuese të shtëpisë së saj, dhe të ndërtojë shtëpinë e re.

Këtë ia kërkoi duke i ofruar një shtëpi tjetër ku mamaja ime do të qëndronte derisa të jetonte dhe se nuk do t’i përkiste ligjërisht asaj.

Unë e kam thirrur mamanë time sepse dua të di gjithçka me pastërti.

Ne jemi 5 motra një vëlla, nëna i ka të gjithë të barabartë fëmijët.

Zonja Shaniko: Unë jam me djalin sot për sot. Ata janë kundërvënë sikur ne e kemi shitur atë trual dhe kemi marrë paratë për vete. Në asnjë mënyrë. Ai nipi që hodhi shtëpinë në shesh, ne e kemi bërë me mirëkuptim. Do ta gjejmë me njëri-tjetrin kështu i thamë, me mirëkuptim? Jo, ai nuk ka pranuar.

E hodhi shtëpinë në shesh duke qenë unë në spital, në vitin 1997. Mblodhi fëmijët e lagjes dhe i hypi në çati të thyenin tjegullat. Kur vij me tim shoq nga spitali, ç’binte jashtë binte brenda.

Myfide: Nënë ulu qetësohu se nuk meriton ti të jesh aty. Unë do të çoj amanetin e babait, jo të përfitoj nga ajo shtëpi, por sepse dha shpirt në duart e mia dhe tha bijë mos e braktisni shtëpinë ku ju linda dhe ju rrita. Dhe i kam thënë, me jetën time baba, do ta çoj deri në fund.

Ti e di mirë mama që unë jam e sëmurë, kam kryer operacione, e kam barkun të bombarduar.

Sulejmani, djali i xhaxhait të Myfides, pretendon se e ka fituar pronësinë në bazë të rregullave dhe ligjeve, ndërkohë që Myfidja thotë se akoma sot ata janë bashkëpronarë, por ai ka zënë të gjithë pronën.

Ai nuk ka pranuar të jetë pjesë e seancës së ndërmjetësimit publik.

Zonja Shaniko: Ai nuk pranon sepse nuk ka fytyrë të përballet me mua, si nuse xhaxhai.

Eni Çobani: Myfitja mendon se ju keni rënë në dakordësi me Sulejmanin.

Myfide: Unë kam dokumentet, t’i provojë kudo. Jam e gatshme të përballem në çdo gjykatë me këto dokumente. Por unë mamanë time e kam sjellë këtu për një të vërtetë.

Mamaja i di mirë vuajtjet e mia, rraskapitjet. Që të shesë një bijë, shtëpinë, të rrijë me qira, ende nuk kam paguar qiranë për një vit e gjysmë. Kam 4 milionë lek të vjetra dokumente, që i kam hequr nga gjaku im. Po rrezikoj jetën, nuk e di në do jetoj apo jo. S’kam çfarë humbas më, e kam jetën e humbur, do ta çoj deri në fund. Prandaj kam ardhur te ju zonjë e nderuar me besimin e madh dhe të plotë sepse kam gjetur ngrohtësinë dhe shpresa e madhe jeni ju.

Dyshimi im për nënën është: Nënë nëse ju e keni shitur, keni marrë diçka nga Sulejmani, më thoni?

Zonja Shaniko: Jo as nuk e kemi shitur as nuk e kemi blerë, fare biri i nënës.

Myfide: Për një muaj kam planifikuar operacionin. Nuk kam para të operohem. Zoti më dhaftë jetë sa për të gjetur drejtësi. Për amanetin e tim ati që dha shpirt në duart e mia…

Prandaj nënë më thuaj me sinqeritet, të iki dhe unë nga kjo botë e qetë. Nëse e ke shitur më thuaj bijë e shita dhe e mbyllim me kaq, stop.

Eni Çobani i drejtohet zonjës Shaniko: Zoti Sulejman ka insistuar gjithmonë në faktin që të pyetet Shaniko me Nexhatin. Nexhati është djali i vetëm, vëllai i vetëm i këtyre zonjave.

Image

Unë kam kërkuar të jetë edhe Nexhati këtu.

Zonja Shaniko: Ai nga pamundësia që është i sëmurë, kam ardhur vetë. Unë fëmijët i kam të barabartë, unë më djalin jetoj, se kur më rrëzuan shtëpinë, ai djalë më mori më futi brenda.

Eni Çobani: Unë kam një prokurë të posaçme të datës 11.03.2015. Ku Shaniko Kulla që e kemi prezente, Fatbardha Kulla që e kemi prezente, Vitori Kulla, Myfide Kulla, me vullnetin e tyre të lirë dhe të plotë, thoni ju, kemi bërë një prokurë, ku autorizojmë si përfaqësues ligjor të vetëm dhe me kompetenca ligjore të plota, zotin Nexhat Kulla.

Në këto kushte që ju keni lënë një prokurë, unë dua të di çfarë ka ndodhur në këto tre vite sepse prokura është lënë për një qëllim.

Myfide: Këtë prokurë e ka kërkuar vëllai zonja Eni, unë do vazhdoj procedurat na tha, ju mund të vini të hidhni një firmë. Dyshimet e mia janë të plota sepse sot jemi në vitin 2018, qorra, të paditur nuk ka. Shkoj te noterja, më thotë zonjë urdhëro letrën hidh një firmë. I kërkova ta lexonte. Pasi e lexoi, e firmosa dhe mora kopjen time.

Shkoj te mamaja e pyes disa herë, çfarë po bën vëllai. Po pret më thotë, se ai zotëria i ka thënë do të të fal një shtëpi në këmbim të truallit.

Edhe ne pritëm, duke e marrë të mirëqenë se ata do të gjenin gjuhën  e përbashkët me vëllain.

Eni Çobani: Zoti Sulejman ka ngritur gjithmonë pretendimin se këtë problem e di Nexhati. Këto vajza duhet të shkojnë te Nexhati. Ky Nexhat nuk na erdhi dhe sot por na solli Shanikon.

Unë shikoj këtu një vendim që më rezulton ka qenë me kërkues Haxhi Kullën, që është babai i Myfides, dhe është i viti 15.10.1998 me gjyqtare Arta Danon, e cila këtu ka bërë objekt dëshmi trashëgimie, për babain e tyre për Xhaferrin. Atëherë për çfarë është dashur kjo? Keni qenë në momentin për të rifituar pronën në emër të gjyshit?

Myfide: Ne zonja Eni me Sulejmanin e kemi marrë shtruar. Në radhë të parë për të mos bërë gjakderdhje, se t’i prishësh në mes të ditës shtëpinë dhe im atë kalonte përditë atje dhe zotëria ka tentuar ia kam thënë dhe në sy, të hedhë nga banesa dërrasën të vrasë tim atë, në shtëpinë e vet, është aspak e padurueshme. Por kjo nënë nuk na ka lënë kurrë, bir mos shko në denoncim, bir mos derdhim gjak, se do të vijë drejtësia një ditë dhe ai do ta lëshojë vetë.

Ardit Gjebrea: Ju keni tentuar të flisni me djalin e xhaxhait?

Myfide: Po, asnjëherë nuk ka pranuar.

Unë kam kërkuar djalin e tij, i kam thënë bisedo me të se ai është gjaknxehtë. Pastaj unë i jam drejtuar zonjës Çobani vetëm për një drejtësi.

Eni Çobani: Sulejmani është pronar, i kësaj prone sot. Është Sulejman Kulla, është pranuar nga vetë dhe ai në zyrën time, dhe në fakt kjo është një pasuri e prejardhur nga Xhevahir Kulla. Pra është një pasuri e gjyshit, i cili ka lënë më pas 4 djem dhe 2 vajza por meqënëse këto dy vajza kanë qenë të martuara qëkur kanë qenë në Nepravishtë, më pas gjyshi është transferuar dhe ka ardhur në zonën në të cilën është bërë ndërtimi, ka qenë vetëm me katër djem dhe pasuria u ka kaluar katër djemve, këtu ka filluar i gjithë procesi.

Me zotin Sulejman janë hapur të gjithë dokumentet, i kam kërkuar që edhe ai të sjellë dokumente të tjerë dhe ai insiston për faktin që unë kam kontratë shit-blerjeje dhe në fakt kjo kontratë ekziston.

Këtu fillon gjithë problematikë sepse fillimisht kemi pasur një bashkëpronësi, rrugës, këta zotërinjë, secili nga këta pronën e kanë kaluar te zoti Sulejman.

Sulejmani bëhet pjesë e seancës së ndërmjetësimit.

Eni Çobani: Unë ju falënderoj që pranuat telefonatën. Sigurisht që jemi njohur, jemi takuar kemi bërë një seancë ndërmjetësimi private, por është dashur që sërish, zonja ju ka thirrur dhe në një seancë publike.

Sulejmani (në telefon) : Nëse kanë pretendime t’i zgjidhin në gjykatë. Të shkojnë në gjykatë, të shkojnë në hetuesi, të shkojnë ku të duan. Nuk kam probleme fare të kësaj natyre, çfarë t’u takojë ta marrin në gjykatë.

Eni Çobani: Kemi një kontratë të datës 13 Nëntor 2007, të cilët pala shitësë që janë Xhelal Kulla, Refat Kulla, Besie Kulla, Ismihan Sejdini, Mimoza Skënderaj Kulla, Natasha Kulla, Arjan Reveli, Kosta Kulla dhe pala blerëse është Sulejman Kulla.

Dhe pala shitëse deklaron se ia shet pjesën e pandarë, të bashkëpronësisë së një sipërfaqe toke truall, me një sipërfaqe prej 518 metra katrorë, nga të cilët 46 metër katrorë janë ndërtesë, bashkëpronarit zotit Sulejman Kulla, me një shumë totale prej 200 mijë të reja ose 2 milion Lekë të vjetra, nga të cilat 100 mijë Lekë është çmimi i shitjes së tokës truall dhe 100 mijë Lekë është çmimi i ndërtesës. Pra deri në 2007 janë bashkëpronarë me zotin Sulejman Kulla.

Xhelal Kulla në vitin 1997, pikërisht në datën 22 Gusht, para noteres Adelina Panajoti, është paraqitur vullnetarisht dhe thotë që babai im i ndjerë Xhaferr Kulla pa pasur një shtëpi banimi në Fier, prej katër dhomë, një kuzhinë, dy korridore, një nevojtore, dhe një oborr prej 400 metra katrorë.

Dhe unë deklaruesi në pjesën time të pandarë, të një dhome ku kam jetuar familjarisht, deri në vitin 1972 dhe pas kësaj kohe unë shkova në pallat, dhomën time unë qysh nga ai vit, hoqa dorë vullnetarisht si edhe nga pjesa ime takuese e truallit, nga kjo pasuri trashëgimore dhe që në atë kohë vullnetarisht këtë të drejtë ia kaloj vëllait tim të quajtur Haxhi Kulla i cili jeton atje familjerisht.

Këtë deklaratë i ndjeri e ka bërë në vitin 1997. Meqënëse Xhelalin nuk e kemi, morëm djalin e Xhelalit, në prani të zonjës dhe të zotit Sulejman, zotin Fatos.

Ne të tërë tha ia kemi lënë Sulejman Kullës. E pyeta nëse ai kishte dijeni se në vitin 1997, Xhelali ia ka lënë Haxhi Kullës? Këto gjëra ai tha nuk i di, unë di tha që ia kemi lënë Sulejman Kullës.

Kemi një notë transkriptimi të vitit 1958 me 400 metra katrorë, më pas vijmë që në vitin 1997 këto 400 metra katrorë janë njohur në emër të Xhaferr Kullës, të gjyshit, pavarësisht se banorë kanë qenë Haxhi Kulla dhe Sulejman Kulla, banorët e fundit të kësaj shtëpie. Ndërkohë zoti Refat ka lënë një dokument ku ia lë pjesën Hajdarit më pas është bërë pjesë edhe e kontratës së shit-blerjes.

Xhelali pavarësisht se ka bërë një deklaratë të heqjes dorë nga pasuria, më pas është rimarrë dhe ka shkuar ka bërë një kontratë shit-blerjeje. Nga djali i tij na është thënë që ne ia njohim Sulejman Kullës. I vetmi bashkëpronar .i cili nuk përmendet në këtë pronësi, është Haxhi Kulla.

Tejkalimi nga zyra e regjistrimit për tjetërsimin e kësaj prone nga tagrat ligjore që i takojnë zyrës së regjistrimit, ky është një problem që do ta shikojmë në vazhdimësi. Unë kam pritur që Sulejmani ta pranojë faktin e gabimit të rëndë që është bërë dhe kjo pronë i ka kaluar Sulejman Kullës, i cili jeton dhe posedon atë prej 21 vitesh dhe të pranojë publikisht që ky gabim është bërë në bashkëpunim. Sepse Sulejmani përderisa pranon që është pronar atëherë i njihen të gjithë gabimet që kanë bërë dhe organet përkatëse për regjistrimin e kësaj prone.

Të gjitha të drejtat e klientes që është zonja Myfide, përfshirë të drejtat e gjithë familjes, jeni dhe vazhdoni të jeni bashkëpronarë në këtë pronë që ju duhet të bëni vetëm pjesëtimin e saktë dhe të drejtë të saj dhe gjithësecili nga ju, të vazhdojë dhe të gëzojë të drejtat dhe tagrat ligjore mbi pronën që juve ju takon.

Myfide: Do t’i thoja vetëm kaq nënës sime, nëse nëna ime i ka të gjithë fëmijët njëlloj, që unë kam të drejtë të eci përpara për të kërkuar pronësinë, në qoftëse mua nëna ma jep të drejtën për ta gjetur për ta çuar deri në fund, unë jam e gatshme. Në qoftëse nëna ime mban anshmëri për te djali që ta ndjekë djali, është e lirë.

Eni Çobani: Ju si e mendoni, nëse vjen momenti që do të duhet një prokurë e posaçme do t’ia jepni firmën që t’ju përfaqësojë ?

Zonja Shaniko: Do t’ia jap.

Më në fund seanca e ndërmjetësimit u zgjidh me sukses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat