Kërkohet rregullore e veçantë për punësimin e personave me aftësi të kufizuar

Sociale

Kërkohet rregullore e veçantë për punësimin e personave me aftësi të kufizuar

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 17:16
Foto ilustrim

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica kërkoi të nxirret një rregullore e veçantë, e cila do të vendoste kritere të veçanta për punësimin e personave me aftësi të kufizuar.

Kërkesa e ministrit erdhi meqë në ligjin për Shërbimin Civil nuk është paraparë ndonjë masë afirmative për këta persona dhe kushtet e rekrutimit të tyre janë të njëjta me të gjithë të tjerët.  Kjo çështje mbeti e hapur deri në Ligjin e ri për Shërbimin Civil.

Ministri Reçica tha se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për të lehtësuar kushtet e punësimit për personat me aftësi të kufizuar.

Reçica:Të nxirret një rregullore për punësim të personave me aftësi të kufizuar

“Edhe pse ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim të personave me aftësi të kufizuar, na obligon të punësojmë persona me aftësi të kufizuar, megjithatë, ligji për shërbimin civil nuk e ka paraparë ndonjë masë afirmative për këta persona dhe kushtet e rekrutimit të tyre janë të njëjta sikur për personat e tjerë. Me qëllim që mos të margjinalizojme këtë kategori, lus ministrinë e Administrimit Publik që të shikojnë mundësinë që në harmoni me ligjin për shërbimin civil të nxirret një rregullore e veçantë me qëllim që të vendosim kushte dhe kritere të veçanta për rekrutimin e personave me aftësi të kufizuar”, tha Reçica.

Ai tha se në këtë mënyrë Qeveria do të tregonte gatishmërinë që kjo kategori mos të mbetet edhe më tej e margjinalizuar.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar tha se me ligjin e ri do të rregullojnë çështjen e personave me aftësi të kufizuar dhe komuniteteve, meqë sipas tij tani nuk mund të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit.

Yagilar: Duhet të gjejmë një mekanizëm që personat me aftësi të kufizuar dhe komunitetet

“Vërtetë ligji i shërbimit civil lejon mundësi por nuk ka krijuar mekanizma, por besojmë që tash jemi në fazën e përfundimit të ligjit për zyrtarët publik ku janë çështjet edhe sa i përket shërbyesve civil dhe kategorive tjera, duhet ta gjejmë këtë mekanizëm,i cili duhet të bëhet edhe për personat me aftësi të kufizuar, por gjithashtu edhe për përfaqësimin e komuniteteve, sepse këto mekanizma deri tash nuk janë rregulluar. Besojmë që me ligjin e ri do të rregullojmë. Sepse në këtë moment me hy me plotësim ndryshim të ligjit nuk ka kohë, jemi në fazën e aprovimit të ligjit të ri”, tha Yagcilar.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se tema të tilla duhet të prezantohen të përgatitura mirë në mënyrë që Qeveria të mund të marrë vendim.

Haradinaj: Të gjendet një opsion real mes Ministrisë së Punës dhe Administratës Publike

“Propozoj që në të ardhmen temat si kjo t’i përgatisni me materie, të na jepni me kohë dhe të mundemi ne me marr vendim, qoftë me obligu Ministrinë, për shkak se kur po është tema në të ndryshme po e kemi më zor me vendosë si me vepru më tutje, por tash për tash ju e hapët për diskutim, po e lejmë në këtë fazë kështu pa vendim, e kemi vështirë me marr por ju konsultoheni mes vete nëse mundeni me gjet opsionin real”, tha Haradinaj.

Në mbledhjen e Qeverisë u miratuan një varg projektligjesh, ndër të tjera edhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike.

Sipas kryeministrit  Haradinaj, me këto ndryshime fuqizohet transparenca, llogaridhënia, dhe njëkohësisht Kosova është në rrugë të mirë të përmbushjes së MSA-së si obligim ndaj BE-së.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat