Vdiq Idriz Bytyqi, truproja e atdhetarit Rifat Berisha

Speciale

Vdiq Idriz Bytyqi, truproja e atdhetarit Rifat Berisha

Skënder Zogaj Nga Skënder Zogaj Më 27 tetor 2019 Në ora: 22:06
Idriz Bytyqi

Populli shqiptar i Kosovës është fenomeni ballkanik që i qëndresës, që robërinë shekullore e ka përballuar me sakrificat më të jashtëzakonshme dhe ka mbijetuar më i fortë se armiqtë e shumtë që kanë synuar ta zhdukin nga faqja e dheut. Kjo mbijetesë është rezultat i burrërisë tradicionale shqiptare, që nëpër shekuj ka bërë qëndresë feniksi, duke u bërë hi dhe duke u ringjallur nga hiri i vet, edhe më i fuqishëm në mposhtjen e robërisë, duke ecur përpara me fitore lavdie, që përbëjnë faqet më të ndritura të historisë së përbotshme, me kryetrima legjendar siç janë: Pirroja, Aleksandri i Madh, Agroni, Bardhyli, Teuta, Skënderbeu, e deri të Mic Sokoli, Ismail Qemali, Adem Jashari, Ibrahim Rugova... Mirëpo, gjithë këta krye heronj u bën të lavdishëm, sepse e kishin shpirtin liridashës të popullit Ilirian, i cili që nga thellësia parahistorike ka derdhur gjakun krua për të ndërtuar jetën e lirë të njerëzve të lirë, në tokat e veta. Sakrificat shekullore, për çudi, në vend të frikës kanë forcuar trimërinë në përmasën gjithë popullore, të një tradite të fuqishme dhe të pashtershme, siç është qëndresa e kohës së Skënderbeut, kur një grusht njerëzish për 25 vjet radhazi mposhtin perandorinë Osmane, më të fuqishmen e kohës. Si qe e mundur kjo? Ishte e mundur sepse në çastet vendimtare, heroizmi legjendar ka ekzistuar tek gjithsecili luftëtar shqiptar, që ka vulosur traditën mitike: Gjergj Elez Alia, Oso Kuka, Mic Sokoli, Adem Jashari...

2.

I frymëzuar nga tradita e lashtë e rezistencës atdhetare, sidomos nga ajo e Skënderbeut, ishte edhe Idriz Cakë Bytyqit, nga Arllati i Drenasit, i cili më 25 tetor 2019, në moshën 91 vjeç, vdiq dhe u varros në vendlindjen e tij.

Një vdekje plotësisht natyrale, e një njeriu të thjeshtë, por të nderuar në gjithë trevën e Llapushës dhe më gjerë, siç u pa edhe në ceremonialin e varrimit, ku morën pjesë një numër shumë i madh i bashkëvendësve të tij dhe nga e gjithë Kosova, që kishin ardhur për t’ia dhënë lamtumirën e fundit, një burri të madh, me një jetë të bujshme, prej veprimtari me energji të pashtershme, që nga rinia e tij e hershme e deri në frymën e fundit, me mendje e zemër i përkushtuar për fatin e kombit dhe të atdheut.

I lindur më 15 nëntor 1928, Idrizi i përket brezit të parë të veprimtarëve shqiptarë të pasluftës së dytë botërore, atyre burrave të guximshëm që në kohë e rrethana tepër të rënda, nuk i nënshtrohen okupimit të egër serbo- sllav, që aneksoi Kosovën dhe ia vazhdoi okupimin populli shqiptar. Idrizi ishte vetëm 19 vjeç, kur i bëhet truproje Rifat Berishës, patriotit dhe kundërshtarit më të rreptë të regjimit komunist jugosllav. Në vitin 1949

Rifat Berisha vritet dhe gjithë njerëzit e rrethit të tij ndiqen, persekutohen e dënohen mizorisht. Ndër ta është edhe e gjithë familja Bytyqi, e veçmas Idrizi, i cili për t’iu shmangut UDB-s, braktis familjen dhe strehohet në Lubjanë të Sllovenisë.

Kjo ikje nuk është personale. Idrizi shkon për ta vazhduar edhe më me këmbëngulje veprimtarinë kombëtare. Dëshmitarë janë me qindra kosovarë hallexhinj të asaj kohe, të cilët Idrizin e e kishin “ambasadorin” e tyre shpëtimtar, sepse Idrizi është ai që i pret, i strehon dhe përkujdeset për ta vëllazërisht.

Me përkushtim edhe më të madh Idriz Bytyqi punon pas vitit 1966, kur bie tirani Aleksandër Rankoviq dhe për Kosovën krijohet një kohë më e volitshme veprimi, që Idrizi me shokë e shfrytëzojnë për mobilizimin e mërgatës shqiptare në Slloveni, e cila bëhet pjesë aktive e organizimit të demonstratave të 1968-tës, anembanë Kosovës, që rezultojnë me fitoret e mëdha, siç ishte: hapja e Universitetit të Prishtinës, zyrtarizimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucione, lejimi i përdorimit të flamurit shqiptar, më vonë edhe shpallja e Kushtetutës së Kosovës.

Puna e palodhshme e shquan dhe e bën shumë të dashur figurën e Idriz Bytyqit, me të cilin bashkëpunojnë personalitete të shquara atdhetare, si intelektuali i madh Ukshin Hoti, publicisti Sali Kabashi, regjisori Atdhe Gashi, ushtaraku Naim Maloku, veprimtarët politikë Xhafer Krasniqi, Adem Mikullovci e shumë të tjerë, që më vonë në Lubjanë themelojnë shoqatën “Migjeni” e cila bëhet zëdhënësja e fuqishme e çlirimit të Kosovës.

3.

Duke ia dhënë lamtumirën e fundit, u theksua me shumë respekt

sakrifica e Idriz Cakë Butyqit, i cili larg familjes qëndroi më shumë se 3 dekada, duke u rropatur me punë rënda për ta siguruar bukën e gojës për familjarët e tij, të cilët nuk i lëvizi asnjë çast nga Arllati, i bindur se, duke e mbajtur familjen në vendlindje, i shërbente më mirë Kosovës, e cila është e fortë vetëm kur i ka aty njerëzit e vet.

Kishe plotësisht të drejtë Idrizi. Kosova e ka ruajtur kuptim dhe rëndësinë e vet, vetëm duke i pasur në prehrin e saj njerëzit e vet. Dhe, për ta realizuar këtë, Idrizit iu desh të punonte pa u ndalur kurrë në Slloveni dhe me djersën e përgjakur t’ua siguronte kushtet e jetës familjarëve, dhe kushtet e shkollimit 10 fëmijëve të tij , që sot janë qytetarë të denjë në shërbim të atdheut të tyre të lirë e të pavarur, por edhe realizues të ëndrrës së babait të tyre shembullor.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat