Frika është çelësi i vërtetë, për të kuptuar ekuilibrin e ri të gjeopolitikës

Speciale

Frika është çelësi i vërtetë, për të kuptuar ekuilibrin e ri të gjeopolitikës

Nga: Dario Ronzoni Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 14:03
Ilustrim

Në konfuzionin e kohëve të fundit dominon një ndjenjë. Ajo dikton vendimet politike, favorizon disa palë në vend të të tjerëve, dhe ndikon në përcaktimin e kontureve të reja gjeopolitike globale. Është frika:emocioni që shoqëron rënien relative të vendeve të vjetra të industrializuara (përfshirë Japoninë), që po përballen me zhvendosjen globale të pushtetit që na detyron të rishqyrtojmë ambiciet, projektet dhe identitetet.

Ky është edhe thelbi i librit “Gjeopolitika e frikës. Si ankthi sociali orienton zgjedhjet politike” i autorit Manlio Graziano. Sipas profesorit që jep leksione mbi gjeopolitikën dhe gjeopolitikën e feve në Shkollën e Shkencave Ndërkombëtare të Parisit dhe në Universitetin e Sorbonës, frika është më e rëndësishmja nga të gjitha pasojat psikologjike të ndryshimit në boshtin gjeopolitik global.

Ekonomia e Perëndimi është ngadalësuar ndjeshëm 40 vitet e fundit, mosha mesatare e shoqërive po rritet, dhe rendi i gjërave po ndryshon në mënyrë të pashmangshme. Rezultati është një kaos i shumë-përhapur, që përshkon popullatat dhe dikton reagimet politike.

Dhe më pas, në një epokë zgjidhjesh të improvizuara dhe bazuar tek humori i momentit, lipset para së gjithash një analizë e mirë.

“Ka analistë që do të donin të ishin gjithashtu avokatë të politikave. Ata shpresojnë të ndikojnë tek ngjarjet. Unë preferoj të ndalem tek e para. Siç e shpjegoj edhe në librin tim, midis gjeopolitikës – me të cilën merrem – dhe politikës ka të njëjtin ndryshim si midis matematikës dhe inxhinierisë. E para ka të bëjë me llogaritjet dhe analizat, e dyta me veprimet. Unë nuk kam receta të gatshme. E shumta mund të formuloj disa hipoteza”,- theksoi ai.

Që bota është në një gjendje kaosi, siç e pranoi që përpara shpërthimit të pandemisë aktuale Riçard Hass, president i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, kjo është tashmë e qartë. Rendi ndërkombëtare i ndërtuar në Jaltë ka mbaruar prej dekadash, supremacia amerikane është në një fazë rënie, dhe përpjekjet për ta rikthyer atë duket se nuk po japin efekt.

Ndërkohë, në skenë po shfaqen fuqitë e reja. Dominon frika, së bashku me nevojën për t’u mbrojtur:së pari nga globalizimi, që ka bllokuar rritjen e pagave dhe ka zhvendosur vendet e punës, pastaj nga terrorizmi dhe Islami në përgjithësi, dhe pastaj nga pandemia.

Po ashtu,pas krizës ekonomike të vitit 2008u shfaq një opozitë konfuze e elitës popullore (në të cilën lulëzuan disa parti), e cila gjithashtu solli përplasje të dhunshme, siç ndodhi në Francë me Jelek-verdhët.

Tashmë në tregun politik ka nga ata që preferojnë të kënaqin ankthet dhe frikën, të grumbullojnë vota dhe të fitojnë zgjedhjet me një program që nuk mund t’i zgjidhë domosdo  të gjitha problemet. “Ne ndodhemi në një fazë tranzicioni historik, njësoj si të gjitha fazat e historisë, vetëm se kjo është më e theksuar se të tjerat për shkak të zhvendosjes së pushtetit. Në kohë të tilla si këto që po jetojmë aktualisht, trazirat janë gjithmonë prezente. Por për t’u orientuar, duhet të kuptojmë se ku jemi dhe çfarë po ndodh realisht. Sa më shumë që e gënjejmë veten se disa gjëra mund të shmangen, aq më shumë përfundojmë të jemi peng i frikës”- shprehet Graziano.

Sipas tij të qenit nostalgjikë është diçka normale. Por ta shikosh realitetin në sy është një avantazh, pasi kjo gjë na bën të kuptojmë se çfarë mund të bëhet dhe çfarë jo. Një shembull ka të bëjë me problemin e emigracionit. Perceptimi mbi të është përgjithësisht negativ.

Ne përpiqemi ta kufizojmë, ose në disa raste ta parandalojmë. Megjithatë, për një shoqëri gjithnjë e më të plakur dhe që ka shumë pak fëmijë, kontributi i emigrantëve është thelbësor, “edhe pse i pamjaftueshëm”. Në vend se të kundërshtojmë hyrjen e tyre, problemi duhet trajtuar nga një këndvështrim demografik “për të cilin flitet rrallë, por që është thelbësor”. Shoqëritë më të pasura perëndimore po shkojnë drejt zhdukjes, dhe nuk po bëhet asgjë për ta parandaluar këtë.“Është e vërtetë që ardhja e të huajve është gjithmonë problematike dhe ndikimi social i tyre nuk mund të mohohet:ka një mospërputhje të dukshme në lidhje me zakonet, si të individëve po ashtu edhe të shoqërisë. Por duhet marrë parasysh rëndësia e situatës aktuale. Dhe nuk mjafton vetëm që të thuhet se emigrantët janë të nevojshëm për mbijetesën e shoqërisë. Është e nevojshme të veprohet. Ne duhet ta trajtojmë çështjen në një mënyrë strategjike”- thekson profesori.

Çfarë do të thotë kjo? “Më lejoni që t’ju jap një shembull:rasti i zgjedhjeve të fundit në Gjermani. Siç është vënë re, në debatin partiak thuajse nuk u trajtua çështja e emigrantëve. Arsyet janë të ndryshme, por ndikoi edhe vënia në punë e arsyes duke kujtuar se pas 6 vjetësh që prej hyrjes së lirë të emigrantëve të kërkuar nga Angela Merkel, kjo gjë i thelloi problemet, të cilat u lanë gjithsesi në hije nga avantazhet. Dhe kjo bëri që perceptimin e përgjithshëm i gjermanëve dhe njëherazi të politikanëve të tyre të ndryshojë”- shtoi më tej Graziano.

Por pse emigracioni mbetet ende një temë e nxehtë në Francë, Angli apo Itali? “Duhet të ndryshojmë narrativën. Në Japoni ka pasur një rezistencë të vjetër në hapjen ndaj të huajve, por tashmë e kanë kuptuar se nuk kanë zgjidhje të tjera. Në lojë është mbijetesa e vendit.

Unë besoj se nëse të gjitha paratë e shpenzuara nga Bashkimi Evropian – që është e pamundur të numërohen – për t’i mbajtur jashtë të huajt, do të ishin përdorur për të organizuar integrimin e tyre, sot gjërat do të ishin ndryshe. Gjenerata e ardhshme e BE-së do të kishte qenë një mundësi:tek e fundit, edhe ndjenjat evropiane ndryshojnë në varësi të sasisë së parave që vijnë”- thotë studiuesi.

Sipas Grazianos në çdo rast duhen forcuar edhe politikat që nxisin lindshmrinë, edhe pse këto të fundit nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara, veçanërisht në një shoqëri të pasur dhe të pjekur. Madje sot flitet edhe për çifte që vendosin me vullnetin e tyre të mos kenë fëmijë, në emër të luftës kundër ndryshimeve klimatike.

“Unë besoj se shoqëria që vendos të mos riprodhohet për të mos ndikuar tek klima, është duke zgjedhur vetëm midis dy vetëvrasjeve:midis një vetëflijimi më të shpejtë dhe një tjetrit më të ngadaltë”. Sepse, një ndër frikërat më të mëdha të viteve të fundit, ajo e ndryshimeve klimatike është shumë e fortë, dhe është shfaqur me vendosmëri vitet e fundit.

“Ngrohja globale është një fakt, qënuk mund të mohohet. Por është e dukshme se ajo po trajtohet përmes një filtri politik. Them se përballë një fakti real, përshpejtimi i dramatizimit të problemit është i dyshimtë. Le të mos harrojmë se para kësaj serie fushatash, arsyet e ndryshimeve në mikrofazat klimatike ishin misterioze edhe në sytë e specialistëve.

Në mesin e shekullit XIV pati një epokë të vogël akullnajore që ndoshta shkaktoi edhe shpërthimin e pandemisë së murtajës, edhe pse askush nuk e di saktësisht se çfarë e shkaktoi këtë të fundit. Pati një ftohje globale deri në mesin e shekullit XIX, kur nisi edhe një fazë e re ngrohje, por që pati ulje-ngritjet e veta. Në vitet 1970, shkencëtarët e klimës ishin të shqetësuar për rrezikun e një epoke të re akullnajore. Tani, pas 50 vitesh, ne jemi të shqetësuar për të kundërtën”-thotë Graziano.

Studiuesi thotë se këto fushata e kanë origjinën në Evropë dhe dy ndotësit më të mëdhenj në planet Kina dhe Shtetet e Bashkuara, kanë qenë gjithmonë rivalet e Evropës. Në lojë janë investime kolosale, me lobe të ndryshme energjetike të vendosura kundra njëri-tjetrit; edhe ekologët duhet të jenë të hutuar, pasi energjia bërthamore, e cila prodhon shumë pak emetime të CO2, po ri-propozohet tani si një nga zgjidhjet e krizës.

Ndërkohë një nga elementët më të dukshëm në këtë fazë është kriza e demokracisë. “Demokracia është para së gjithash, një formë e organizimit të pushtetit. Në vitet 1700 në Shtetet e Bashkuara ajo kishte parimin “Nuk ka taksim pa përfaqësim. Të gjithë në një shoqëri ishin palë të interesuara:qofshin artizanë, tregtarë apo fermerë. Me kalimin e kohës, ajo lloj demokracie e ka humbur kuptimin, pasuria është përqendruar gjithnjë e më shumë në duart e pak njerëzve”- thekson profesori. / “Linkiesta” – Bota.al

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat