Dr. Safet Beqiri, gjeniu i shkencës, kirurgjisë dhe humanizmit

Speciale

Dr. Safet Beqiri, gjeniu i shkencës, kirurgjisë dhe humanizmit

Nga: Don Lush GJERGJI Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 19:32
Safet Beqiri dhe Don Lush Gjergji

Në lundrim të kujtimeve të mia më se 30 vjeçare, jam së bashku me shumë njerëz, fytyra të ndritshme dhe të larta, të cilët janë vendosur në mendjen dhe në zemrën time. Ndër ata janë: Dr. Ibrahim Rugova, prof. Anton Çetta, Jak Mita, dr. Gani Demolli, dr. Engjëll Sedaj, TomëHajdari e shumë e shumë tjerë.

Një vend të veçantë e ka dr. SafetBeqiri, të cilin e kam njohur qysh nga koha e studimeve. Me të, si me rrallë kënd, kam biseduar për shumë çka, gjithçka, sidomos rreth çështjes së rrezikimit – shpëtimit tonë kombëtar. Ai ishte ndër njerëzit i cili me shumë vëmendje më ka dëgjuar, kuptuar dhe këshilluar për jetë dhe veprimtari, frymëzues dhe përkrahës i flakët, dhe i patrembur për themelimin dhe veprimtarinë largpamëse të SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”.

Gjatë helmimeve të fëmijëve dhe të rinisë, në mars të vitit 1990, ku janë helmuar 7400 të tillë, disa thonë deri në 9000, dr. Safeti ishte “luani” i guximshëm dhe veprimtari i palodhshëm në mjekim dhe mbrojtje të jetës së të helmuarve. Aty e kam parë dhe përjetuar mendjen e tij të ndritshme dhe zemrën e tij të madhe, pa kompromis ndaj të keqes, gjithnjë pozitiv dhe shumë konstruktiv.

Komenti i tij profetik ishte ky: “Na kanë helmuar ne, fëmijët dhe rininë tonë, por edhe më shumë vetveten”.

Në Kuvendim themelues më 10 maj 1990, ndër të tjera pata thënë kështu: “Jemi këtu së bashku të themelojmë në mënyrë kremtore SHHB të Kosovës “Nëna Tereze” me rastin e 80 – vjetorin të lindjes së saj dhe 40 – vjetorin e themelimit të rregullit të saj, të “Misionareve të Dashurisë”...Para kësaj Nëne vigane ne jemi të vegjël, por si bijtë dhe bijat e saj, të frymëzuar nga vepra madhore e Motrës – Nënës, si dhe nga gjendja mjaft e vështirë ekonomike dhe shoqërore te ne, dëshirojmë t’i bashkohemi veprës së madhe bamirëse dhe humanitare, për të zbutur sadopak vuajtjet e njeriut. Dëshirojmë të vihemi edhe ne në shërbim flijues të atyre që kanë nevojë për ne. Do t’iu japim ndihmë të llojllojshme, sipas kushteve dhe mundësive tona, atë që kemi, por mbi të gjitha atë çka jemi, dmth. vetveten”.

Parimi dhe betimi ynë ishte ky: “As të fikur, as të koritur”. Dhe ia dolëm, me faqe të bardhë, me ndihmën e Zotit, bashkësisë ndërkombëtare, si dhe vëllazërisë dhe bujarisë tipike shqiptare, si dhe me kontributin e madh të Dr. SafetBeqirit..

Ai ishte ndër nismëtarët, pjesëmarrësit dhe aktivistët e dalluar të kësaj Shoqate qysh nga zanafilla, për mbijetesë dhe shpëtim tonë kombëtar.

Në Shoqatë kemi themeluar 13 Komisione, në një farë mënyre “ministri” në bërthamë apo embrion, ndër të cilat ishte edhe Komisioni për Çështje Shëndetësore, që e kryesonte dr. SafetBqeiri.

Do t’i shpalosi disa momente të paharrueshme dhe domethënëse, besoj edhe historike, për ne asokohe. Më 26 shtator 1990 kemi organizuar një udhëtim në Beograd, te Nunciatura Apostolike e Selisë së Shenjtë për Jugosllavi, Imzot GabrielMontalvo. Ishim Dr. MuharremGashi, dr. SafetBeqiri dhe unë. Synimi ynë ishte paraqitja gjendjessë përgjithshme, të rëndë dhe të rrezikshme në përgjithësi, sidomos asaj shëndetësore, në veçanti. Shpjeguam edhe motivet bazë të themelimit të Shoqatës: për ta nderuar Nënën Tereze dhe për ta shpëtuar Popullin nga katastrofa humanitare.

Nëpërmjet bisedës dhe letrës kemi informuar për kërkesat dhe nevojat tona themelore, Delegatin e Vatikanit, nëpërmjet tij Selinë Shenjte, Nënën Tereze,si dhe shumë institucione shëndetësore ndërkombëtare, botën e lirë dhe demokratike.

Imzot GabrieleMontalvo na siguroi përkrahje dhe mbështetje të plotë të Vatikanit.

Pas bisedës, gjatë kthimit, dr. Safeti ndër të tjera tha kështu: “Shpresat janë të mëdha dhe të themeluara, pasi që me ne është Zoti, Papa, bota e lirë dhe demokratike, Populli ynë i pafajshëm. Më duke se kemi vërë një gurthemel të mirë për të ardhmen tonë më të mirë...”.

Më 15 tetor 1990 kemi pasur takimin me Kryetarin e Kryqit të Kuq ndërkombëtar, së bashku me Don ZefGashi, Prof. Jak Mita, Dr. SafetBeqiri dhe unë.Së pari gojarisht, pastaj edhe me shkrim, kemi paraqitur gjendjen tejet të rëndë në Kosovës, shkeljen e çdo të drejte njerëzore dhe kombëtare. Pritja te Selia e Kryqit të Kuq ndërkombëtar ishte mjaft e mirë dhe bisedimi i përzemërt.

Më 16 tetor 1990 i njëjti delegacion pati takimin me JohnPace, në Pallatin e Kombevenë Gjenevë. Ai ishte Sekretari i Shoqërisë së Kombevei dhe njëkohësisht edhe shefi apo përgjegjësi për të drejtat e njeriut në emër të OKB-së.

Në këtë takim kemi paraqitur hollësisht të gjendjen në Kosovë, por edhe më gjerë, për mbarë rajonin e Mesdheut.

Takimi dhe biseda ishte me përzemërsi dhe kujdes të veçantë, me premtim për një angazhim të gjithanshëm për zgjidhjen e këtyre probleme tejet të rrezikshme për paqe.

Pas bisedës me gojë, ia dorëzuam edhe raportin tonë me shkrim mbi gjendjen në Kosovë dhe veprimtaritë e Shoqatës Nëna Tereze. Në fund ai na premtoi kështu: “Nesër shkresa e juaj do të jetë në tavolinën e Sekretarit të OKB-së për shqyrtim dhe trajtim të vëmendshëm”.

Pastaj vazhdoi kështu: “Ky dokument, është i dyti, pas Memorandumit të tre meshtarëve katolikë shqiptarë në vitin 1930për gjendjen e përgjithshme të Popullit tuaj”. ( Fjala është për Memorandumine Don ShtjefënKurtit, Don Gjon Bisakut dhe Don LuigjGashit, vr. ime).

Komenti i dr. Safetit ishte ky: “Sa shumë jemi vonuar, me dekada... Megjithatë edhe ne sot kemi hyrë në histori... Unë jam shumë optimist që gjërat po lëvizin në drejtim të duhur”.

Shtëpia dhe familja e Dr. SafetBeqirit për mua ishte shtëpia dhe familja e dytë, pa orar, pa ndonjë protokoll. Bisedat, këshillimet, takimet, bashkëpunimi intensifikohej dita-ditës dhe përfshinte çdo lëmi dhe veprimtari. Ishte për mua dhe për familjen time, për Kishën tonë në Ferizaj dhe më gjerë,Mik, Shok, Vëlla, Bashkëpunëtor i shkëlqyeshëm, burim frymëzimi dhe jete.

Kujdesi shëndetësor dhe dashuria e tij vëllazërore për Imzot NikëPrelën, ipeshkvin tonë, është një kapitull i veçantë, ku shprehej ana profesionale, mbi të gjitha ajo njerëzore dhe humanitare. Ipeshkvi më thoshte kështu: “Si është e mundshme që ky njeri dhe mjek kujdeset kaq shumë për mua dhe për shëndetin tim? Kurrë nuk është i lodhur apo i mërzitur. Gjithmonë me fjalë të mirë në gojë dhe me buzëqeshje të hareshme në fytyrë. Vërtet, Dr. Safeti është për mua shembull dhe dëshmi shumë e çmueshme dhe e madhe”.

Ishte edhe gojëtar i spikatur dhe mendimtar i thellë, analist shumë i vëmendshëm. Urtia më e madhe e tij, sipas mendimit tim, ishte kjo thënie dhe porosi: “Bota vuan sepse ka pak njerëz të mençur. Ne Shqiptarët vuajmë, pasi të gjithë jemi të mençur”.

Këtë porosi gjithmonë e kam cituar në shumë vende të botës, duke e përmendur Autorin dhe burimin. Atij i pata thënë kështu: “Dr. Safet, borxhin e urtisë dhe pleqërisë e ke larë në mënyrën më të mirë. Tash puno, boto, opero.”Diagnoza”jote për ne fatkeqësisht është e saktë...”.

Dr. Safeti ishte përfaqësuesi ynë i shkëlqyeshëm në botën gjermane, poredhe më gjerë, si mjek, kirurg, studiues dhe hulumtues. Kudo në botë na ka përfaqësuar dhe nderuar. Zoti e nderoftë dhe shpërbleftë për gjitha të mirat që i ka pasur, i ka dhuruar dhe bërë, ndërsa ne, miqtë dhe Populli i tij, gjithmonë do ta kujtojmë dhe kurrë nuk do ta harrojmë!

Ndërroi jetë dhe kaloi në amshim më 22 shkurt 2020, në 17 – vjetorin e vdekjes së nënës time, Dile Gjergjit, për të qenë së bashku në amshimin e lumtur.

Pushoftë në paqe!

Prishtinë, 22 shkurt 2020 Don Lush GJERGJI

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat