Një “exit strategy” globale për Covid 19 - Bota Sot
Një “exit strategy” globale për Covid 19

Speciale

Një “exit strategy” globale për Covid 19

Nga: Ngaire Woods & Rajaie Batniji Më: 10 prill 2020 Në ora: 18:17
Foto ilustrim

OXFORD – Bota që del nga pandemia e koronavirusit mund të jetë një koleksion ndërluftues shtetesh, që janë më të mbyllura dhe nacionaliste se më parë. Por pa bashkëpunim të shpejtë dhe efektiv global, bota mund të mos dalë fare e sigurt, nga kjo krizë.

Tani për tani të paktën, mbizotërojnë reagimet e forta nacionaliste. Krahas shtetrrethimeve, izolimeve, bllokimeve dhe kërkesave për gjoba dhe arrestime, qeveritë po mbyllin kufijtë dhe përdorin retorikë të kohës së luftës, për të mbledhur pas vetes popullsitë e tyre. Zinxhirët e furnizimit global dhe tregtia po ndërpriten jo vetëm nga bllokimet, por edhe nga konkurrenca e vendeve të pasura për furnizime.

Megjithatë, së shpejti, qeveritë do të duhet të rindezin ekonominë globale. Dhe kjo do të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar në disa fusha kryesore.

Elementi i parë thelbësor i një strategjie daljeje për COVID-19 është testimi masiv (si për infeksionin, ashtu edhe për imunitetin), në mënyrë që njerëzit e shëndetshëm të mund të kthehen në punë dhe ata që janë të infektuar, të mund të marrin trajtimin e duhur. Për këtë, vendet do të kenë nevojë për furnizime adekuate të kiteve të testimit dhe pajisjeve mbrojtëse, si dhe të respiratorëve apo qasjes në kurat që janë në zhvillim e sipër.

Bashkëpunimi ndërkombëtar është jetik për të mundësuar testimin dhe trajtimin masiv. Një furnizues kryesor i tamponeve të përdorura për marrjen e mostrave të nazofaringitit, Copan, është i vendosur në Italinë Veriore. Reagentët e përdorur për të nxjerrë virusin RNA nga qelizat e mbledhura prodhohen kryesisht nga Qiagen, një kompani gjermane me një zinxhir kompleks furnizimi global. Dhe kompanitë e huaja prodhojnë afërsisht gjysmën e ventilatorëve në Shtetet e Bashkuara; një e treta vijnë nga Evropa.

E megjithatë, ndërsa guvernatorët e shteteve amerikane po garojnë kundër njëri-tjetrit për ata pak ventilatorë, disa qeveri evropiane po ndalojnë eksportin e tyre. Dhe një ministër i qeverisë britanike ka thënë se paaftësia e vendit për të gjetur reagentët e nevojshëm po ngadalëson testimet.

Zgjidhja është që të rritet bashkëpunimi në prodhim dhe shpërndarje, duke përdorur zinxhirët globalë të furnizimit sa më efektivisht të jetë e mundur, dhe bashkimin e burimeve dhe pajisjeve në mënyrë që ato të ndahen, kur kërkesa për to zhvendoset nga një vend në tjetrin. Kina, për shembull, tani po dhuron respiratorrë në Shtetet e Bashkuara dhe po eksporton maska.

Një komponent i dytë i një strategjie daljeje është survejanca dhe kontrolli efektiv i sëmundjeve. Eshtë e vërtetë, shumë vende po bëjnë kujdes për sa i përket mbikëqyrjes online, që po përdoret në Kinë dhe Korenë e Jugut. Por, duke qenë se gjurmimet manuale të kontakteve kërkojnë shumë kohë, është e vështirë të parashikohet një strategji daljeje që nuk përfshin aplikacione për këtë qëllim.

Në të vërtetë, një studim i ri nga studiuesit në Universitetin e Oksfordit sugjeron që aplikacionet gjurmuese mund të jenë efektive në uljen e shkallës së infeksionit, edhe kur vetëm 60% e popullsisë i miraton ato. Prandaj, shoqëritë perëndimore duhet të mësojnë nga sukseset e Kinës dhe të Koresë së Jugut dhe të balancojnë frikën e shtimit të aftësive survejuese të qeverive të tyre, përkundër dëmit që njerëzit vuajnë nga mbajtja në izolim.

Vendet që hezitojnë duhet të bashkëpunojnë shpejt për të përshtatur mjetet e mbikëqyrjes me nevojën për të mbrojtur të drejtat civile. Kjo do të kërkojë një mbikëqyrje transparente, parime të qarta të drejtësisë (përfshirë qasje dhe trajtim të barabartë), mbrojtje të fortë të të dhënave dhe auditime të algoritmeve të përdorura.

Së treti, një strategji globale e daljes për COVID-19 do të ishte më e sigurtë me një vaksinë efektive. Për fat të mirë, bashkëpunimi shkencor ndërkombëtar po përshpejton ritmin drejt zhvillimit të një vaksine. Studiuesit në Kinë, SHBA dhe Evropë po ndajnë sekuencat e gjenomit viral, ndërsa mjekët nga Universiteti Harvard; Spitali Xijing në Kinë, Kinë; dhe Italia Veriore janë duke punuar për trajtime, dhe virologët kryesorë po ndajnë gjetjet në thirrjet e konferencave të Organizatës Botërore të Shëndetit, duke i vendosur ato në arkivat në internet, si medRxiv dhe bioRxiv.

Bashkëpunim ndërkombëtar do të kërkohet gjithashtu për të siguruar që një vaksinë të ofrohet globalisht. Ditët e fundit, autoritetet kineze kanë raportuar raste të reja të COVID-19 që janë “importuar” nga vendet e tjera, ndërsa disa ekspertë në Evropë dhe Amerikën e Veriut tashmë po parashikojnë një valë të dytë të virusit.

Këtu, historia është një mësuese e. mirë. Megjithëse vaksinimet i mundësuan shumicës së vendeve të pasura, që të eleminonin linë e dhenve në mënyrë të njëanshme nga fundi i viteve 1940, sëmundja vazhdonte të kthehej nga jashtë kufijve të tyre. U desh një përpjekje globale e nisur nga OBSH për ta zhdukur globalisht deri në 1978.

Ka gjithashtu nevojë për një sistem paralajmërimi të hershëm, për të zbuluar shfaqjen e viruseve të reja ose që kanë pësuar mutacione. Siç ka treguar Koreja e Jugut, një paralajmërim i hershëm COVID-19 i mundëson një qeverie të reagojë me shpejtësi duke rritur testimet dhe duke përfshirë tërë popullatën në gjurmimin dhe kontrollin e kontakteve, duke zvogëluar kështu potencialisht kostot ekonomike dhe sociale të një shpërthimi.

Por paralajmërimet e hershme kërkojnë që qeveritë t’i tregojnë botës për infeksionet e reja sapo t’i zbulojnë ato, gjë që mund të jetë një çështje sensitive. Kështu, vendet kanë nevojë për garanci që raportimi i shpërthimeve të sëmundjes nuk do t’i ekspozojë ndaj ndëshkimeve të menjëhershme, në formën e kufizimeve të panevojshme të udhëtimit dhe tregtisë, dhe se çdo masë e tillë do të miratohet në mënyrë bashkëpunuese.

Bota duhet ta kishte nxjerrë këtë mësim gjatë epidemive SARS dhe Ebola të dy dekadave të fundit. Kufizimet e udhëtimit dhe tregtisë të vendosura nga 40 vende penguan raportimin e shpërthimeve të Ebolës, duke penguar reagimin global. Në mënyrë të ngjashme, përvoja e Kinës me SARS mund të bërë që udhëheqësit e saj, të ishin më pak të prirur të njoftonin botën për shpërthimin e COVID-19. Sapo e bënë këtë, vendet mbyllën kufijtë në mënyra që binin ndesh me udhëzimin e OBSH-së. Pasi të përfundojë kjo krizë, qeveritë do të duhet të forcojnë sistemin e paralajmërimit të hershëm, duke kuptuar se kjo kërkon një bashkëpunim quid pro quo.

Dhe në fund, sa më shpejtë dhe në mënyrë efektive të veprojmë për të frenuar përhapjen e virusit në vendet më të varfëra dhe më të populluara në botë, aq më mirë mund t’i mbrojmë të gjithë. Kjo kërkon investime urgjente në parandalimin, të cilat gjithashtu varen nga bashkëpunimi – duke përfshirë përmes Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, financimin e emergjencës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (të cilin më shumë se 90 vende e kanë kërkuar deri më tani), dhe ndihmën shëndetësore emergjente të Bankës Botërore.

Pandemia e COVID-19 paraqet një kërcënim të paprecedentë si për shëndetin publik ashtu edhe për ekonominë globale. Vetëm duke hedhur tutje retorikën dhe politikat nacionaliste, dhe duke përqafuar një bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar, qeveritë mund të mbrojnë popujt që pretendojnë se përfaqësojnë. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat