Ne jemi produkt i gjeneve, edukimit dhe ndoshta edhe i rastësisë

Speciale

Ne jemi produkt i gjeneve, edukimit dhe ndoshta edhe i rastësisë

Clare Wilson Nga Clare Wilson Më 9 tetor 2022 Në ora: 13:19
Foto ilustrim

Batman u bë njeriu që vendosi vetë drejtësi pasi pa prindërit e tij të vrarë. Aftësitë e “WonderWoman” për të luftuar krimin burojnë për shkak të aftësive të saj të mbinatyrshme dhe fëmijërisë së saj të kaluar në stërvitje fizike intensive. Në mesin e ne vdekatarëve të thjeshtë, shumë njerëz kanë histori deri diku të ngjashme edhe pse më pak dramatike. 

Për shembull, ju mund të besoni se e keni trashëguar inteligjencën nga nëna juaj apo vetëbesimin nga babai, ose dashurinë për gatimin nga momentet argëtuese të kaluara në kuzhinë me gjyshërit. Një nga pyetjet më interesante rreth asaj që na bën ata që jemi, është se sa nga personaliteti, aftësitë dhe interesat tona i detyrohen gjeneve, dhe sa mjedisit në të cilin jemi rritur, pra natyrës apo edukimit. 

Në fakt ka edhe një ndikim të tretë, që deri vonë është kaluar në heshtje: rastësia. Më konkretisht: ngjarjet e rastësishme që ndikojnë qelizat nervore gjatë zhvillimit të trurit. Ky është një element që deri tani ishte lënë në harresë. Studimet e fundit sugjerojnë se roli i rastësisë në formimin e asaj që jemi si njerëz, mund të jetë shumë më i madh se ai i faktorëve mjedisorë, dhe në disa raste edhe se faktorët gjenetikë. 

Nëse po, atëherë duhet ta shohim vërtet veten si produkt i natyrës, edukimit dhe “zhurmës” (ngjarjeve të rastësishme gjatë zhvillimit të trurit). Kjo çështje nuk është me interes vetëm për neuroshkencëtarët, ajo ka pasoja të mëdha për të gjithë ne. Ne mund të ndalojmë së shqetësuari aq shumë për zgjedhjet tona prindërore, dhe duhet të fajësojmë më pak prindërit tanë për atë që jemi bërë. 

Pyetjet rreth rëndësisë relative të natyrës sonë të lindur dhe të edukimit tonë, datojnë që shumë kohë më parë. Ato kanë qenë objekt debati midis filozofit grek Platonit dhe nxënësit të tij Aristotelit. Por shprehja magjepsëse “sjelljet e lindura përkundrejt atyre të mësuara” u shqiptua në shekullin XIX nga shkencëtari Frensis Galton, një pionier në disiplinën e trashëgimisë që në atë kohë ishte ende në zhvillim e sipër. 

Galton popullarizoi edhe eugjenikën, idenë e neveritshme se disa njerëz me karakteristika “të padëshirueshme” duhet të ndalohen të kenë fëmijë. Sot shkencëtarët po përpiqen të pastrojnë gjenetikën nga e kaluara e saj e turpshme, duke shënuar përparim në matjen e ndikimit relativ të gjeneve dhe mjedisit në karakteristika të tilla si inteligjenca, introversioni dhe vetëkontrolli. 

Sjelljet e lindura përkundrejt atyre të mësuara, janë shpesh të vështira për t’u ndarë sepse fëmijët nga e njëjta familje priren të ndajnë si ADN-në ashtu edhe mënyrën se si janë rritur. Për shembull, fakti që fëmijëve të cilëve u lexohen libra kur janë të vegjël, priren të dalin mirë me mësime në shkollë mund të jetë për shkak të ekspozimit të hershëm ndaj librave, që ka nxitur interesin e tyre për të mësuar. 

Por edhe për faktin se ata kanë trashëguar nga prindërit e tyre gjenet e leximit. Gjenetistët e kanë trajtuar këtë problem duke përdorur dy lloje studimesh. E para përfshin krahasimin midis binjakëve identikë dhe atyre jo-identikë. Të parët ndajnë pothuajse të gjithë ADN-në e tyre, të dytët vetëm gjysmën.

Por që të dyja palët supozohet se ndajnë arsimimin e tyre në një masë të ngjashme. Lloji i dytë i studimit krahason çiftet biologjike të vëllezërve dhe motrave me çiftet e vëllezërve në të cilët një fëmijë u birësua që i vogël. Të dy llojet e çifteve priren të kenë një edukim të ngjashëm, por vëllezërit e motrat biologjike ndajnë gjysmën e ADN-së së tyre, ndërsa ato birësues nuk ndajnë asnjë.

Disa dekada studimesh të tilla, duke përfshirë qindra apo edhe mijëra pjesëmarrës, kanë krijuar një konsensus të gjerë: ndër ndikimet që mund të matim, aspekti më vendimtar janë gjenet. Shtrirja e saktë e ndikimit të tyre ndryshon në varësi të karakteristikave të ekzaminuara – lumturia, qëndrueshmëria etj- por shpesh ADN-ja i atribuohet rreth gjysmës së ndryshimit midis individëve. 

Nga ana tjetër efektet e arsimimit, janë shumë më të kufizuara dhe variojnë nga 17 në 0 përqind. “Në studimet tek fëmijët e birësuar, lidhjet midis karakteristikave të familjeve dhe fëmijëve të birësuar janë në thelb zero”- thotë Erik Turkhajmer nga Universiteti i Virxhinias, SHBA.

Një përjashtim i dukshëm është inteligjenca, ku ndikimi i edukimit është rreth 25 për qind gjatë fëmijërisë. Por kjo reduktohet thuajse zero në moshën madhore, kur efektet e stimulimit të edukimit ose presionit të prindërve zhduken, dhe kur njerëzit kanë shumë më tepër kontroll mbi jetën e tyre intelektuale. 

Këtu duhet bërë një sqarim: në rastet e abuzimit të fëmijëve, ndikimi mjedisor mund të ketë efekte serioze dhe të qëndrueshme. “Është e qartë që nëse e mbyllni një fëmijë në një dollap, ai do të dëmtohet psikologikisht”- thotë gjenetisti Robert Plomin nga Kolegji Mbretëror i Londrës, që shkroi për këto gjetje në librin e tij të vitit 2018 “Gjurmët gjenetike: Si ADN-ja na bën ata që jemi”. 

Pavarësisht provave bindëse, ideja se prindërit kanë pak ndikim të qëndrueshëm tek inteligjenca dhe personaliteti i fëmijëve nuk pranohet gjerësisht jashtë sferës së gjenetikës së sjelljes. Një arsye janë pasoja sociale dhe politike që lidhen me këtë ide. Këtu ndikon jo vetëm trashëgimia e eugjenikës, por edhe fakti që sot, shumë përkrahës të krahut të djathtë i shohin disa nga të këqijat e shoqërisë si të rrënjosura në gjenetikën njerëzore. 

Një problem tjetër është se shumë studime pretendojnë se kanë zbuluar se mjedisi në të cilin jetojnë njerëzit në fillim të jetës së tyre ka efekte të rëndësishme në vazhdimin e ekzistencës së tyre. Por studiuesit që punojnë me kafshët, kanë gjetur prova gjithnjë e më të forta se të paktën disa nga ndikimet e rastësishme që na formojnë, mund të jenë rezultat i ngjarjeve të rastësishme që ndodhin në tru përpara lindjes. 

Kjo hipotezë bie ndesh me idetë që disa kanë mbi mënyrën se si është formuar truri. ADN-ja përshkruhet shpesh si ajo që dikton gjithçka në trupin tonë. Kjo sugjeron se gjenet kodojnë një model të saktë lidhjeje midis rreth 86 miliardë qelizave të trurit të njeriut dhe trilionë lidhjeve të tyre të njohura si sinapse.

Por nuk është kështu. Gjenet e përfshira në zhvillimin e trurit, janë më shumë si një recetë sesi piqet një tortë, edhe pse çdo deklaratë ka një shkallë paqartësie. Me çdo hap të ri që hedhin – për shembull, kur shumohen qelizat embrionale të trurit, migrojnë në vende të reja ose specializohen në lloje të ndryshme qelizash – qelizat që bëjnë gjëra të caktuara në një mënyrë të caktuar tek një individ, i bëjnë ato në një masë pak më të madhe ose më të vogël tek një person tjetër gjenetikisht identik.

Ne të gjithë kemi në fillim gjenomin tonë individual. Pastaj zhvillimi çon në një evolucion të organizmit që bazohet në informacionin që përmban ai gjenom, por shton variacionet e veta ndërsa procesi përparon. Ngjarjet e rastësishme gjenetike që formojnë trurin mund të diktojnë se kush jemi edhe përtej fëmijërisë. 

Shumë rajone kyçe të trurit të adoleshentëve i nënshtrohen një procesi të quajtur “krasitje”, që është në fakt humbja e lidhjeve midis qelizave të trurit. Në përgjithësi supozohet se ky proces është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj mjedisit përreth, por në realitet ne dimë ende shumë pak për mekanizmat dhe shkaqet e tij. Prandaj ka të ngjarë që ngjarjet e rastësishme të luajnë një rol në këtë drejtim.

Marrë me shkurtime nga “New Scientist”

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat