Nga student në Shqipëri në President në Brazil. Historia e çuditshme e Lula-s që mposhti Bolsonaro-n, ja lidhja e veçantë me shtetin shqiptar

Speciale

Nga student në Shqipëri në President në Brazil. Historia e çuditshme e Lula-s që mposhti Bolsonaro-n, ja lidhja e veçantë me shtetin shqiptar

Më: 1 nëntor 2022 Në ora: 13:23
Luiz Inácio Lula da Silva

Luiz Inácio Lula da Silva është rikthyer si president i ri i Brazilit. Ai mposhti Bolsonaron dhe rimerr vendin për herë të tretë 11 vjet pas mandatit të tij të fundit. Në votimin për zgjedhjet presidenciale, me 100% të votave të numëruara, kreu i Partisë së Punës mori 50,88% kundrejt 49,12% të kandidatit të djathtë të Partisë Liberale.

Rezultati erdhi në fund të një gare emocionuese kokë më kokë, e cila në fillim e kishte parë Bolsonaron në krye dhe në fund të një fushate të zjarrtë elektorale. “I vetmi fitues është populli brazilian”, tha Lula. Qendrat e votimit u mbyllën në orën 17:00 me orën lokale, në orën 21:00 në Europë.

Më shumë se 120 milionë brazilianë votuan, me rreth 20% që abstenuan në raundin e parë. Kanë kaluar 20 vjet qëkurse Lula fitoi për herë të parë presidencën dhe rikthehet me një rekord të ri.

Ai përmirësoi ndjeshëm rezultatin e vitit 2006 gjatë së cilës mori 58.2 milionë vota, duke e çuar në 60 milionë vota.

Lula dhe Shqipëria

Por janë të pakët ata që e dinë që Lula ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë, që nga koha e periudhës komuniste, kur ka jetuar në Tiranë si student në ish-Shkollën e Partisë. Në ditën e përurimit të detyrës si President i Brazilit (1 janar 2003 – 31 dhjetor 2010) gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Sërvet Pëllumbi, shprehu dëshirën që vizitën e parë zyrtare jashtë vendit ta bënte në Shqipëri.

Një rastësi e bukur me plot surpriza mund të konsiderohet takimi i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Sërvet Pëllumbi me presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva në ditën e parë të mandatit të tij. Ishte dita e fundit e vitit 2002, kur delegacioni shqiptar mbërriti në Brazilia. “Aty festuam edhe Vitin e Ri”, kujton ish-kryeparlamentari.

Kryetari i delegacionit shqiptar po shijonte organizimin e ceremonisë, e cila i kishte rezervuar një surprizë të bukur. Natyrisht, profesor Pëllumbi e kishte harruar djaloshin sindikatave braziliane, të cilin dikur e kishte pasur student në Shkollën e Partisë. Kurse sindikalisti, i brumosur me idetë komuniste të partisë që drejtonte Zhoao Amazonas, nuk e kishte harruar pedagogun shqiptar të filozofisë marksiste. Pëllumbi e kujton kështu takimin emocionues: “Para se të mbahej fjalimi përurues i presidentit të Brazilit, u bë prezantimi i delegacioneve në një holl të improvizuar nën një tendë të madhe. Sapo dëgjoi emrin e Shqipërisë, Lula u çel në fytyrë dhe shumë i kënaqur që po na takonte pas shumë vitesh u shpreh: Ah, Shqipëria! E dua shumë atë vend. Kam qenë dikur atje, ndaj vizitën e parë në Europë si president do ta bëj në Shqipëri…”

Kryetari i Kuvendit e priti me kënaqësi këtë privilegj që i bëri, aty për aty një vendi të vogël si Shqipëria, presidenti i një shteti të madh si Brazili. Por, koha protokollare ishte tepër e shkurtër. Megjithatë Lula i hodhi një vështrim të shpejtë portretit të prof. Pëllumbit dhe shtoi: “Më duket se ju mbaj mend, ju më keni dhënë leksione…”.

“Atë çast u kujtova për kurset që zhvillonim dikur me sindikalistët nga vende të ndryshme të botës tek ish-Kampi i Punëtorëve në Durrës. Leksionet për brazilianët dhe të tjerët që vinin nga vendet ku flitej spanjisht i përkthente nga shqipja një ish-emigrant shqiptar, e cili e fliste shumë mirë atë gjuhë”, vijon tregimin Pëllumbi.

Lidhjet miqësore mes PPSH dhe Partisë Komuniste të Brazilit kanë nisur në fillim të viteve 1960. Dokumenti i parë që ruhet në Arkivin e Shtetit është mesazhi i përshëndetjes së Luis Karlos Prestes drejtuar Kongresit te Katërt të PPSH në emër të komunistëve brazilianë.

Sipas një dokumenti të rëndësishëm të vitit 1967, drejtuesit e PPSH kanë miratuar, midis të tjerash, edhe për ardhjen në Shqipëri të një grupi nga Partia Komuniste e Brazilit. Ishte koha kur në Shqipëri kishin filluar intensivisht stërvitjet ushtarake dhe kurset ideologjike për dhjetëra përfaqësues nga vende të ndryshme të botes.

Historia e lëvizjes marksiste-leniniste që drejtohej nga Tirana

Te huajt qe kane ardhur për stërvitje në Shqipëri ndahen në tre kategori: te parët janë ata që vinin në përbërje të delegacioneve afatshkurtër, një deri në dy ditë. Me këto grupe zakonisht zhvilloheshin mësime teorike dhe qitje me pistoleta, granata etj. Midis tyre kane qene edhe kryetari i Partisë Komuniste të Brazilit, Zhoao Amazonas, ai i PK te Belgjikës, Zhak Griba, i Portugalisë, Eduard Pires etj.

Enver Hoxha me Zhoao Amazona, sekretare i pare i KQ te PK te Brazilit, dhe me D. Arruda lider i PK te Brazilit.

Kategoria e dyte ishin ata qe vinin për një kohe më të gjatë, nga një javë deri në dhjetë ditë. Me këta bëhej program më i plotë. Sipas kërkesës së tyre, zhvillohej taktike këmbësorie, xhenio dhe qitje me armë të ndryshme.

Ndërsa kategoria e tretë ishin të huajt që qëndronin në Shqipëri nga një muaj deri në disa vjet. Këtu veçohen indonezianët, te cilët erdhën rreth vitit 1967. Fillimisht ata kryen nënte muaj program në Shkollën e Bashkuar, ku mësuan rregullat baze të luftimit.

Ndërsa përgatitja politike e individëve dhe grupeve të lëvizjes marksiste është realizuar nga institucioni me i rëndësishëm i formimit ideologjik, Shkolla e Lartë e Partisë. Në auditorët e saj janë ulur emra VIP të mirënjohur për publikun shqiptar, nga Laurent Kabila (President i Republikës së Kongos për disa vite) të Luiz Inacio Lula da Silva (President i Brazilit për dy mandate me radhë) dhe Omar Bongo (President Gabonit për afro 42 vite). Profesorët e tyre kanë qenë emra po aq të njohur dhe të rëndësishëm të shkollës politike, filozofike dhe juridike shqiptare të djeshme dhe të sotme, si Sërvet Pëllumbi, Luan Omari, Agim Popa, Selaudin Kucaj, Omer Hashorva etj.

Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe mbështetja e Partisë Komuniste te Kinës ne fillim te viteve 1960 shënon fillimin e një roli specifik te Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Për motive ideologjike, një pjesë e partive marksiste-leniniste, që nuk ishin dakord me qëndrimet e Nikita Hrushovit mbështetë super shtetin e Azisë dhe vendin e vogël në brigjet e Mesdheut.

Numri i partive qe mbështetën PPSH-ne pas prishjes me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik ishte i pakët. Madje edhe këto nuk ishin te gjitha te vendosura për t’i qëndruar besnike vijës staliniste të Shqipërisë. Disi më të qarta në këtë rreshtim ideologjik ishin partitë komuniste në afërsi gjeografike me Kinën; ato të Birmanisë, Indonezisë, Malajzisë, Koresë, Vietnamit, Kamboxhias dhe Laosit.

Situata e krijuar shërbeu si nxitje për PK të Kinës që të shpallte strategjinë për t’i rrëmbyer PK te BS flamurin e udhëheqjes së lëvizjes revolucionarë kundër imperializmit dhe të bëhej faktikisht qendra e drejtimit të “Botës së Tretë”.

Shembulli më i qartë i këtij angazhimi ishte financimi direkt i grupeve dhe lëvizjeve marksiste-leniniste, të cilat kishin dalë si fraksione më vete nga radhët e partive të vjetra komuniste, ose që u krijuan rishtas. Pas Partisë Komuniste të Brazilit, që u riorganizua më 1962, në 1963 filluan të dilnin publikisht komunistët revolucionare të organizuar në Belgjikë, Itali, SHBA, Australi, Austri, Angli, në Spanjë, Portugali, France, Peru, Kili, Iran, Indi; në vitin 1965 në Kolumbi, Bolivi, Liban, Sudan, Gabon etj.

Linja e re politike u zyrtarizua ne Kongresin e Katërt të PPSH (nëntor 1961), ku Hoxha dha sinjalet e para për t’u shfaqur si “homologu europian” i Mao Ce Dunit. Me ftesa te posaçme, në tribunën e këtij kongresi u shfaqën një numër i konsiderueshëm forcash politike nga vendet perëndimore, si: Partia Komuniste e Australisë, Partia Komuniste e Finlandës, Partia Komuniste e Britanisë së Madhe, Partia Komuniste ·e Kanadasë, Partia Komuniste e Belgjikës, Partia Komuniste e Gjermanisë, Partia e Punës e Zvicrës, Partia Komuniste e Holandës, Partia Komuniste e Zelandës së Re dhe Partia Komuniste e Greqisë.

Përkrahja e Shqipërisë për lëvizjen marksiste-leniniste në vendet e Amerikës Latine ishte shenje e solidaritetit dhe miqësisë për të mirën e përbashkët. Këto lëvizje kanë luajtur rolin e tyre në këtë rajon për mobilizimin e masave për mbrojtjen e te drejtave, për emancipim shoqëror.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat