CIA: 1951, Greqi-Serbi, si do ndahej Shqipëria

Speciale

CIA: 1951, Greqi-Serbi, si do ndahej Shqipëria

Nga: Prof. Eroll Veliu Më: 16 janar 2019 Në ora: 08:38
CIA

Tiranë: Një raport sekret i CIA-s, që daton më 8 prill 1951, nxjerr në pah planin e Greqisë për ndarjen e Shqipërisë mes saj dhe ish-Jugosllavisë. Ky plan, raportohet nga Ambasadori i SHBA-ve në atë kohë në Beograd, sipas të cilit, një anëtar i Byrosë Politike jugosllave i kishte thënë se një propozim grek i ishte bërë Jugosllavisë në “nivelin më të lartë”, për ndarjen e mundshme të Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë, ku pjesa jugore do t’i kalonte Greqisë, ndërsa ajo veriore, Jugosllavisë. 

Raporti

Referuar raportit të Agjencisë Inteligjente Amerikane, i cili mban nëntitullin “Propozimi grek për ndarjen e Shqipërisë”, mësohet se në një takim në 4 prill 1951 mes Ambasadorit të SHBA-ve në Beograd, Allen dhe një personi të paidentifikuar, një anëtar i Byrosë Politike jugosllave i kishte thënë këtij të fundit se një propozim grek i ishte bërë Jugosllavisë në “nivelin më të lartë”, për ndarjen e mundshme të Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë. 

Por kur Ambasadori Allen kishte shprehur mosbesimin e tij në lidhje me këtë bisedë, bashkëbiseduesi i tij iu përgjigj, se ky informacion i kish qenë besuar atij në “bisedën më të sinqertë që ai kishte pasur ndonjëherë me një zyrtar të Jugosllavisë që nga viti 1941”.

Gjatë raportimit të tij, Ambasadori Allen tregon se ndoshta Kryeministri grek Venizelos kundërshtoi përçapjen e fundit diplomatike jugosllave në lidhje me rrjedhën e ngjarjeve të Greqisë në rast të një sulmi mbi Jugosllavinë, duke iu referuar të ardhmes së Shqipërisë.

Ndërkaq, në fund të këtij raporti agjentët e CIA-s, në një koment të tyre shkruajnë, se grekët kanë ushqyer tradicionalisht aspirata për Epirin e Veriut. “Është e mundur që ata u përpoqën të ftonin Jugosllavinë lidhur me një ndarje të Shqipërisë. 

Një sugjerim i tillë me siguri do të ngjallte më tej frikën jugosllave të ndërhyrjes së huaj në Shqipëri dhe mund pjesërisht të shpjegojë raportet e fundit në shtypin jugosllav, duke akuzuar se Greqia dhe Italia janë duke ndërhyrë në Shqipëri.”, – mbyllet raporti i CIA-s. 

Arkiva e CIA-s

Në arkivat e Agjencisë Inteligjente Amerikane gjendet një numër i madh raportesh e dokumentesh, të cilat flasin për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe interesat e herëpashershme të kësaj të fundit për Epirin e Veriut. 

Në një dokument të 15 janarit 1953, raportohet për një takim mes Kryeministrit grek Papagos dhe atij italian, De Gaspari, ku ky i fundit i thotë homologut të tij, se Italia ka hequr dorë tashmë nga të gjitha ambiciet për Shqipërinë. Ndërkaq, Kryeministri grek siguron homologun italian, se Greqia do të ndjekë kërkesat e saj për Epirin e Veriut, vetëm nëpërmjet rrugëve diplomatike.

Në një tjetër raport sekret të datës 29 dhjetor 1955, thuhet se, “sipas zërave që qarkullojnë në Greqi, Bashkimi Sovjetik përpara zgjedhjeve të programuara për t’u mbajtur në Shkurt, do të deklarojë mbështetjen për Greqinë për sa i përket çështjes së Epirit të Veriut – tashmë pjesë e Shqipërisë”, – mbyllet raporti i CIA-s.

Biseda në Beograd më 4 prill 1951

Në një bisedë në 4 prill me Ambasadorin e SHBA-ve në Beograd, Allen, XXX ka deklaruar se një anëtar i Byrosë Politike jugosllave i kishte thënë, se një propozim grek i ishte bërë Jugosllavisë në “nivelin më të lartë” për ndarjen e mundshme të Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë. 

Kur Ambasadori Allen kishte shprehur mosbesim, XXX zbuloi se ky informacion i kish qenë besuar atij në “bisedën më të sinqertë që ai kishte pasur ndonjëherë me një zyrtar të Jugosllavisë që nga viti 1941”. Allen tregon, se ndoshta Kryeministri grek Venizelos kundërshtoi përçapjen e fundit diplomatike jugosllave në lidhje me rrjedhën e ngjarjeve të Greqisë, në rast të një sulmi mbi Jugosllavinë, duke iu referuar “të ardhmes” së Shqipërisë.

Koment: Grekët kanë ushqyer tradicionalisht aspiratat për Epirin e Veriut (Shqipëria Jugore). Është e mundur që ata u përpoqën të ftonin Jugosllavinë lidhur me një ndarje të Shqipërisë. 

Një sugjerim i tillë me siguri do të ngjallte më tej frikën jugosllave të ndërhyrjes së huaj në Shqipëri dhe mund pjesërisht të shpjegojë raportet e fundit në shtypin jugosllav, duke akuzuar se Greqia dhe Italia janë duke ndërhyrë në Shqipëri.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat