Një histori e shkurtër e vetmisë, dhe leksionet që duhet të nxjerrim nga karantina

Speciale

Një histori e shkurtër e vetmisë, dhe leksionet që duhet të nxjerrim nga karantina

Nga: David Vincent Më: 10 prill 2020 Në ora: 18:37
Foto ilustrim

Kur poeti anglez Xhon Don u mbyll në karantinë nga një infeksion i papritur në vitin 1623, ai u gjend menjëherë vetëm. Madje edhe mjekët e tij e braktisën. Përvoja, që zgjati vetëm një javë, ishte tepër e rëndë. Më vonë ai shkroi:”Ndërsa sëmundja është mjerimi më i madh, mjerimi më i madh i sëmundjes është vetmia”.

Sot është e vështirë të besohet, por deri kohët e fundit, vetmia – ose përvoja e të qenit vetëm për periudha të gjata kohore – trajtohej me një përzierje frike dhe respekti. Ai prirej të kufizohej tek urdhrat fetarë nëpër manastire, dhe kësisoj ishte një përvojë e privilegjuar e një elite mashkullore.

Ndryshimi ndodhi vetëm pas Reformimit dhe Iluminizmit, kur ideologjitë e humanizmit dhe realizmit zunë vend në shoqëri, dhe vetmia u bë dalëngadalë diçka që çdokush mund ta kërkonte herë pas here në mënyrë të pranueshme. Sot shumica e njerëzve në Perëndim, janë mësuar me një formë të rregullt të vetmisë.

Por realiteti i karantinës, është duke e bërë këtë përvojë shumë më ekstreme. Kriza e Covid-19, na ka nxitur të përqafojmë teknologjitë e reja, për të rigjallëruar lidhjet e vjetra shoqërore. Ndërsa po fillojmë të pajtohemi me karantinën, është e rëndësishme të kuptojmë burimet që kemi në dispozicionin tonë për të përballuar izolimin e detyruar.

Në fillim të epokës moderne, vetmia trajtohej me një përzierje të respektit të tepruar, dhe frikës së madhe. Ata që u tërhoqën nga shoqëria, imituan shembullin e “Etërve të Shkretëtirës” të shekullit IV, që kërkuan një lloj bashkësie shpirtërore në shkretëtirë.

Për shembull, Shën Antoni i Madh, që u bë i famshëm në një biografi e Shën Athanasit rreth vitit 360 Pas Krishtit, braktisi gjithçka dhe u tërhoq në izolim pranë lumit Nil, ku pati një jetë të gjatë, duke ngrënë shumë pak, dhe duke ia kushtuar lutjeve pjesën më të madhe të ditëve.

Pavarësisht nëse ata kërkonin një shkretëtirë të mirëfilltë ose metaforike, vetmia e Shën Antonit dhe pasardhësve të tij, u bënte apel atyre kërkonin një paqe mendore, që s’mund ta gjenin më mes njerëzve. Si e tillë, vetmia u konceptua brenda kornizës së një tradite të veçantë të krishterë. “Etërit e Shkretëtirës”, patën një ndikim të thellë në kishën e hershme. Ata zhvilluan një bashkim pa fjalë me një Zot të heshtur, duke u ndarë nga turmat dhe korruptimi i shoqërisë urbane. Shembulli i tyre, u institucionalizua më pas në manastire, të cilat synuan të ndërthurrnin meditimin individual me një strukturë të rutinës dhe autoritetit, që do t’i mbronte murgjit nga kolapsi mendor apo devijanca shpirtërore.

Ndërkohë në përgjithësi, praktika e tërheqjes nga shoqëria konsiderohej e përshtatshme vetëm për burrat  arsimuar, që synonin të gjenin diku strehë nga presionet korruptive të një qytetërimi urbanizues. Por me kalimin e kohës, gjërat ndryshuan, dhe kjo falë Reformimit dhe Iluminizmit.

Ndjenja e rëndësisë së komunitetit, ishte edhe në zemër të filozofisë së Don. Në “Meditimi 17”, ai shkroi deklaratën më të famshme të identitetit shoqëror të njeriut në gjuhën angleze: “Askush nuk është një ishull, i tërë në vetvete; çdo njeri është një pjesë e kontinentit, madje një pjesë e kryesore!”.

Iluminizmi e theksoi më tej vlerën e shoqërueshmërisë. Ndërveprimi personal, u cilësua si çelësi i inovacionit dhe krijimtarisë. Bisedat, korrespodencat dhe shkëmbimet brenda dhe ndërmjet qendrave të popullsisë, strukturat e sfiduara të bestytnisë dhe injorancës së trashëguar, e çuan përpara progresin material.

Nga ai moment, thuhej se njeriu mund të ketë nevojë për tërheqje në vetmi, në funksion të një meditimi shpirtëror apo të një përpjekje të qëndrueshme intelektuale, por vetëm si një mjet për

të përgatitur më mirë individin për një pjesëmarrje aktive në ecjen e shoqërisë përpara.

Vetmia e zgjatur në kohë dhe ndonjëherë e pakthyeshme, nisi të shihej në thelb si një patologji, si një shkak ose pasojë e melankolisë. Ndërkohë Lëvizja Romantike, e vuri theksin tek fuqitë restauruese që ka natyra tek njeriu, dhe që u hasën më së shumti tek shëtitjet e vetmuara.

Kështu shkrimtari Tomas De Kuinsi, llogariste që gjatë jetës së tij poeti i famshëm anglez Uilliam Uordsëorth kishte shëtitur vetëm mbi 180.000 milje në Angli dhe Evropë. Për shkak

të  zhurmës dhe ndotjes së shoqërive urbanizuese, tërheqja dhe izolimi periodike u bënë praktika më tërheqëse.

Vetmia, me kushtin që të përqafohej lirshëm dhe pa imponim, mund të ripërtërinte energjitë shpirtërore, dhe të ringjallte një perspektivë morale të korruptuar nga kapitalizmi frenetik.

Rritja e të ardhurave, krijoi jo pak kohë të lirë, dhe nxiti hobi që mund të praktikoheshin veçmas të tjerëve si punimet artizanale, koleksionet e pullave, kopshtaria etj.

Në fillimin e shekullit XX-të, zvogëlimi i numrit të anëtarëve të një familje, nisi të pajisë prindërit e klasës punëtore dhe fëmijët e tyre me hapësirat e tyre personale në shtëpi. Drita elektrike dhe ngrohja qendrore, nënkuptonte se nuk kishin më nevojë të grumbulloheshin përreth oxhakut.

Fëmijët adoleshentë, nisën të gëzojnë privilegjin e dhomës së tyre të gjumit. Në shtëpitë e shtresës së mesme, pajisjet shtëpiake zëvendësuan shërbëtorët. Pas vitit 1945, shoqëria filloi të izolohet akoma më shumë. Familjet me një person, një dukuri e rrallë shekujt e mëhershëm, u bënë shumë në modë.

Sot, gati një e treta e banesave në Britani, kanë nga vetëm 1 banor. Kjo përqindje është më e lartë në pjesë të SHBA-së, dhe akoma më shumë në Suedi dhe Japoni. Të jetosh vetëm, për periudha të shkurtra apo më të gjata, nuk shihet më si një kërcënim për mirëqenien fizike ose psikologjike. Përkundrazi, shqetësimi fokusohet gjithnjë e më shumë tek përvoja e vetë vetmisë, çka çoi në krijimin për herë të parë në botë të Ministrisë së Vetmisë, pikërisht në Britani në vitin 2018, dhe publikimin e një strategjie ambicioze qeveritare për ta menaxhuar këtë dukuri.

Kjo nuk është hera e parë që qeveritë kanë provuar të imponojnë izolimin shoqëror gjatë një krize mjekësore. Karantinat, janë përdorur gjatë epidemeve të Murtajës në Mesjetë. Por askush nuk mund të jetë i sigurtë për pasojat që ato do kenë sot. Prandaj, duhet të ngushëllohemi nga historia e vetmisë e kohëve të fundit.

Një gjë është e sigurtë:shoqëritë moderne, janë shumë më të pajisura sesa ato në të kaluarën për të përballuar një sfidë të tillë. Shumë kohë para krizës aktuale, shoqëria në pjesën më të madhe të Perëndimit u mbyll në vetvete. Në kohëra normale, mund të ecësh nëpër ndonjë rrugë periferike, dhe përshtypja kryesore është mungesa e njerëzve.

Rritja pas Luftës së Dytë Botërore e familjeve me një person, ka normalizuar një mori dukurish. Shtëpitë kanë sot më shumë hapësirë për të magazinuar ushqime. Pajisjet dixhitale, na sigurojnë argëtim, dhe na mundësojnë kontaktet nga distanca me familjen dhe miqtë. Ndërkohë modeli i të jetës ne Epokën Viktoriane dhe në Britaninë e fillimshekullit XX-të, do ta kishte bërë të pamundur një izolim të tillë për shumicën e popullatës.

Historia e vetmisë, duhet gjithashtu të na inkurajojë të marrim parasysh kufirin midis të qendruarit vetëm dhe vetmisë, pasi kjo është pjesërisht çështje e vullnetit të lirë. Shëtitja me qenin për gjysmë ore, përfshirja në një lloj meditim të ndërgjegjshëm gjatë pushimit të drekës, punimi i kopshtit në buzëmbrëmje, apo tërheqja në një dhomë vetëm larg zhurmës së familjes për të lexuar një libër, janë që të gjitha format jetike por kalimtare të arratisjes nga shoqëria.

Ata që jetojnë vetëm, përjetojnë periudha më të gjata të heshtjes, por derisa u vendos karantina ishin të lirë të linin nga shtëpinë e tyre për t’u shoqëruar me të tjerë, qofshin këta edhe vetëm kolegët e punës.

Vetmia mund të shihet si një gjendje që zgjat shumë gjatë. Ne nuk kemi asnjë mënyrë, që të dimë koston që shkaktohet mbi paqen mendore së njerëzve, nga ky izolim që mund të zgjasë për muaj me radhë. Duhet të mos harrojmë se vetmia nuk shkaktohet nga vetë stili i jetesës, por nga pamundësia për të patur kontakte kur lind nevoja.

Aktet e vogla dashamirëse midis fqinjëve, dhe mbështetja e fushatave lokale të bamirësisë, do të përbënin një ndryshim të madh. Ka një pritshmëri, që përvoja e epidemisë Covid-19 të standardizohet. Disa mund të vuajnë si Don. Të tjerët mund të gëzojnë përfitimet e një ndryshimi të ritmit të jetës, siç ndodhi me Samuel Pepis gjatë karantinës sëë shkaktuar nga Epidemia e Murtajës në Londër. Në ditën e fundit të dhjetorit të vitit 1665, ai shkroi:”Nuk kam jetuar kurrë aq me qejf, sa në këtë periudhë të Murtajës!”.

Shënim: David Vincent është profesor i historisë sociale në Open University, dhe bashkëpunëtor i projektit “Patologjitë e vetmisë” në Queen Mary University, Londër. Libri i tij “Historia e vetmisë”, del në treg në fund të këtij muaji /Bota.al

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat