“Të shihje që fëmija jepte shpirt dhe fjala e fundit ishte ‘bukë”, dëshmitari rrëfen tmerrin: Si komunistët shkatërruan 2 familjet më të pasura të Devollit - Bota Sot
“Të shihje që fëmija jepte shpirt dhe fjala e fundit ishte ‘bukë”, dëshmitari rrëfen tmerrin: Si komunistët shkatërruan 2 familjet më të pasura të Devollit

Speciale

“Të shihje që fëmija jepte shpirt dhe fjala e fundit ishte ‘bukë”, dëshmitari rrëfen tmerrin: Si komunistët shkatërruan 2 familjet më të pasura të Devollit

Më: 26 gusht 2019 Në ora: 17:08
Fotoja nga faqja e Meti Fidanit në Facebook

Sekuestrimi i pasurisë së familjes Fidani dhe shpërndarja e djemve të saj, në burgje dhe kampe internimi. Një prej trashëgimtarëve, Meti Fidani, tregon sagën e kësaj familjeje, ku i ati u burgos në Burrel dhe xhaxhai u dërgua në kampin e Tepelenës

Në një postim të para pak kohëve në faqen e tij në Facebook, djali i vëllait të Ferik Fidanit, tregon se si ardhja e komunistëve në pushtet, shkatërroi familjen Fidani, një nga më të pasurat e Devollit të Sipërm, në vitet ’40, duke dënuar me burgje dhe internime dy nga bijtë e saj. Një prej tyre ishte Feriku, më i madhi i 5 vëllezërve dhë më i urti, siç e quan Meti, një nga ata që “nuk turbullonte ujët” kurrë, siç i thonë në ato zona. Megjithatë, kjo nuk do ta ndalte pushtetin ta internonte në kampin e Tepelenës, nga gjithë ai burrë, u kthye gjysmë njeri. Nga kampi i Tepelenës, nuk mund të ktheheshe ndryshe, nëse ishe njeri kur shkoje.

“Tmerret e këtij kampi i ka provuar dhe i ka parë xhaxha Feriku. Ka parë kur fëmija jepte shpirt dhe fjala e tij e fundit ishte bukë… Kishte parë se në një ditë humbën 30 jetë fëminore… Kishte parë kur as arkivole nuk kishte për fëmijët e vdekur… As varre nuk kishte… Komandanti legjendar e kishte hequr dhe të drejtën e varrit… Armiq këta fëmijë… Humbën pa nam e nishan… Shumë eshtra i mori Vjosa. Shumë eshtra nuk dihet se të kujt janë, shumë eshtra nuk dihet se ku janë… Dhe nuk janë pak… Janë 6000 të zhdukur në gjithë Shqipërinë”, shkruan nipi i Feritit në postimin e tij. Xhaxhai i tij kishte parë vërtet shumë, por fliste pak. “-Për qahmet të Tepelenës – thoshte shpesh xhaxha Feriku. Ai ishte një nga të mbijetuarit e këtij kampi. Nuk fliste shumë i urti xhaxha… Sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Vetëm se kur dëgjonte ndonjë këngë për komandantin, shkonte me vrap dhe e mbyllte radion”.

Para se ta çonin në Tepelenë, Ferikun e kishin internuar në Porto Palermo. Familja e tij nuk dinte asgjë për fatin e tij, deri sa vëllai i vogël, Nekiu, e gjeti. I kishin mbetur vetëm kockat dhe rrobat e trupit, por ishte i gjallë dhe kjo kishte rëndësi. Familja Fidani, e vënë në shenjestër, nuk mund të shpresonte më shumë. Jeta iu ishte kërcënuar disa herë anëtarëve të saj. Një nga vëllezërit, Lacja, kishte shkuar me kokën në trastë dhe dy fëmijët me vete të dorëzohej në çadrat e gjyqit partizan në Shipckë të Voskopojës. Sigurisht, Shazija dhe Engjëlli i vogël, që kur të rritej, do të ishte një i burgosur politik më shumë nga familja Fidani, nuk do ta preknin zemrën e partizanëve që ishin treguar të pamëshirshëm në shumë raste duke i dhënë atij gjyqi namin e gjyqit nga nuk ktheheshe më, por ishte zemra dhe zëri i djalit të Sali Butkës, që e shpëtoi Lacen. “Nga një çadër ngjitur u dëgjua një zë urdhërues:

-Iljaz Fidanit t’i falet jeta. Të dënohet 6 muaj me punë të detyruar.

As Lacja e as sekretarja nuk e prisnin këtë.

-Ik o Lace ik. Merri fëmijët e shko në shtëpi. Ik mor Lace, mor vëlla, se gjaku nuk bëhet ujë-foli ai tjetri pa dalë fare nga çadra.

Ai që po fliste ishte Muharrem Butka, i biri i Sali Butkës”, tregon pasardhësi i familjes Fidani. Edhe jeta e vëllait tjetër, Etemit ishte varur në fill të perit, por pastaj ishte shpëtuar po me ndërhyrje. “Babain e kishin dënuar me pushkatim, por falë ndërhyrjes së Myftar Tares, u anulua vendimi me 101 vjet burgim”, tregon i biri, Meti Fidani. Do të mbetej gjallë dhe Etemi, pa çka se në burgun e Burrelit.

Edhe dy vëllezërit e tjerë kanë historitë e tyre në këtë sagë. Estrefit iu desh të fshihej te njerëzit e bashkëshortes, në Melçan, pasi i sekuestruan dyqanin në qendër të Korçës. Vetëm që para se të ikte, ai bëri një gjest që më vonë do e shpëtonte nga dënimi kapital. Ua fali nxënësve dhe fëmijëve në nevojë gjithë artikujt shkollorë dhe veshjet që kishte në dyqan. Kur u khye nga arratia, kjo do i falte jetën. Ndërsa më i vogli Nekiu, në pak kohë, u gjend dhe në anën e partizanëve dhe kundër tyre.

“Nga emri nacionalçlirimtare, kuptohej dhe mendohej që kishte vend edhe për nacionalistët në luftë. Nga parrulla: pa dallim feje dhe ideje, kuptohej që do kishte pluralizëm. Kur thuhej që do krijohet qeveria demokratike e pasluftës, të jepej përshtypja që do të kishte një demokraci. Kjo ishte arsyeja që familja Fidani, e dërgoi Nekiun në luftë, megjithëse i vogël në moshë. Nekiu është nga veteranët e paktë të luftës në Korçë, që janë gjallë. Ai tregon se i ndoqëm gjermanët këmba-këmbës gjer në Jugosllavi, por gjerman nuk pamë gjëkundi. Ndoshta gjermanët ishin më të shpejtë. Por në të njëjtën kohë duhej bërë spastrimi nga forcat e brendshme kundërshtare, nga bajraktarët dhe kleri katolik, tregtarët e ballistët. Edhe pse ishte në Jugosllavi, Nekiu e kuptoi se lufta nuk ishte vetëm çlirimtare, ishte edhe vëllavrasëse. Një ditë rreshtuan brigaden e u thanë se e çliruam edhe Jugosllavinë. Tani e tutje kush dëshiron të qëndrojë oficer në ushtri, le të qëndrojë, kush nuk dëshiron, të kthehet pranë familjes. Nekiu zgjodhi variantin e dytë”, trego Meti Fidani. Kur u kthye nga lufta, nuk gjeti as një vëlla. Në shtëpi ishte vetëm e ëma me nipin dhe mbesën. U lumturua që i biri qe gjallë, por i tha të mos futej në shtëpi sepse ajo ruhej nga partizanët që kishin ardhur për ta djegur. Në atë shtëpi, vetëm pak kohë më parë, u ishin lëshuar 4 dhoma partizanëve që ishin pritur me gjithë të mirat, që kësaj shtëpie nuk i mungonin.

Ata kishin mullinj, destila për larjen e përpunimin e qilimave, kishin një dyqan në Korçë, bagëti, kullota, pyje, etj. Rrjedhimisht merrnin edhe punëtorë nga Devolli i Poshtëm. Madje kishin sjellë energjinë elektrike në fshat para “elektrifikimit” të Shqipërisë, me anë të një turbine të ardhur nga Italia, që u montua pranë mullirit, për të ndriçuar punishten edhe gjatë mbrëmjes, kur puna vazhdonte për shkak të kërkesës së madhe. Ishin në një gjendje shumë të mirë ekonomike, por pikërisht kjo u kthye në arsye që të përndiqeshin, ndonjëherë edhe nga ata që kishin punuar për ta. Megjithë vuajtjen që kish në shpirt për katër djemtë që nuk dinte ku i kishte, nënë Naimeja, porositi Nekiun të lajmëronte myshterinjtë të merrnin bereqetin para se t’i bastisnin. “U bë si u bë të mos turpërohemi me myshterinjtë tanë hallexhinj”, i tha ajo të birit. Dhe pikërisht në një nga ditët kur Nekiu ishte në mulli për t’u shpërndarë porositë myshterinjve, sheh të vijë aty një nga mushkat e tyre, e ngarkuar tej mase me gurë që sikur e njohu të zotin, që e shkarkoi dhe e puthi në ballë kafshën e gjorë, por në atë çast u shfaq një partizan. Tani Nekiu, nuk kishte si të ishte në anën e tyre.

“-Pse e shkarkove mushkën? Ne po ndërtojmë postën.

-Pse kaq shumë ngarkohet mushka? Janë gurë nuk janë pambuk… Mushka do këputet në mes.

-Të vjen keq ty për mushkën e të deklasuarve?- dhe partizani e goditi kafshën në kokë me kondakun e pushkës, si dënim që kishte hyrë në mullirin e saj, atje ku kishte hyrë vite me radhë.

Nekiu e kapi partizanin për jake të xhaketës dhe të dy dolën përjashta duke u kacafytur… Një çast burrat shtangën njëherësh:

-Po ti qenke o spurdhjaku i Devollit

-Ti Neki je…

Partizani kishte qenë hyzmeqari ynë, por dhe miku ynë. Ishte kushëri i afërt i Ferdane Çakshirit, i gruas se xhaxha Ferikut… Të dy me Nekiun ata hanin bukë bashkë, loznin bashkë, dilnin për gjah bashkë.

-Kemi urdhër t’i ngarkojmë sa më shumë kafshët e konfiskuara nga të deklasuarit-u shfajësua devolliu”.

Tashmë komunistët ishin kthyer në pronarë të kafshëve, tokave dhe gjësë së vënë me mund, por ishin kthyer në pronarë edhe të jetës së njerëzve. Të mbijetoje edhe pasi të kishin vënë në shenjestër do të thoshte ta kishe jetën për së dyti. Veçse ajo nuk ishte një jetë normale. Nuk mund të ishte, pasi kishe parë ato që ndodhnin në kampin e Tepelenës.

Nga A.Çano

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...