Mrekullitë që e bënë Nënë Terezën, Shenjtore

Speciale

Mrekullitë që e bënë Nënë Terezën, Shenjtore

Më: 5 shtator 2020 Në ora: 11:15
Nënë Tereza

Nënë Tereza, e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj, duke iu shërbyer të sëmurëve dhe të varfërve në Kalkuta të Indisë. Pas vdekjes së saj më 5 shtator 1997, shumë adhurues dhe ndjekës të saj, kërkuan nga Vatikani që murgesha të shpallej shenjtore.

Në vitin 1999, Atë Brjan Kolodiejçuk u emërua postulator, pra njeriu që do të mblidhte provat që do të dëshmonin shenjtërinë e saj. Ky ishte në fakt një përshpejtim i procesit, që zakonisht nuk fillon derisa të kalojë një periudhë pritjes prej 5 vjetësh.

Megjithatë, pati një kërkesë për shenjtërim, e cila s’mund të shpërfillej:mrekullitë. Derisa Nënë Tereza të vertetohej si përgjegjëse për dy mrekulli që ndodhën pas vdekjes së saj, ajo nuk mund të kanonizohej si Shën Tereza.

Image

Çfarë e bën një akt një mrekulli?

Të dyja mrekullitë që iu atribuan Nënë Terezës, ishin ato të shërimit. Por Vatikani kërkon më shumë prova sesa një person që pretendon “Unë jam shëruar!” dhe falënderon për këtë

Nënë Terezën, për të besuar se ka ndodhur realisht një mrekulli.

Rastet e mrekullive të tilla të raportuara, shqyrtohen nga Kongregacioni i Kishës Katolike për Rastet e Shenjtorëve, dhe një komision specialistësh në fushën e mjekësisë. Nëse mund të vërtetohet se shërimi del jashtë ligjeve të natyrës, dhe nuk ka një shpjegim shkencor, konsiderohet se ai ka ndodhur falë një ndërmjetësimi mes shenjtorit të ardhshëm me Zotin. Si hapi i fundit, Papa jep miratimin e tij për përkufizimin e një mrekullie.

Nënë Tereza kishte disa “gati” mrekulli

Shumë nga mrekullitë e propozuara që lidhen me Nënë Terezën , nuk përputheshin me udhëzimet e Kishës Katolike. Ndër rastet që u morën në shqyrtim, por që nuk u konsideruan si mrekulli ishte ajo e një vajze franceze, që pretendoi se brinjët e saj të thyera nga një aksident me makinë, u shëruan sapo preku një medaljon të Nënë Terezës.

Por ky shërim, nuk ndodhi aq shpejt sa të cilësohej një mrekulli. Një vajzë palestineze, u shërua nga tumori i kockave, pasi pa në ëndërr Nënë Terezën. Por Kisha pret disa vjet, që të sigurohet që nuk ka përsëritje të sëmundjes kanceroze, pasi një shërim që cilësohet një mrrekulli hyjnore, duhet të jetë i përhershëm.

Përveç kësaj, një përmirësim në gjendjen shendetësore të dikujt, edhe nëse nuk ka ndonjë shkak mjekësor për të, nuk do t’i përshtatej parametrave për një mrekulli, pasi shërimi duhet të jetë i plotë. Dhe kura duhet të jetë, për shkak të ndërmjetësimit të Nënë Terezës. Ndaj çdo shërbim që përfshinte lutjet e dërguara tek shenjtorët e tjerë, nuk do të funksiononte.

Mrekullia e parë e Nënë Terezës: Shërimi i gruas me gungë në bark

Në vitin 1998, Monika Besra shkoi në shtëpinë e Misionarëve të Bamirësisë në Bengal, në Perëndim të Indisë. Ajo kishte ethe, dhimb koke, të vjella, dhe një stomak të fryrë. Ajo ishte kuruar një vit më parë më parë për tuberkuloz akut.

Por barnat që ajo mori, nuk kishin parandaluar rritjen e një gunge në bark (ndonëse disa raporte kanë përshkruar se Besra vuante nga një tumor kanceroz, rritja mund të ishte shkaktuar nga tuberkulozi). Ishte i nevojshëm një operacion kirurgjikal, por Besra ishte shumë e dobët, dhe në një gjendje jonormale për t’u nënshtruar një operacioni.

Më 5 shtator, Besra ishte duke u lutur në kishën e Misionarëve të Bamirësisë, kur pa një dritë të dilte nga një foto e Nënë Terezës. Më vonë, një medalje që kishte prekur trupin e Nënë Terezës, u vendos në barkun e Besrës, dhe një motër tha një lutje duke i kërkuar ndihmë Nënë Terezës.

Besra u zgjua herët të nesërmen, duke zbuluar se masa e saj tumorale ishte zhdukur. Testet mjekësore treguan se gunga nuk ekzistonte më, dhe mjekët e pranuan se Besra nuk kishte më nevojë të operohej. Teologët dhe ekspertët mjekësorë që zbuluan rastin, nuk kishin asnjë shpjegim shkëncor për shërimin e Besras.

Prandaj, kurimi i saj i atribuohet ndërhyrjes së Nënë Terezës. Kjo mrekulli, u njoh nga Vatikani në vitin 2002. Duhet të theksohet se disa mjekë, e kanë kundërshtuar natyrën e pashpjegueshme të shërimit të Besras, duke thënë se ajo mund të ishte shëruar nga ilaçi që merrte.

Megjithatë, medikamentet nuk mund ta zhduknin dot brenda natës atë masë tumorale. Për më tepër, burri i Besrës raportohet të jetë shprehur se nuk kishte pasur ndonjë mrekulli, por më vonë ai deklaroi se ishte cituar gabim.

Mrekullia e dytë e Nënë Terezës: Shëroi një burrë, që ishte prekur nga një infeksion i rëndë në tru

Në vitin 2008, braziliani Marsilio Hadad Andrino ishte shumë pranë vdekjes. Një infeksion  në tru, i kishte shkaktuar shumë gunga me akumulime lëngjesh, dhe gjendja e përkeqësuar e çoi të binte në koma. Gruaja e tij, Fernanda, iu lut Nënë Terezës për ndihmë.

Një prift i kishte dhënë Fernandës një relike të Nënë Terezës kur çifti ishte martuar, dhe ajo e “vendosi reliken në kokën e Marsilios, ku ai kishte gungat dhe u lut”. Në një përpjekje të fundit për t’ia shpëtuar jetën, ai iu nënshtrua një operacioni, për të kulluar lëngjet nga truri. Por para nisjes së operacionit, Andrino u zgjua dhe pyeti:”Çfarë po bëj këtu?”.

Lutjet e gruas së tij gjetën përgjigje, teksa Andrino u shërua shpejt dhe plotësisht. Gungat dhe lëngjet rreth trurit të tij ishin zhdukur, pa nevojën e një ndërhyrje kirurgjikale. Përveç kësaj, edhe pse medikamentet që ai i kishte marrë mendohej se e kishin bërë atë jopjellor, Andrino dhe gruaja e tij vazhduan të kishin fëmijë.

Ashtu si në rastet e tjera, Kongregacioni për Rastet e Shenjtorëve dhe një komision mjekësor, e shqyrtuan rastin. Nuk u zbulua asnjë shpjegim mjekësor, se si ishte shëruar Andrino. Në vitin 2015, shërimi i tij u konsiderua si mrekulli e dytë e Nënë Terezës. Papa Françesku e njohu atë në dhjetor të atij viti.

Sipas ligjeve të Vatikanit, mrekullia e parë që i atribuohet një kandidati për shenjtërim, do të thotë se mund të jepet Lumturimi. Nëse ka një mrekulli e dytë, mund të bëhet kanonizimi dhe shpallja Shenjtor/e. Njohja e mrekullisë së parë, rezultoi me Lumturimin e Nënë Terezës në vitin 2003. Ajo u kanonizua më 4 shtator 2016, si Shën Tereza e Kalkutës. /Bota.al

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat